Bollano në gjyq për ndërtimet në Himarë, protestë jashtë Gjykatës

Mar 30, 2011 | 11:02

VLORË- Kur kanë mbetur edhe pak kohë për zgjedhjet lokale, kreu i Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano, është nën akuzë për abuzimet e konstatuara në dhënien e lejeve të ndërtimit në zonën e Himarës dhe të Jalës. Dje ishte seanca e radhës në Gjykatën e Vlorës, por Bollano nuk u paraqit duke u përfaqësuar nga avokati i tij. Seanca zgjati vetëm pak minuta për shkak edhe të një proteste që u zhvillua përpara Gjykatës nga të rinjtë e aleancës “Kuq e Zi”. Ata inkurajuan drejtësinë nëpërmjet kësaj proteste që të veprojë në mënyrë të paanshme në vendimet e saj. Gjatë kësaj seance që zgjati vetëm pak minuta, mbrojtja mohoi akuzat e ngritura ndaj Bollanos, duke argumentuar se lejet e ndërtimit ishin dhënë në bazë të ligjit. Vasil Bollano, kreu i Bashkisë së Himarës, akuzohet për shpërdorim të detyrës dhe falsifikim të dokumenteve. Këtë herë jo për heqjen e tabelave në shqip, por për dhënie të lejeve të ndërtimit në Himarë dhe Jalë, në sheshe ku nuk është përcaktuar ende titulli i pronësisë. Pas denoncimit nga pronarë të tokave në Himarë dhe Jalë, Bollano, në cilësinë e kreut të Këshillit të Rregullimit të Territorit në Himarë, u vu në hetim nga Prokuroria. Akuza plotësoi dosjen penale në ngarkim të Bollanos dhe 4 zyrtarëve të tjerë të këtij Këshilli, të cilët kanë vepruar në periudhën nga viti 2005-2008. Sipas Prokurorisë, kryebashkiaku Bollano ka dhënë leje ndërtimi në zonat turistike, duke shkelur kompetencat e Këshillit të Rregullimit të Territorit, ka dhënë leje ndërtimi në kundërshtim me procesverbalet e bashkisë, leje ndërtimi në kundërshtim me ligjin për urbanistikën si dhe ka dhënë leje për shesh-ndërtimi në zona jashtë vijës së verdhë të qytetit të Himarës. Përfaqësues të aleancës theksuan dje gjatë protestës, se Bollano është i korruptuar dhe si i tillë duhet të përballet me ligjin. Duke folur në emër të kësaj aleance, Gerti Peshkopia u shpreh se “Bollano ka dhjetëra akuza për korrupsion dhe ende vazhdon të jetë në detyrë si kryetar i Bashkisë së Himarës. Mbas patriotizmit grek, nuk mund të fshihet një Bollano i korruptuar. Ne i kërkojmë drejtësisë që së shpejti t’i kthejë integritetin Himarës”, u shpreh Peshkopia. Sipas tij, “sot është një proces i tretë ndaj Bollanos dhe ne kërkojmë vendosjen në vend të ligjit. Vlora është kuq e zi, sepse ashtu është qarku i Vlorës dhe askush, përfshi dhe Bollanon nuk mund të cenojë simbolet e shtetit tonë, pasurinë, historinë dhe heronjtë e këtij vendi. Përnryshe duhet të përballen me ligjin dhe drejtësinë”.           q.b

© Panorama.al

Te lidhura