Blofi i policisë, 3.4 kg heroinë dalin paracetamol

Sep 28, 2011 | 13:05

Del paracetamol e kafetinë sasia prej 3.4 kilogramësh “miell” e sekuestruar në një operacion antidrogë pak ditë më parë në Tiranë, pas dyshimeve të policisë se lënda ishte heroinë. Për këtë shkak, edhe të arrestuarit si “trafikantë” të saj, mes të cilëve edhe një shtetas turk, u shpëtuan dyshimeve për trafik droge. Ata u akuzuan tashmë për “mbajtje, prodhim dhe transportim të substancave kimike” në bashkëpunim. Ndryshimi i akuzës u ligjërua dje nga Gjykata për Krimet e Rënda, ku të arrestuarit Edmond Gërxhani, Vebi Alioglu dhe Abdulla Kili u paraqitën për njohje me akuzat dhe caktimin e masës së sigurisë. Burime zyrtare të Gjykatës për Krimet e Rënda bënte të ditur dje se gjykata vlerësoi të ligjshëm arrestin në flagrancë për të tre të dyshuarit dhe caktoi ndaj tyre “arrest me burg”. Ndaj të dyshuarve Alioglu e Kili rëndon dhe akuza për “prodhim e shitje të narkotikeve” ndërsa për Gërxhanin ajo e “mbajtjes pa leje të armës luftarake”. Për shkak të ndryshimit të akuzës në lidhje me trafikimin e drogës, Gjykata për Krimet e Rënda e dërgoi dosjen për kompetencë në Gjykatën e Tiranës.
Operacioni ku u prangosën Gërxhani, Alioglu dhe Kili u zhvillua pasditen e së premtes në qarqet Korçë dhe Tiranë. Sipas Policisë, ata dyshoheshin të ishin të përfshirë në një linjë të trafikut të heroinës nga Turqia në Shqipëri.
AKUZA
Në një seancë me dyer të mbyllura, shtetasi turk, Vebi Alioglu, si edhe dy shqiptarët, Edmond Gërxhani dhe Abdulla Kili, u paraqitën dje te Krimet e Rënda para gjyqtares Nertina Kosova. Burime brenda seancës bënë të ditur se ishte vetë përfaqësuesi i akuzës në proces ai që kërkoi deklarimin e Gjykatës për Krimet e Rënda si gjykatë jokompetente për shqyrtimin e mëtejshëm të akteve të sjella nga prokuroria në lidhje me këtë çështje. Më herët, prokurori kishte paraqitur para gjyqtares dy akte ekspertimi kimik të lëndës së dyshuar si heroinë. Sipas këtyre dy akteve, pas kryerjes së analizave kimike, lënda e sekuestruar rezultonte të ishte një përzierje paracetamoli e kafetine, dhe jo drogë e llojit heroinë. Në përfundim, gjykata ka pranuar këtë kërkesë të prokurorisë dhe ka deklaruar moskompetencë. “Deklarimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, Tiranë, si gjykatë jokompetente për shqyrtimin e mëtejshëm të akteve të sjella nga Prokuroria për Krimet e Rënda, Tiranë dhe dërgimin e këtyre akteve Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë si gjykatë kompetente”, thuhej në vendimin e gjykatës.

Të arrestuar
Vebi Alioglu, shtetas turk

Edmond Gërxhani, shqiptar

Abdulla Kili, shqiptar

© Panorama.al

Te lidhura