Deputeti i PS-së, Ben Blushi, thotë se sindroma e Edi Ramës Kryeministër po kthehet në hall për socialistët. Në një intervistë në “Top Story” me gazetarin Sokol Balla, ai tha se arsyeja e ardhjes së PS-së në pushtet duhet të jetë qeverisja më mirë e vendit, dhe jo zgjedhja e kreut të saj në postin e Kryeministrit. Blushi shpjegon gjithashtu votën e tij pro Ardian Fullanit, si dhe mundësinë që ka partia e tij për të bërë koalicion me LSI-në pas dy vitesh.
Pse PS nuk pati asnjë reagim ngushëllues për vdekjen e Leka Zogut?
Besoj se deputetë të niveleve të ndryshme do të marrin pjesë në homazhe në Parlament. Unë i shpreh ngushëllime familjes. Nderimet që po i bëhen Leka Zogut janë kryesisht për shkaqe të merituara, besoj, kryesisht për shkak të emrit të familjes së të atit, një figurë të cilën ndoshta historia akoma nuk i ka dhënë emrin që i takon, kontroverse në disa raste, por një nga shtetarët, ose ndoshta shtetari më i mirë që ka pasur Shqipëria që nga viti 1912. E thashë kontroverse me shumë dritëhije, që i ka vuajtur edhe i biri për sa kohë ishte gjallë kur u kthye. Në një kthim spektakolar në 1997-n. Ata që sot e nderojnë e kanë pështyrë në vitin 1997, por nëse do të hapim një temë më të gjerë, që është raporti shqiptar me monarkinë, ky është një moment i kapërcyer. Është tjetër gjë të nderosh historinë, personazhet e saj, një familje të madhe shqiptare, atdhetare, pa dyshim. Këtu fillojnë pëlqimet apo mospëlqimet për regjimin.
Në vitin 2011 PS fitoi shumicën dërrmuese të bashkive dhe komunave. Me numër votash nuk jeni aty ku duhet të jeni. Mendoni se i humbët apo fituat zgjedhjet lokale?
Unë nuk mendoj që kemi humbur në 2011-n. Këto zgjedhje lokale nuk duhen lexuar si zgjedhje të vërteta politike, sepse askush nuk më bind dot se votat që demokratët mund të kenë marrë në shumicën e komunave të Shqipërisë kanë arsye të përsëriten pas dy vitesh, sepse kjo nuk ka ndodhur; apo votat që ne mund të kemi marrë në një qytet tradicionalisht të djathtë, mund ta përsërisim. Vota lokale ka një cilësi tjetër.
Ju u futët me fushatë politike në zgjedhjet lokale…
U futëm me fushatë politike për shkak të kontekstit, për shkak se dilnim nga dy vjet protesta, bojkot, nevojë për të hapur kuti, dëshirë për të hapur kuti, pamundësi për të hapur kuti, një klimë më 21 janar dhe ky ortek, detyrimisht na çoi te një votë politike. Në fakt, shqiptarët nuk votuan politikisht.
Ndodhi kjo dhe në Tiranë?
Kjo ka ndodhur edhe në Tiranë. Po flas të paktën deri më 14 maj. Një qytet që jeton në depresion këto vitet e fundit, në depresionin e një sanduiçi mes dy partive të mëdha, qytet që mendon se po sakrifikohej në një luftë politike mes dy partive të mëdha dhe për këtë arsye nuk pastrohej si duhej, nuk kishte parkingje sa duhej. Ky depresion nuk i vlejti Ramës dhe PS-së në zgjedhjet e 8 majit. Në kushte të tjera do të kishim vota shumë më shumë në Tiranë. Në kushte të tjera të qytetit dhe në kushte të një koalicioni tjetër.
Ju mendoni se Rama nuk duhet të kishte kandiduar?
Absolutisht. Unë nuk kam pasur mundësi ta them këtë në publik dhe nuk kam dashur ta them. Por, Edi Rama nuk duhet të kishte kandiduar për disa arsye që do t’jua them. Nëse ka një gafë politike, është kandidimi i tij në Tiranë për herë të katërt. E para, sepse ai e kuptoi në vitin 2009 se duhet të kandidonte i pari në listën e PS. Kjo ishte një nga kritikat që iu bë atij. E përsëriti duke u thënë të gjithëve që “unë nuk pyes, më thoni çfarë të doni, nuk ka rëndësi për mua”. E dyta, u dha përshtypja se do më shumë pushtet nga çfarë i takon. Duke u futur për herë të katërt në Tiranë dhe duke kërkuar të futet prapë në vitin 2013, kur do të hyjë si kandidat për Kryeministër, u tha shqiptarëve se mund t’i bëjë të gjitha. Nuk mund t’i bëjë të gjitha. Koha e njerëzve që i bëjnë të gjitha ka ikur. Duke u futur vetë, tregoi një akt megalomanie. Tha që përveç meje në PS nuk ka kandidatë të tjerë. Është megalomane si teori që unë se pranoj as për vete.
