Bombardohet Tripoli, NATO: S’e dimë nëse Gedafi është gjallë

May 11, 2011 | 9:06

NATO nuk ka informacion nëse Muamar Gedafi është i gjallë apo i vdekur, pas tetë sulmeve ajrore gjatë natës mbi Tripoli, ku një iu “dedikua” bunkerit të Gedafit, nga ku u pa të dilte tym.Lideri libian nuk është bërë i gjallë as në fjalime televizive dhe as në deklarata ushtarake. Zyrtarët e NATO-s mohuan se kanë shenjëstruar liderin libian Moamar Gedafi, por një nga bombat ka rënë mbi bunkerin e tij, nga ku ka dalë tym. Një nga ushtarakët e lartë të NATO-s, brigadieri i Përgjithshëm, Klaudio Gabelini, tha në një konferencë për shtyp në Napoli se “NATO nuk ka asnjë provë që Muamar Gedafi është gjallë”. Deklarata u bë pas tetë sulmeve me bombardime në harkun e tre orëve nga avionët e NATO-s mbi Tripoli, një prej tyre ishte mbi rezidencën-bunker të liderit libian. Bombardimet e NATO-s kanë tronditur kryeqytetin libian dje, ndërsa rebelët kanë njoftuar avancime në pjesën perëndimore të vendit. Aleanca tha se bombardimet në Tripoli kanë shenjëstruar një qendër ushtarake kontrolli, e cila drejtohej nga forcat pro qeveritare. Banorët lokalë thanë se një nga bombat ka goditur një ndërtesë të përdorur nga Agjencia e Inteligjencës Ushtarake. Agjencia e Spiunimit Ushtarak e forcave të Gedafit ishte goditur edhe një herë tjetër, më 30 prill. Gjatë orëve të para të së martës, dëshmitarë të ndryshëm në Libi njoftuan mbi dy shpërthime mbi televizionin e shtetit dhe agjencinë zyrtare, “Jana”. Qeveria libiane ka marrë gazetarët e huaj për të parë një ndërtesë të dëmtuar qeveritare të përdorur nga Parlamenti dhe një spital ku dukeshin xhama të thyer. Zyrtarët thanë se të paktën tre fëmijë ishin plagosur. Xhamat e spitalit u dëmtuan kur forcat e NATO-s goditën një kullë komunikimi që ndodhej aty pranë. Sulmet e NATO-s u bënë një ditë pas deklaratës së kreut të NATO-s, Anders Fog Rasmusen, sipas të cilit për Gedafin “loja ka mbaruar: nuk ka të ardhme për të dhe as për regjimin e tij”. Të hënën rebelët në Benghazi thanë se NATO-ja ka bombarduar katër herë depozitat e armëve rreth 30 kilometra në juglindje të Zintanit. Një zëdhënës i rebelëve tha se avionët kanë goditur edhe zonën rreth Taminas e Shantinës, në lindje të Misratës. NATO ka njoftuar se kjo është një taktikë për të mbajtur të lartë presionin mbi regjimin e Gedafit e për të minuar kapacitetin  tij për të goditur popullsinë civile.
Sipas disa burimeve lokale të pakonfirmuara nga gazetarët e pavarur dhe as nga “Al Jazeera”, por të filmuara nga “Al Arabiya”, periferia e Tripolit është përfshirë nga protestat e drejtuara nga disa zyrtarë dezertorë që janë përballur me besnikët e Gedafit. Por qeveria e Libisë i ka mohuar këto raportime, duke thënë se në kryeqytet çdo gjë është e qetë. Në qytetin perëndimor, Misrata, rebelët njoftuan se i kanë shtyrë forcat besnike të Gedafit në qytetin Dafnija, drejt Perëndimit. Ata thanë se kanë avancuar edhe në Jug të vendit. Në pjesën Lindore të vendit, rebelët thanë se luftime të ashpra kanë vazhduar mes qyteteve Ajdabiya dhe Brega.

Tunizi, drogë në zyrat private të ish-Presidentit

Drogë, bizhuteri, pjesë arkeologjike dhe një armë u gjetën në pallatin e Kartagës, i cili i përkiste Presidentit të larguar tunizian, Zine El Abidine Ben Ali, sipas agjencisë zyrtare të lajmeve, TAP. Zbulimi ishte bërë nga komisioni kombëtar i ngarkuar në hetimin për korrupsion dhe përvetësim gjatë presidencës 23-vjeçare të Ben Alisë, i cili u rrëzua nga pushteti pas një revolte popullore. Zbulimi është bërë tri ditë më parë dhe përfshin 40 gramë të një substance narkotike, bizhuteri të futura në 169 zarfe, pjesë arkeologjike me vlerë të rëndësishme dhe një automatik amerikan, sipas një deklarate të komisionit. Hetuesit kanë gjetur edhe 11,060 paund (13,000 euro). Më 10 mars 2011, ministri tunizian i Drejtësisë njoftoi zbulimin e dy kg narkotikëve në zyrën private të Presidentit në Kartagë. Komisioni i korrupsionit më parë tha se ka zbuluar 27 milionë dollarë (19 milionë euro) në një pallat të Ben Alisë në Sidi Bou Said, Veriu i Tunizisë.

© Panorama.al

Te lidhura