
Luis Manuel Blanko tregon se ka përjetuar një situatë krejtësisht të pazakontë kur drejtonte Dinamon e Tiranës. Në një intervistë për të përditshmen argjentinase “Ole” {www.ole.com.ar/fuera-de-juego/Renuncie-acepte-salir-perder_0_480552064.html}, ish-trajneri i bluve bën një deklaratë tronditëse, ku akuzon ashpër qeveritarë dhe gjithashtu presidentin e klubit, Besnik Sulaj. Megjithatë, ka disa pasaktësi që nuk mund të mos vihen re në intervistën e argjentinasit. Ai thotë në një moment se Skënderbeu ishte klubi në pronësi të Ministrisë së Financave, por në fakt gabohet në këtë rast, sepse u referohet vetëm fjalëve dhe thashethemeve që ka dëgjuar nga njerëz të afërt. Një tjetër pasaktësi në deklaratën e bërë nga Blanko, është edhe fakti kur ai flet për ndeshjen Skënderbeu-Dinamo 3-2 në fund të fazës së parë. Blanko thotë se skuadra e tij e mbylli pjesën e parë 2-0, por në fakt pjesa e parë mbaroi 0-0. Më pas, Dinamo kaloi në avantazh 1-0, Skënderbeu përmbysi 3-1 dhe në fund shënoi Bakaj, duke bërë që takimi të mbyllej 3-2. “Kishim rivale skuadrën e Ministrisë së Financave dhe presidenti i klubit tim më kërkoi që unë të lija ndeshjen, pra të humbnim. I thashë ‘jo’ nuk e bëj këtë dhe u largova”, tregon Blanko. Më pas ai ka thënë: “Presidenti i klubit, Besnik Sulaj, kishte shumë probleme me politikën dhe, ndërkohë, ishte shumë i lidhur me të. Skuadra që renditej e dyta në klasifikim, quhej Skënderbeu, në pronësi të Ridvan Bodes, ministër i Financave në Shqipëri. Na u desh të luanim kundër tyre ditën që do të inauguronin dritat në stadium. U bë një festë ë madhe, përfshirë këtu edhe arbitrin që ishte prezent. Në pushim të ndeshjes, presidenti i skuadrës sime hyri në dhomat e zhveshjes bashkë me përkthyesin tim dhe ma tha se ministri u kishte thënë: “Nëse më shkatërroni festën, unë do t’ju shkatërroj juve. Më kërkoi që kur të kthehesha në pjesën e dytë, skuadra jonë duhej të humbiste. Nuk po u besoja syve. Ishte e tmerrshme. I thashë presidentit: “Shko dhe fol ti me lojtarët”. Thuajua ti që ta lënë ndeshjen. Unë nuk u kam thënë kurrë lojtarëve të mi të lënë një ndeshje dhe nuk do ta bëj as sot. Më pas u largova. Presidenti im në një rast bleu arbitrat dhe hapi fjalë se do të na ndihmonin. Në fakt, ne humbëm 2-1 me dy penallti kundër. Më pas mora vesh se pas kësaj fshiheshin bastet dhe se presidenti ynë kishte luajtur kundër nesh, sepse e dinte që do të humbnim.”, – ka thënë Blanko ndër të tjera.
Si u largua nga Tirana
Luis Manuel Blanko, së bashku me përgatitësin atletik Kolev, e kanë lënë Tiranën në ditën e fundit të vitit 2010. Atij iu desh të vërtitej për disa ditë në kryeqytet, derisa arriti të merrte edhe pagesat e fundit nga presidenti Sulaj. Me një marrëveshje xhentëlmenësh, ata janë ndarë në mënyrë konsensuale. Që pas ndeshjes me Laçin, të cilën e barazuan në kryeqytet 3-3, Dinamo mori tatëpjetën dhe me përjashtim të dy barazimeve, të tjerat i kishte humbje. Për rrjedhojë, duke e parë dhe situatën e vështirë ku ndodhej skuadra, Blanko pranoi largimin, duke ia lënë stafetën Ilir Dajës. Ky i fundit pas largimit lëshoi një sërë kritikash në adresë të drejtuesve të klubit.











