Blof i Tiranës, ikën Kascelan

Jan 25, 2012 | 12:45

Nenad Kascelan nuk do të luajë për skuadrën e Tiranës. Madje, lojtarit të shumëpërfolur ditët e fundit nga drejtuesit e klubit si një “blerje e madhe”, i ka mjaftuar një seancë stërvitore 2-orëshe për të kuptuar ambientin mbytës që rrethon klubin, duke refuzuar qëndrimin. Malazezi është larguar që ditën e hënë në mbrëmje vonë, duke lënë shumë pikëpyetje për merkaton e bardhebluve. Duhet thënë se si asnjëherë më parë (aq sa nuk mbahet mend), Tirana nuk arrin të bëjë qoftë edhe një blerje dinjitoze për emrin që ka. Kujtojmë se vitin e kaluar, në merkaton e janarit u afruan as më pak dhe as më shumë se tre lojtarë, nga më të mirët në qarkullim: Jahmir Hyka, Gilman lika dhe Bekim Bala. Ndërsa sivjet, Tiranën e kanë refuzuar gjithashtu lojtarë të panjohur edhe për google.com, si: Cetkoviç, Kascelan, Bogunoviç e deri te Hysa, Sakaj dhe Kërçiku. Ka vetëm një arsye madhore, për të cilën nuk është arritur marrëveshja mes lojtarit malazez dhe KF Tiranës: paratë. Dhe besojini, nuk bëhet fjalë për shifra stratosferike, madje ato ishin shumë herë më të ulëta nga sa marrin si rrogë një pjesë e mirë e “senatorëve” të kësaj skuadre (I.Lika, G.Lika, Bala, Duro, etj). Burime të sigurta te Tirana bëjnë me dije se lojtari, pasi bëri stërvitjen me grupin ditën e hënë, u ul në bisedime për të firmosur kontratën. Ai ka kërkuar tre mijë euro rrogë në muaj, nga të cilat 5 mijë euro, paradhënie. Pra, deri në fund të këtij sezoni, lojtari kërkoi 12 mijë euro, nga të cilat 5 mijë paradhënie. Ndërsa drejtuesit e klubit kanë qenë dakord me kërkesat e lojtarit, por e kanë pasur të pamundur për t’i dhënë atij 5 mijë euro paradhënie. Sakaq, duhet thënë se Kascelan nuk ka pasur asnjë lloj pretendimi për kohëzgjatjen e kontratës, e cila i ishte lënë në dorë KF Tiranës. Por, me gjithë këto lëshime, drejtuesit bardheblu nuk kanë mundur t’i përgjigjen pozitivisht lojtarit, i cili nuk ka pritur as që të gdhihet dita e djeshme për t’u larguar nga Shqipëria.

Kascelan/Rubio “xhindoset” me drejtuesit
Nuk e ka pritur aspak mirë mosarritjen e akordit mes klubit dhe lojtarit malazez, Nenad Kascelan, trajneri i Tiranës, Hulian Rubio. Ky i fundit, ndonëse nuk e ka shprehur haptazi në media mendimin e tij, dje u ka pohuar drejtuesve të klubit (Salih Tagami dhe Alban Tafaj) se ndihet shumë keq që nuk u arrit marrëveshja me Kascelan. “Ai ishte një lojtar mjaft i mirë për këtë skuadër. Nga një burim i sigurt i “Panorama Sport”, tekniku Hulian Rubio mësohet t’u ketë thënë drejtuesve “Më mjaftoi një seancë stërvitore për ta kuptuar se me cilin kisha ta bëja. Ishte shumë herë më i mirë se të gjithë lojtarët që kam aktualisht në dispozicion”.

© Panorama.al

Te lidhura