
Plot 13 vjet pas rrëmbimit dhe zhdukjes së mistershme të biznesmenit Koço Dado, bashkëshortja dhe vëllai i tij kanë dhënë shpjegime në Gjykatën e Tiranës mbi rrëmbimin e tij. Suzana Dado ka rrëfyer se deri dy muaj pas rrëmbimit të bashkëshortit të saj në qershor 1998 në Tiranë, kishin marrë telefonata anonime dhe kaseta filmike të familjarit të tyre. Ndërsa Nikolla Dado, vëllai i biznesmenit të zhdukur, është shprehur se për rrëmbimin e të vëllait kishte folur edhe me ministrin e atëhershëm të Mbrojtjes. Sipas Nikolla Dados, ministri i kishte thënë se problemi nuk ishte një bandë kriminale, por struktura të organizuara të shtetit. Deklaratat në fjalë janë dhënë në Gjykatën e Tiranës gjatë shqyrtimit të kërkesës së Suzana Dados për shpalljen të vdekur të biznesmenit Koço Dado. Gjithçka paraqitet në vendimin e gjyqësor të shpallur nga një treshë gjyqtarësh e kryesuar nga gjyqtari Agron Zhukri, sipas të cilit është pranuar kërkesa për shpalljen e vdekjes së biznesmenit Dado. Gjykimi në fjalë ka nisur në dhjetor të vitit 2010 dhe ka marrë fund pak kohë më parë, pas 7 seancash gjyqësore. I ndjeri Koço Dado është rrëmbyer më 8 qershor 1998, në momentin që po dilte nga Shoqata e Biznesmenëve në Tiranës. Që nga ai moment e në vazhdim ai rezulton i zhdukur. Hetimet për rastin e tij nuk mundën të hidhnin dritë mbi ngjarjen. Kontaktet e fundit të familjes së biznesmenit me familjarin e tyre ishin disa kaseta filmike. Aty paraqitej biznesmeni në gjendje tejet të rënduar fizike, duke pohuar se bashkëpunimi i familjes së tij me policinë kishte vënë në rrezik jetën e tyre dhe të tijën. Në komunikimet telefonike grabitësit patën kërkuar sasinë e një milionë dollarëve në këmbim të lirimit të biznesmenit.
DEKLARIMET
“Në zyrën e gjendjes civile të Njësisë Bashkiake Nr. 2, i ndjeri Koço Dado figuron i regjistruar në regjistrat e të gjallëve dhe nuk është regjistruar vdekja e tij. Nga shpjegimet e kërkueses (Suzana Dado) në seancë gjyqësore rezulton se: ‘Më datë 08.06.1998 është rrëmbyer bashkëshorti im. Ky fakt është komunikuar nga organet e Policisë së Shtetit. Deri pas dy muajsh kemi pasur telefonata anonime dhe kaseta. Lajme nuk kemi pasur më, vetëm spekulime’. Gjykata, në bazë të nenit 380 të K. Pr. Civile, para se të vendoste në lidhje me shpalljen e vdekjes, përveç kërkueses, mori mendimin e të afërmve dhe të prokurorit. Nikolla Dado, i biri i Mistos, i ditëlindjes 1952, lindur dhe banues në Tiranë, i cili në lidhje me ngjarjen shpjegoi se: ‘Unë di që është rrëmbyer në datë 08.06.1998 nga disa persona të panjohur. Janë bërë telefonata në vende të ndryshme, me të cilët ka biseduar nipi dhe e shoqja, Suzana. Kam biseduar me ish-ministrin e Mbrojtjes të asaj kohe dhe më ka thënë që ky problem nuk është bandë kriminale, por janë struktura të organizuara të shtetit. Kam tentuar ta zbuloj çështjen, por jam penguar dhe emra personash nuk mund të them’”, citohet dëshmia e vëllait të biznesmenit në arsyetimin e vendimit të Gjykatës së Tiranës. Referuar dispozitave përkatëse ligjore, Gjykata e Tiranës vendosi të caktojë datën 01.07.1999 si datë vdekjeje të biznesmenit Dado. Në të njëjtin vendim, gjykata deklaroi si trashëgimtarë ligjorë të Dados, bashkëshorten dhe dy fëmijët e tij.
Hetimet për rrëmbimin, pa rezultat
Pengmarrja e Koço Dados ka qenë një nga ngjarjet më misterioze dhe të vështira për t’u zbardhur nga Policia shqiptare. Edhe pse krimi u krye ndaj një personazhi publik dhe në një ambient të hapur, autorët kishin qenë profesionistë. Ata vepruan shpejt dhe me kujdes, duke mos krijuar situata që mund t’i ekspozonin para dëshmitarëve të mundshëm të rrëmbimit. Gjatë gjithë kohës që biznesmeni mbahej peng, policia nuk arriti të bënte lokalizimin dhe shpëtimin e tij, por edhe pas ngjarjes autorët mbetën të panjohur. Rrëmbimi i Koço Dados është edhe sot një nga ngjarjet e mbetura pa autor në arkivat e Policisë shqiptare. Pista e rrëmbimit, siç mund të kuptohej lehtë, ishte gjobëvënia, mirëpo nuk kishte asnjë ide për autorët e mundshëm të krimit.
Pengmarrja një milion dollarëshe
Pengmarrja e biznesmenit Koço Dado ka qenë një nga ngjarjet më të rënda të vitit 1998. 45-vjeçari i rrëmbyer nga persona të panjohur ishte kryetar i Shoqatës së Biznesmenëve shqiptarë dhe një sipërmarrës i fuqishëm në profilin e tij. Nga momenti i rrëmbimit nuk dihet fati i tij, pasi nuk është arritur të gjendet asnjë shenjë e trupit apo e rrobave të biznesmenit. Në disa imazhe filmike të një kasete që autorët i dërguan policisë dukej se biznesmenit i kishin lidhur këmbët dhe duart dhe po ashtu i kishin mbështjellë sytë me natriban. Rrëmbyesit kërkonin një milion dollarë për lirimin e biznesmenit. Imazhet e tij ndodhen në një video dhe disa foto që autorët e ngjarjes ia dërguan familjes së biznesmenit pas rrëmbimit të ndodhur në Tiranë. Ngjarja kishte qenë e organizuar deri në detaje, ndërkohë që autorët patën guximin të regjistronin një video dhe më pas t’ua dërgonin familjarëve për t’i bërë të besonin se biznesmeni ishte rrëmbyer dhe kërcënimi për jetën e tij ishte serioz. Pavarësisht se kaseta dhe materialet e dërguara nga autorët ranë në duart e policisë, nga këto prova nuk qe e mundur të zbulohej autori i ngjarjes.
ARMAND BAJRAMI
© Panorama.al












