Bode: Ekonomia qëndroi, OK nga Moody’s dhe S&P

Dec 28, 2011 | 12:36
Ministri i Financave, Ridvan Bode

“Notat” që Shqipëria mori pak ditë më parë nga dy agjencitë e vlerësimit të profilit të riskut Moody’s dhe Standard and Poor’s, janë marrë në analizë nga Ministria e Financave. Kreu i saj, Ridvan Bode, i komentoi si pozitive këto vlerësime duke mos kursyer as notat letrare, kur u shpreh se “janë kartolina më e bukur për ekonominë dhe për shqiptarët në këtë fundvit”. “Ky vlerësim vjen në një kohë kur thuajse të gjitha vendet e rajonit dhe të eurozonës janë përballur me ulje të vlerësimit të profilit të riskut, apo minimalisht me përkeqësim të këndvështrimit të prospekteve afatmesme të tyre nga ‘stabël’ në ‘negative’”, tha Bode. Vlerësimi pozitiv sipas ministrit të Financave bazohet në ecurinë që ka pasur ekonomia shqiptare viteve të fundit, por jo vetëm, pasi agjencitë japin vlerësimin e tyre edhe mbi potencialin e së ardhmes. “Përveç rritjes ekonomike të viteve të fundit, kompanitë në vlerësimin e tyre marrin në konsideratë veçanërisht potencialin e ekonomisë shqiptare për të pasur rritje të qëndrueshme dhe të lartë në vitet në vijim, konsolidimin e vazhdueshëm fiskal me uljen në nivelin e 3%-shit të deficitit, si dhe seriozitetin e qeverisë për të mbajtur nën kontroll dhe ulur gradualisht nivelin e borxhit publik”, tha Bode. Duke lënë mënjanë vlerësimin e dy agjencive, ministri iu përgjigj edhe interesit të mediave nëse qeveria akoma mendon se do të kemi një rritje ekonomike 3.9 për qind gjatë këtij viti. “Ne jemi plotësisht të bindur që po dhe vlerësimin tonë e bazojmë mbi të dhënat që disponojmë për ecurinë e ekonomisë, të dhëna që në vihen në dispozicion nga INSTAT”, tha Bode. Ai ka rikonfirmuar edhe një herë atë që shprehu qysh në diskutimin e buxhetit të vitit 2012, duke i qëndruar besnik mundësisë për ndryshime në bazë të ecurisë që do ketë ekonomia. Ai u shpreh se pas 6-mujorit të parë të vitit të ardhshëm do të bëhet edhe vlerësimi i ekonomisë dhe pas kësaj mund të bëhen ndryshime që mund të jenë shkurtime, por edhe e kundërta.

4.3 per qind pritet që të jetë rritja ekonomike në vitin 2012, sipas parashikimit të bërë në buxhet nga qeveria. FMN-ja në raportin e  fundit ka vlerësuar se kjo rritje pritet të jetë 3.5 për qind për vitin e ardhshëm.

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura