Bllokohet për herë të katërt sheshi “Liria”

Mar 26, 2011 | 12:08

DURRËS – Bllokohen për të katërtën herë radhazi punimet ne sheshin “Liria”, në qendër të qytetit të Durrësit. Vetëm disa orë pas rifillimit të punimeve në sheshin “Liria”, Inspektorati Kombëtar Ndërtimor i ka bllokuar ato sërish. Këtë radhë Inspektorati i ka bllokuar punimet me argumentin se nuk ka certifikatë cilësie të materialit që po përdoret si dhe nuk ka rregulla të sigurimit teknik. Inspektorati ka vazhduar me bllokimin e punimeve në sheshin “Liria” të Durrësit dhe kjo ndërhyrje në këto punime është cilësuar si politike nga ana e kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako. Në lidhje me këto bllokime të vazhdueshme, Dako, nga sheshi “Liria”, ka deklaruar se “bëhet fjalë për bllokime politike nga pushteti qendror, i cili i ndërmerr këto veprime bllokuese nisur nga interesa partiake, duke mos pyetur për interesat e qytetarëve të Durrësit. Ka më se një muaj që janë bllokuar punimet për sheshin “Liria”, ndërkohë që me ligj ata mund të bënin pezullim vetëm për 10 ditë. Ne aplikuam për të marrë leje mjedisore, por nuk na jepet kjo leje, duke nxjerrë arsye absurde se kërkesa është firmosur nga nënkryetari, dhe jo nga kryetari. Sot që ne duam të fillojmë punë përsëri, vjen Inspektorati Kombëtar që të bllokojë punimet”. Dako pohoi se materiali është cilësor dhe nuk ka arsye reale për bllokim punimesh dhe nuk qëndron as fakti tjetër, pasi objekti është i rrethuar dhe punohet brenda rregullave të sigurisë teknike. Sipas tij, nëse do të vazhdojnë bllokimet, do të kërkojë nga qytetarët të ngrihen në protesta në mbrojtje të investimit.      l.m

© Panorama.al

Te lidhura