
Paditësi akuzon Enxhi Kamenicën për shpifje në deklaratat e saj në emisionin televiziv
Akuzat në TV për pedofili, regjisori kërkon 10 milionë lekë
Etiketimet “pedofil” dhe “përdhunues” ndaj regjisorit Leonard Bombaj nga ana e modeles Enxhi Kamenica në emisionin “Zonë e lirë” mund t’i kushtojnë asaj 10 milionë lekë. Kamenica është paditur në Gjykatën e Tiranës nga regjisori Bombaj, i cili e akuzon 23-vjeçaren për veprat penale të “fyerjes” dhe “shpifjes”, të bëra botërisht, pas çështjes penale që ai pati me një minorene, e cila e akuzoi artistin për përdhunim. Për dëmin e pësuar nga deklaratat e vajzës, që u bë e njohur në televizion nga pjesëmarrja e saj në programin “Big Brother Albania”, Bombaj kërkon dëmshpërblim në para në shumën 10 milionë lekë. Në kërkesën e tij në gjykatë, regjisori pretendonte se i ishte cenuar rëndë nderi, personaliteti, dinjiteti i tij dhe i familjes së tij.
“SHPIFJA”

Frazat e Enxhi Kamenicës, që sipas regjisorit Bombaj janë shpifje, janë artikuluar në emisionin “Zonë e lirë” të gazetarit Arian Çani, mbrëmjen e 21 tetorit 2011. Kamenicës iu kërkua nga Çani një opinion mbi konfliktin që Bombaj ka pasur me rreperin Arkimed Lusha, i njohur si “Stresi”. Në vijim publikohet debati mes Arian Çanit dhe Kamenicës, referuar kërkesës së depozituar në gjykatë: “Në emisionin ‘Zonë e lirë’ të gazetarit Arian Çani, pas pyetjes: Në fakt, cili është fajtor, Stresi, apo Leonard Bombaj?, ajo ka thënë tekstualisht: Leonard Bombaj…
Gazetari Çani pyet: Pse? E. K. përgjigjet: Në momentin e parë që e dëgjoj këtë emër me vritet veshi. A. Ç. pyet: Pse? E. K. përgjigjet: Sepse, e para, mos e thërrasim Leonard Bombaj sepse nuk ndihem mirë as unë. A. Ç.: Po ashtu e ka emrin. E. K.: unë do ta pagëzoj, do bëhem kumbara e tij. Pse mos e quajmë pedofili? A. Ç.: Këtë e thatë ju, s’e thashë unë, se kjo është akuzë shumë e rëndë. E. K.: Dhe e them përsëri. A. Ç.: Ai është i martuar dhe me kalamaj, është gjynah që të akuzohet kështu. E. K.: Dhe unë e them përsëri… Më tej vazhdon…
E. K.: Kam një informacion nga njerëz të afërt të tij dhe të mitë, le të themi, ka dëshmitarë okularë që kanë parë paturpësitë që ai ka bërë me nxënësit e tij. A. Ç.: Kush është ai? E. K.: Ai, pedofili. A. Ç.: Unë ju propozoj që mos e quani pedofili, se ai nuk është këtu dhe nuk është etike që ju ta fyeni dhe ai nuk ka mundësi të mbrohet. E. K.: Kush është etike? Një njeri që është artist dhe i merr disa fëmijë për t’i bërë artistë… ka shumë dëshmitarë okularë që i kanë parë paturpësitë ose abuzimet që ai ka bërë me këto vajza, që kanë dashur të ecin në botën e medias dhe të artit. Më fal, ajo që më duket super absurde është që ky person, brenda dy muajsh realizoi një libër. Më fal, dy muaj nuk të mjaftojnë për të kujtuar… kush do ta mbronte një të mitur nga një përdhunues…?”, citohej në kërkesën e Bombajt.
Bombaj: Dëmi i pësuar
Në padinë e tij, regjisori Bombaj radhiste arsye se përse i ishte drejtuar gjykatës ta detyronte Enxhi Kamenicën ta dëmshpërblente. Sipas Bombajt, Enxhi Kamenica kishte cenuar në mënyrë të drejtpërdrejtë familjen e tij, mbi të gjitha djalin e mitur, i cili e vuante psikologjikisht atë që ishte thënë prej saj në televizion. Po sipas regjisorit, nëna e tij 70-vjeçare ishte rënduar psikologjikisht, gjendje që ishte pasuar me probleme shëndetësore. Vetë Bombaj, pasi kishte dëgjuar këto deklarata, kishte ndërprerë punën e tij për javë të tëra. Njëkohësisht, sipas tij, shpifjet e Kamenicës i kishin anuluar oferta profesionale, një nga të cilat edhe ajo e një kompanie celulare që do të përdorte zërin e tij në spotet publicitare. Në përfundim, Bombaj pohonte se shpifjet ishin thënë në një emision që ka audiencë të gjerë.
ARMAND BAJRAMI
© Panorama.al











