Bogdani titullar në Udine, por e do Leçe

Jan 7, 2012 | 12:41
Erion Bogdani dhe Lorik Cana, gjatë një stërvitjeje me Kombëtaren

Bogdani do ta nisë nga minuta e parë, ashtu sikundër edhe Cana këtë javë në Serinë A, teksa sulmuesi kërkohet së fundi edhe nga skuadra e Leçes. Erjon Bogdani mund të luajë ndeshjen e tij të fundit te Çezena ditën e nesërme. Lajmi konfirmohet nga mediat italiane, të cilat në pjesën më të madhe e shikojnë si një shans të fundit për sulmuesin shqiptar te skuadra toskane. Në rast se Bogdani do të shkëlqejë duke shënuar edhe gol, me gjasa drejtuesit mund edhe ta mbajnë deri në fund të sezonit, duke i rinovuar kontratën, e cila i përfundon më 30 qershor të këtij viti. Në të kundërt, lojtari do të shitet me qëllim që nga tratativa të mund të nxirren edhe përfitime financiare. Përveç disa skuadrave që militojnë në Serinë B, si Vareze, Modena e Breshia, së fundi në drejtim të sulmuesit shqiptar ka shkuar një ofertë nga Leçe, ekip i Serisë A. Leçe renditet në fund të tabelës me nëntë pikë dhe vetëm dy fitore në 16 ndeshje, ndaj kërkon që të shpëtojë sezonin duke afruar gjatë merkatos së janarit lojtarë me eksperiencë dhe që kanë nuhatje goli. Ndërkohë, referuar mediave italiane, Udineze mund të luajë ndaj Çezenës me Handanoviç në portë, Benatia, Danilo, Domici në mbrojtje, Basta, Isla, Pinzi, Asamoah e Armero në mesfushë dhe me dyshen Floro Flores-Di Natale në sulm. Ndërsa Çezena do t’i besojë Antoniolit në portë, Komoto, Von Bergen, Rodriguez e Lauro në mbrojtje, Çekareli, Parolo, Guana e Kandreva në mesfushë dhe Mutu e Bogdani në sulm. Ndërsa titullar do të luajë sot edhe Lorik Cana te Lacio në përballjen ndaj Sienës. Mesfushori kuqezi po kalon një periudhë të mirë pas startit jo dhe aq pozitiv në fillim të sezonit, ndaj po aktivizohet që nga minuta e parë nga trajneri Reja. “Mendoj se këto pushime na kanë bërë mirë sa i përket gjendjes mendore. Siena është një ekip shumë agresiv. Mbyllen shumë mirë dhe kanë lojtarë të shpejtë nga krahët. Do vuajmë pak, por kemi eksperiencën dhe cilësinë që ta kalojmë me sukses këtë sfidë”, ka thënë dje tekniku Edi Reja. Ai foli edhe për gjendjen e mesfushorit Hernanes. “Ai iku me probleme fizike. Në  ditët e para bëri punë të diferencuar. Them se do ta lë në pankinë që të mos rrezikoj përkeqësimin e dëmtimit të tij. Sa i përket brazilianëve të tjerë, Diasin nuk donin ta linin të lirë, Mauzalemi kishte shqetësime në familje, por u sqaruam. Shpresoj ta rikuperoj brenda javës. Kështu që besoj se ndaj Sienës do të luajmë me modulin 4-4-2”, sqaroi numri një i bardhekaltërve.

Franca bën komunitarë lojtarët shqiptarë
Nga dje, një lojtar shqiptar në Francë nuk do të konsiderohet më si ekstrakomunitar. Vendimi është marrë nga Federata Franceze e Futbollit, e cila pas bisedimeve me homologët shqiptarë ka rënë dakord që ta heqë këtë barrierë, duke u hapur totalisht portat lojtarëve që vijnë nga Shqipëria. Kjo do të lehtësojë edhe klubet franceze, të cilat nuk do të kenë më probleme për të rekrutuar një lojtar shqiptar, madje në krahasim me afrikanët, do shikohet më tepër nga një vend si Shqipëria, kjo edhe për shkak se hiqet problemi i ekstrakomunaritetit.

LEONARD KARAJ

© Panorama.al

Te lidhura