Bllokimi i rrugëve, hetim 51 personave

May 21, 2011 | 11:11
Protestuesit duke djekur goma dhe divanë në Urën e Mifolit

Gomat e djegura kanë shoqëruar protestat e militantëve socialistë në disa qytete të vendit. Flakët dhe protestuesit nuk kanë lejuar qarkullimin e mjeteve në rrugët nacionaleForcat e policisë, ndonëse në gatishmëri, vetëm sa kanë shoqëruar protestuesit, duke identifikuar organizatorët dhe më aktivët e bllokimit të rrugëve. Që nga e enjtja mësohet se janë në procedim penal për këto ngjarje 51 persona nga disa rrethe, mes tyre dhe kryebashkiakë, pushtetarë vendorë dhe punonjës të administratës, me akuzat e “pengimit të qarkullimit të mjeteve të transportit”, “organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “prishje e qetësisë publike” si dhe “ndotje të ajrit”.
FUSHE-KRUJE
Djegiet e gomave shoqëruan protestën e socialistëve dhe militantëve të saj në Fushë-Krujë, duke bllokuar të gjitha lëvizjet drejt veriut të vendit dhe Kosovës. Protestuesit u mblodhën rreth 200 metra në veri të Urës së Fushë-Krujës, duke lëvizur drejt Mamurrasit. Me ta ishin deputetët Ilir Beqja, Paulin Sterkaj, Tom Doshi, Gjovalin Kadeli, Armando Prenga, Ndrec Deda e Gazmend Bizhga. Lëvizja e mjeteve të vogla është devijuar nga ane policisë në drejtim të rrugës nacionale të vjetër, ndërsa ato të tonazheve të mëdha janë bllokuar.
VLORE
Aksi Vlorë-Fier u bllokua edhe dje pranë Urës së Mifolit nga protestuesit socialistë. Prania e policisë ishte e shumtë, por deputeti Eltar Deda kërkoi që të largoheshin prej vendit të protestës policët civilë. Protestuesit kanë vendosur në rrugë goma automjetesh divane të vjetër, të cilëve u është vënë flaka. Ndërkohë, dhjetëra automjete nga të dyja anët e Urës së Mifolit kanë qëndruar të bllokuara për më shumë se dy orë. Policia njoftoi mbrëmë për nisjen e procedimit penal edhe për kryebashkiakun Shpëtim Gjika.
FIER
Siç ishte paralajmëruar një ditë më parë, sërish socialistët dhe simpatizantë kanë rifilluar protestën në mbrojtje të votës së lirë. Me parullat “Duam votën tonë” dhe “Të mbrojmë votën e lirë”, mbështetësit socialistë të udhëhequr edhe nga deputetët, kanë kërkuar të merren masa që vota e tyre të lexohet siç e parashikon ligji. Për të dytën herë radhazi, protestuesit bllokuan rrugën me goma automjetesh, ndërsa më pas u vunë zjarrin. SARANDE
Dhjetëra makinë të vogla janë nisur nga selia e PS, dega Sarandë, për t’u ndalur në Qafë-Muzinë, ku bllokuan qarkullimin e mjeteve. Sipas Gjergj Mërkurit, kryetar i PS rrethi Sarandë, janë rreth 300 vetë socialistë nga rrethi i Sarandës që tubojnë në mbrojtje të votës. Së bashku me socialistët e Sarandës ka qenë edhe deputetja e qarkut të Vlorës, Luiza Xhuvani dhe kryebashkiaku i sapozgjedhur, Stefan Çipa.
ELBASAN
Nën shoqërimin e policisë, militantët e PS-së së Elbasanit e nisën marshimin nga “Varrezat e dëshmorëve”, duke ecur rreth një kilometër rrugë deri në hyrje të qytetit e duke bllokuar aksin nacional Elbasan-Librazhd. Deputeti Ilir Bejtja i shoqëruar edhe nga deputetët e Elbasanit, si Valentina Leskaj, Skënder Hasa, Agim leka dhe Shegushe Ligori, kanë qenë edhe drejtuesit që prinin marshimin. Shiu që nisi me furi shpërndau dhe protestuesit.
GJIROKASTER
Socialistët në jug të vendit kanë bllokuar për gati dy orë aksin nacional Tepelenë-Gjirokastër. Pjesëmarrës në protestë kanë qenë edhe dy deputetët Arta Dade dhe Ethem Ruka. Gjatë zhvillimit të protestës nuk ka pasur incidente dhe policia e ka shoqëruar nga larg zhvillimin e saj. Në të dy anët e aksit nacional që lidh Gjirokastrën me pjesën veriore dhe jugore të saj, vargu i automjeteve, ka shkuar mbi 6 km.
BERAT
Në Poshnjë të Beratit u bllokua dje rruga për 2 orë, nga protestues që nuk lejonin lëvizjet në rrethet e këtij qarku. Protestuesit drejtoheshin nga deputetët e qarkut të Beratit dhe mbanin në duar parulla kundër Kryeministrit.
POGRADEC
Protesta e socialistëve është shtrirë edhe në juglindje të vendit. Në qytetin e Pogradecit, për të dytën ditë rresht janë tubuar mbështetës të kësaj partie së bashku me deputetë, të cilët e konsideruan këtë protestë si mbrojtje të votës. Simpatizantët e PS-së penguan lëvizjen e mjeteve në të dyja anët për të mos lejuar qarkullimin në rrugë nacionale në drejtim të Korçës e Kapshticës, por edhe drejt Tiranës. Ata dogjën goma gjatë tubimit të tyre, por ndërkaq nuk kanë pasur asnjë konfrontim me policinë.

