Erjon Bogdani është i mendimit se Josip Kuzhe nuk duhet larguar me urgjencë pas humbjes me Luksemburgun. Bomberi i Kombëtares shqiptare lëshon kritika të forta në adresë të skuadrës kuqezi dhe merr përsipër përgjegjësitë. “Duke nisur që nga unë i pari dhe më pas të gjithë të tjerët që zbritën në fushë, duhet të mbajmë përgjegjësi për atë që ndodhi. Luajtëm një ndeshje shumë të dobët dhe për këtë jemi fajtorë të gjithë”, deklaroi golashënuesi më i mirë i Shqipërisë. “Mbrëmje e errët për ne. Gabuam të gjithë. Gabova unë, gaboi e gjithë skuadra deri tek portieri. Mendoj se ishte një nga ndeshjet më të dobëta dhe më zhgënjyese që kemi bërë vitet e fundit dhe kemi përgjegjësi ne që ishim në fushë. Humbëm qetësinë, po kërkonim me ngulm të shënonim, por lamë shumë hapësira mbrapa. Pastaj dalja e Agollit me të kuq dhe më pas imja i përkeqësuan gjërat dhe sollën më pas atë rezultat zhgënjyes. Mendoj se këto ishin arsyet kryesore.
Ishit shumë i nervozuar gjatë ndeshjes, ndërkohë që kishit thyer edhe një rekord historik”, ka pohuar lojtari. Më pas, ai ka shpjeguar edhe marrjen e kartonit të kuq në minutat e fundit të lojës. “Isha nervoz dhe gabova, ndaj duhet që të rinjtë të mësojnë nga gabimet e më të vjetërve. Ajo që bëra ishte e gabuar dhe më duhet ta pranoj. Ishin faktorë që ndikuan, por më shumë ishte faji i skuadrës dhe i lojtarëve. Nuk hymë në fushë me përqendrimin dhe me besimin e duhur. Bëmë disa gabime foshnjarake. Para ndeshjes kishim thënë vazhdimisht se ishte një ndeshje e vështirë për t’u fituar. Madje, për këtë kemi pasur një bisedë me presidentin e FSHF-së, por edhe me trajnerin. E dinim që do të ishte e vështirë, por sërish nuk arritëm të hynim me mentalitetin e duhur”, ka vazhduar ai. Në fund, “Bogu” flet edhe për të ardhmen e tij me Kombëtaren. “Nëse unë nuk bëj pjesë në planet e trajnerit për edicionin e ardhshëm, nuk mërzitem. Ai ka një strategji të tijën dhe një projekt. Unë gjithashtu jam i ndërgjegjshëm për moshën që kam. Por, nëse trajneri nuk i thërret lojtarët e mëdhenj në moshë si një formë ndëshkimi për paraqitjen e dobët kundër Luksemburgut, atëherë kjo është e padrejtë”, ka thënë Bogdani.
Cana
Mesfushori i Lacios dhe njëkohësisht i Kombëtares shqiptare, Lorik Cana, është dëmtuar dje gjatë stërvitjes dhe do të mungojë për të paktën 15 ditë. Kështu raportojnë mediat italiane. Futbollisti shqiptar nuk do të ketë mundësi që të debutojë në Serie A nesër mbrëma ndaj Milanit, ndeshje kjo që do ngrejë siparin e këtij kampionati. Loriku nuk ishte pjesë e ekipit kombëtar për ndeshjen në Luskmeburg, pasi ishte i pezulluar me kartonë.











