Bllokohen nga klubi, lojtarët, në “gjyq”

Jan 6, 2012 | 12:50

Tirana ne nje nga ndeshjet e saj

Tirana/ Drejtuesit u bllokojnë kartonët, çështja në Komisionin e Disiplinës.

Bardheblutë nuk paguhen prej tre muajsh, pritet eksod.

Drejtuesit bardheblu kanë pohuar se do të pengojnë largimin e lojtarëve, por këta të fundit janë përgjigjur se do të ankohen në Disiplinë, pasi nuk paguhen prej 3 muajsh. Hapja e merkatos dhe ultimatumi i disa titullarëve për t’u larguar nga skuadra nuk është përtypur nga drejtuesit e Tiranës. Këta të fundit për rrjedhojë u kanë bllokuar kartonët, duke refuzuar në mënyrë kategorike largimin e tyre. Mirëpo kjo gjë nuk bën gjë tjetër veçse acaron më shumë marrëdhëniet mes lojtarëve dhe klubit, e me shumë gjasa çështjet do të kalojnë në Komisionin e Disiplinës. Një pjesë e mirë e lojtarëve kanë ndërmend t’i futen rrugës gjyqësore, duke iu drejtuar kështu Disiplinës, e cila në rastin konkret sheh si të favorizuar lojtarët, duke qenë se këta të fundit kanë tre muaj pa u paguar (tetor, nëntor dhe dhjetor). Të mbështetur nga rregullorja, ata kanë shanse reale që të dalin të fituar. Për sqarim, në të gjitha kontratat e lojtarëve është shkruar se nëse ata nuk paguhen për më shumë se dy muaj, atëherë kanë të drejtë që ta zgjidhin menjëherë kontratën me klubin dhe të konsiderohen të lirë. Falë këtij rregulli edhe në sezonet e shkuara kanë qenë shumë futbollistë që kanë mundur të largohen nga një skuadër te tjera. Sakaq, nuk dihet ende se si do të marrë zgjidhje kjo çështje, ndonëse ngërçi i vetëm ka lindur prej krizës financiare. Nëse do të ketë garanci në këtë drejtim, lëvizjet janë më se të evitueshme, pasi shumica e bardhebluve e kanë shprehur hapur se nuk duan të largohen nga kryeqyteti. Siç dihet, bashkia ka dhënë garanci, mirëpo e vetmja gjë që presin është që të lëvrohet buxheti i vitit 2012. Por duke qenë se jemi në janar dhe ky “tregu” i merkatos është hapur, shumë prej bardhebluve mund të tundohen dhe të pranojnë ofertat që u kanë ardhur nga skuadra të tjera. Kujtojmë që dy ditë më parë Ahmataj i ka kërkuar zyrtarisht klubit prishjen e kontratës. Duke qenë se lojtari nuk ka marrë rrogat, ai ka menduar që kontrata të zgjidhet në mënyrë konsensuale. Elbasanasi ka folur me drejtuesit dhe duket i prerë për të ndërprerë marrëdhëniet, ndonëse krerët e klubit nuk e pranojnë një gjë të tillë. Tashmë Ahmataj pret të marrë dokumentacionin nga klubi bardheblu dhe më pas të niset drejt Turqisë, aty ku Flamurtari po kryen fazën përgatitore. Mbrojtësi i Tiranës ka takuar pak ditë më parë edhe drejtuesit e Flamurtarit dhe ka arritur akordin për të firmosur një kontratë 18-mujore me kuqezinjtë. Mirëpo ky nuk është rasti i vetëm, pasi edhe lojtarë si Ilion Lika, Gilman Lika, Bekim Bala dhe Arian Pisha, mendojnë largimin, në rast se nuk do të ketë një zgjidhje. Ofertat nuk u kanë munguar nga ekipe si Flamurtari dhe Vllaznia, ndaj marrja e një vendimi për t’u larguar nuk do të ishte i vështirë. Tani sapo është hapur merkatoja dimërore dhe kjo u krijon mundësi lojtarëve të gjejnë menjëherë skuadër tjetër. Tani mbetet vetëm reagimi i drejtuesve, që sigurisht duhet të jetë në vlerë monetare, në të kundërt, grupi rrezikon shpërbërjen.

Flamurtari: Muça kërkon Gilman dhe Ilion Likën
Flamurtari nuk dorëzohet, kërkon me ngulm që t’i marrë Tiranës tre nga elementët e saj më të vyer. Përveç Julian Ahmatajt, me të cilin tashmë është arritur një akord, në planet e vlonjatëve janë edhe Gilman e Ilion Lika. Ky i fundit kërkohet më ngulm, madje së fundmi në lojë është futur edhe vetë trajneri i kuqezinjve, Shkëlqim Muça. Tekniku duke e njohur mjaft mirë këtë lojtar dhe vlerat e tij, është futur edhe vetë në lojë. Muça ka shprehur hapur dëshirën që ka për të pasur portierin në skuadër, madje ka deklaruar se dyert e Flamurtarit për të do të jenë gjithnjë të hapura. Mësohet se kontaktet janë të vazhdueshme, madje telefonatat nga Vlora po shtohen. Ndonëse vetë Lika ende nuk e ka ndarë mendjen, pasi siç ka pohuar edhe vetë, opsioni i tij i parë mbetet Tirana. Ndërkohë, në plan të parë mbetet edhe Gilman Lika, paçka se ai ka një rrogë mjaft të lartë te Tirana (merr 70 mijë euro në vit te bardheblutë).

© Panorama.al

Te lidhura