Boksieri i njohur kosovar që jeton në Gjermani, Luan Krasniqi, të hënën ka festuar ditëlindjen. Ai ka mbushur 40 vite. Është i lindur më 10 maj të vitit 1971, në Junik të Kosovës dhe është boksier shqiptaro-gjerman i kategorisë së rëndë, i cili për momentin gjendet në vendin e 308-të të boksierëve më të mirë të të gjitha kohërave, me 279 pikë nga 35 ndeshje, 30 fitore (14 me nokaut), 4 humbje dhe 1 barazim. Fëmijërinë Luani e kaloi në Junik, në moshën 16-vjeçare ai shkoi tek i ati i tij në Shtutgart të Gjermanisë, i cili kishte emigruar me gjithë familjen. Luani, si njëri nga tetë fëmijët e familjes Krasniqi, arriti me sukses të kryejë shkollën e mesme dhe pastaj filloi të punonte si agjent i kontratave për kursim. Që në moshë të re, ai me një shok të tij kanë shkuar në klubin e boksit të qytetit, ku nga ato momente fillon edhe karriera si boksier. Luani është i martuar me Suedën dhe ka një vajzë, Melisën, e cila ka ardhur në jetë më 15 prill të vitit 2009. “Jam jashtëzakonisht shumë i gëzuar, tashmë në jetën tonë ka hyrë një engjëll flokëverdhë dhe lindja e vajzës sime është më e rëndësishme se çdo fitore”, – ka treguar atë kohë Luan Krasniqi. Përveç të qenit baba i mirë, ai është i përqëndruar edhe te karriera e tij dhe shpreson për një rikthim në ring. “Stërvitem çdo ditë dhe dua të bëj një ndeshje këtë vit kundër një boksieri të mirë”, ka treguar Luani. E për të gjithë tifozët dhe ata që pëlqejnë këtë lloj sporti, nuk dihet se deri kur do të keni mundësi të shihni Luanin në ring, pasi ai tashmë është bërë 40 vjeç e ndoshta mosha nuk do e lejojë që të kthehet në profesionin e tij të preferuar.