Si u ndjetë kur i shtrënguat duart dhe i uruat suksese Bashës keq në kohën e Ramës, sesa është sot?
Ne nuk patëm fat të shikonim të realizuar projektin e Ramës. Edhe ai sot e sheh me trishtim faktin që vonesa dhe konflikti me qeverinë nuk i dha mundësi ta realizonte atë projekt. Një nga gjërat që do të kish bërë, me aq sa e njoh, ishte që të linte vulën e tij në atë shesh. Nuk kemi mundësi ta krahasojmë ëndrrën e Ramës me atë që kishim para tre muajsh, me atë që kemi sot. Për sheshin e sotëm mund të them që si banor i kryeqytetit mua më leverdis që kaloj më kollaj në shesh për të shkuar në shtëpinë time. Në aspektin estetik, Tirana nuk e meriton atë shesh. Nëse ka një turp për të gjitha krahët politikë, është që si ka mundësi që flasim gjithë ditën për ndryshime në komuna, kemi ndërtuar rrugë e shkolla dhe në 20 vjet nuk kemi bërë sheshin qendror të shtetit? Si ka mundësi që flasim gjithë ditën për kredi, për huamarrje, për rritje ekonomike dhe paratë për të ndërtuar sheshin kryesor të shtetit i marrim borxh në Kuvajt? Është e pafalshme.
Në takimin me Ramën nuk besoj se folët vetëm për libra…
Nuk ishte hera e parë që takohesha me Ramën, por ishte hera e parë që ramë në sy. U takuam si miq. Jemi miq, pavarësisht se nuk mendojmë njësoj për gjithçka. Atë ditë kemi folur shumë për libra, për hir të së vërtetës, më pak për politikë dhe jemi tallur shumë me Saliun.
Pse votuat pro Fullanit për guvernator?
Njerëzit kanë arsye ta paragjykojnë sepse mund të mendojnë se si anëtar i Grupit unë duhet të votoj si Grupi. Vota ime në këtë rast nuk ka asnjë cilësi politike, por vetëm një dimension miqësor. Unë me Fullanin jam mik prej shumë vitesh. A vijon rivaliteti politik me Ramën për drejtimin e PS dhe çfarë mendimi keni për një aleancë të mundshme me LSI-në në vitin 2013?
Nuk kam rivalitet me Ramën sepse ai është kryetar i PS-së i kandiduar në vitin 2003 me votën time. Mori 140 vota në atë kohë dhe njëra ishte e imja. Edhe në vitin 2005 e votova. Në vitin 2009 nuk kam votuar për Ramën dhe e kam thënë këtë publikisht. Shumica e PS-së e ka zgjedhur kryetar, unë i bindem shumicës. Ka më pak tension seç ka pasur. Duke parë mënyrën si po sillet, kam arsye ta mbështes më shumë, sepse po bën disa gjëra që unë i kam kërkuar. Aleanca me LSI-në është një nga intrigat më të mëdha të mozaikut politik shqiptar. LSI-ja që kemi sot nuk është më LSI-ja që ka qenë para vitit 2009 dhe nuk është LSI-ja para 21 janarit. Në të paktën dy vitet e fundit kemi të paktën tre LSI dhe prandaj çështja bëhet më e vështirë dhe është njësoj si të bësh marrëveshje me një njeri që nuk është më ai. Unë nuk mund të them se sa kjo gjë është e mundur. Por, për shkak se LSI është bashkëfajtore në një qeverisje të keqe, për shkak të 21 janarit dhe për gjithë këto arsye, unë s’mund të them që pakti PS-LSI është më i mundshëm, por mund të them që ne duhet të përgatisim veten që të shkojmë në 2013-n pa LSI-në. Ka disa shkaqe që mund ta pengojnë deri në ditën e fundit këtë gjë, përkundrazi, mund ta kthejnë edhe në armiqësore në raport me ne, seç është sot.
Një bashkim apo ndarje e Nanos me PS do ta dëmtonte apo jo të majtën?
Nuk mendoj se do ta dëmtonte, por është një gjë për të cilën unë nuk mendoj fare, sepse nuk shoh që zoti Nano ka interes për këtë gjë.