Shmangen përplasjet me policinë në protestën para KQZ, nisin fjalimet

Partia Socialiste doli dje me një strategji të re në mbrojtje të votës. Ndryshe nga tri ditët e shkuara, socialistët dhe mbështetësit e tyre nuk u përplasën me policinë që mban të rrethuar institucionin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Përfaqësues të opozitës, kryetarë të partive opozitare, por dhe deputetë socialistë, kanë folur para protestuesve, të cilët dje kanë qenë gjatë gjithë ditës të qetë. Dy ditë më parë, pesë policë të forcave speciale u lënduan dhe u dërguan në spital pas përplasjeve me protestuesit para Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Strategjia e PS për të hequr dorë nga përplasjet me policinë ka ndryshuar para KQZ-së, ndërsa në qytetet e tjera të vendit ka vazhduar mosbindja civile, duke paralizuar akset kombëtare. Gjatë paradites së djeshme, para godinës së KQZ-së dhe në mes të protestuesve, deputeti socialist Namik Dokle u bëri thirrje me megafon protestuesve të mbështesin PS në këtë betejë. “Nuk mund të lejojmë që Shqipëria të shkojë në greminë. Do të mbrojmë votën tonë.. Nuk ka rrugë tjetër, fitorja është e jona nuk ka kush të na e vjedhë as Ristani e as Berisha. Ne do të rezistojmë për votën”, u shpreh Dokle, duke hapur kështu serinë e fjalimeve para turmës së mbështetësve e simpatizantëve të PS-së para KQZ-së. Gjatë pasdites, kur numri i protestuesve ishte më i madh, kanë folur me radhë deputetët Saimir Tahiri, Blendi Klosi, Taulant Balla etj.

Petro Koçi: Oligarkia do humbasë

Kreu i PSV ’91, Petro Koçi, tha dje gjatë fjalës së tij se fitorja e Ramës është vendosur nga populli. “Populli zgjedh, oligarkia do të humbasë, fitoren e popullit dhe të kandidatit të vet Edi Rama e do dhe Zoti me ato 10 vota. Kjo ishte fitore e madhe e demokracisë. Komisioni i vjedhjeve do të na thotë se në Shqipëri nuk fiton vota që hidhet në kutinë e saktë, po në atë të gabuarën. Ndërkombëtarët kanë thënë zbatoni ligjin dhe kjo seli është kthyer në seli të PD-së”, tha Koçi.

“Nuk do ta njohim qeverinë dhe institucionet e Berishës”

Sekretari i Grupit të Partisë Socialiste, Taulant Balla, paralajmëron bojkotin e institucioneve. Sipas tij, nëse nuk do të ndalet numërimi aktual për kryebashkiakun e Tiranës, atëherë edhe socialistët kanë planin e tyre. “Nëse Berisha nuk ndalet nga plani i tij për të ndryshuar rezultatin e Tiranës në tavolinë, ne nuk do të njohim as qeverinë e tij, as Parlamentin, asnjë institucion të kapur prej tij nga fyti. Ka fletë votimi me vula që nuk përputhen me procesverbalet. Fletë që gjenden në kutitë për kryetar minibashkie apo të këshillave bashkiakë që nuk përputhen me numërimet e raportuara me procesverbalet e mbyllura nga grupet e numërimit në çdo qendër votimi. Kjo është masakër elektorale që nuk do ta njohim”, thekson Balla. Ai i mëshon faktit se më 14 maj, ora 15:30, në sytë e të gjithë shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve ka përfunduar procesi i numërimit të votave për kryetarin e Bashkisë së Tiranës. “KQZ dhe KZAZ në Njësinë Bashkiake Nr. 5 mbyllën përfundimisht numërimin dhe shpallja e rezultatit nxori dallueshëm fitues Edi Ramën. KQZ-ja e Arben Ristanit dhe e Sali Berishës është konfirmim i faktit që aty po fabrikohet farsa e planifikuar për të ndryshuar në tavolinë rezultatin e Tiranës”, shton sekretari i Grupit socialist.

© Panorama.al

Te lidhura