Në 2013-n Rama do të jetë kandidat për Kryeministër. Nëse i fiton zgjedhjet, është Kryeministër, por a është ky shansi i fundit për Ramën dhe a do të bashkëpunoni me të që ai ta kapë këtë shans, apo do të prisni që të humbasë?
Jo, absolutisht. Ka një sindromë të pafrytshme brenda PS-së, gjë që ka dëmtuar imazhin, metodën dhe praktikën politike që kemi ndjekur, koalicionet ndoshta pak, por kanë dëmtuar edhe vetëm Ramën si imazh publik. Duket sikur PS-ja nga viti 2008 dhe në vazhdim ka vetëm një hall: si ta bëjë Ramën Kryeministër. E them këtë shumë qetë, Edi Rama do të jetë Kryeministër nëse PS fiton zgjedhjet dhe kjo nuk diskutohet, është kryetari i partisë. Por ky nuk mund të jetë i vetmi qëllim. Ky po kthehet në një hall. Ne nuk e kemi hall si ta bëjmë Ramën Kryeministër. Kjo është pasojë e ardhjes së PS-së në pushtet. Nëse PS vjen në pushtet në mënyrë të merituar, Rama bëhet Kryeministër në mënyrë të merituar. Kjo nuk është arsye për të ardhur në pushtet. Arsyeja është që Shqipëria të qeveriset me meritë, të jetë një vend që të qeveriset më mirë.
Nëse ju dhe Malaj zgjidheni në Kryesi, ndërsa Harasani dhe Islami jo, a mund të thuhet që anëtarësia e PS zgjodhi në mënyrë demokratike ata që i përfaqësojnë mirë edhe mendimet ndryshe në PS? A mund të thuhet se funksionoi demokracia e brendshme, apo do të flitet për një pazar të radhës në kupolën rozë?
Unë nuk flas për drekën para drekës. Nuk mund të flas para se kjo të ndodhë.
PS duhet të investohet për të dialoguar me maxhorancën për të zgjedhur një president konsensual, apo duhet ta lërë PD-në të “gabojë” në marrjen e një pushteti tjetër falë votave të mundshme 71 dhe ndryshimeve kushtetuese në vitin 2008?
Unë jam një nga ata që kam votuar ndryshimet kushtetuese dhe nuk kthehem mbrapa për të thënë që bëmë keq. Nuk hyj tek ata që bëjnë keq. Rama e ka më të lehtë të pendohet, sepse nuk ka votuar, sepse nuk ka qenë deputet. Për arsye të njohura unë nuk votoj për Bamir Topin, sepse nuk e kam bërë as në 2007-n, edhe sepse ishte nënkryetar i PD-së, por edhe sepse ishte i papërshtatshëm për detyrën. Mbetet i papërshtatshëm, pavarësisht se ka shumë socialistë sot që mendojnë se është më i mirë sepse është pak me ne.
Po thoni të njëjtën gjë që ka thënë Topalli…
Këto i kam thënë kur Topalli e votonte. Unë jam zënë me Topallin për Bamir Topin në prani të Bamir Topit. E dini ju çfarë mendon Topi për Gërdecin? Jo. Çfarë mendon për 21 janarin, që është ngjarje në bulevard? Jo, është vrasje në bulevard. Ky nuk është qëndrimi i një Presidenti. E dini ju çfarë mendon për zgjedhjet e 2009-s dhe 8 majin? Jo. Ky njeri u ka munguar datave kulmore të mandatit të tij, ka qenë gjithmonë në pozicion jashtë loje.
Rama: Problemin e kemi te vetja, fitorja varet vetëm nga ne
Pas kthimit nga Kosova, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, është ndalur në Kukës dhe Lezhë, ku ka marrë pjesë në punimet e asamblesë në këto dy qytete. Duke folur në këto takime, kreu i PS-së është shprehur se askush nuk është i panevojshëm në këtë parti. “Duhet t’i japim një hov të ri Partisë Socialiste në Kukës. Problemi është te vetja, të gjithë të japin kontributin maksimal, sepse secili ka diçka në dorë që gjërat të jenë ndryshe. Në një familje politike hyjmë për t’u bërë më të fortë. Nuk ka rëndësi nëse je një ish, nëse je një e ardhme, nëse je një burrë, nëse je një grua, nëse je me katër klasë shkollë apo me master, nëse je njëqind vjeç apo nëse je 16 vjeç, të gjithë kanë vendin e tyre në parti. Partia është një bashkim vullnetar dhe ne jemi në një llogore për të pasur përballë kundërshtarin”, theksoi Rama. Sipas tij, Partia Socialiste është në një periudhë shumë të rëndësishme ku duhet të organizohet për betejën e ardhshme zgjedhore.











