Vrojtimi i Bankës së Shqipërisë: Shërbimet e ndërtimi në pikën më të ulët historike, bie edhe industria
Individët: Do rritet papunësia, Biznesi: Nuk shtojmë prodhimin
Biznesi dhe konsumatorët janë në krizë. Sondazhi i Bankës së Shqipërisë tregon se qytetarët dhe sipërmarrësit në Shqipëri kanë kaluar një periudhë të vështirë ekonomike dhe presin përkeqësim të situatës në muajt e ardhshëm. Raporti pesimist, i prezantuar dje nga Banka, tregon qartë se kriza ekonomike, jo vetëm ka përfshirë të gjithë sektorët e vendit, por më keq akoma, pritet të ashpërsohet në muajt e ardhshëm. Asnjë nga tri sektorët e ekonomisë, industria, shërbimet dhe ndërtimi, nuk shohin rritje ekonomike në muajt vijues. Në të njëjtën linjë, edhe konsumatorët presin përkeqësim të punësimit dhe të të ardhurave. Asnjë nga industritë, më keq ajo e ndërtimit, nuk ka shfrytëzuar potencialin e vet, dhe as nuk pret ta rrisë këtë shfrytëzim në muajt e ardhshëm. E gjithë kjo situatë pesimiste ka bërë që treguesi i ndjesisë ekonomike, që matet nga Banka e Shqipërisë, të ulet me 7.8 për qind në tremujorin e fundit të vitit të kaluar, duke arritur nivelin 83.5. “Kjo rënie anuloi rritjen e shënuar në tremujorin e dytë dhe të tretë, duke e çuar nivelin e treguesit 16.5 pikë përqindjeje poshtë mesatares së tij afatgjatë”, thuhet në raportin e Bankës. I gjithë problemi i ekonomisë shqiptare është ulja e kërkesës dhe parashikimi për një përkeqësim të mëtejshëm. Në parashikimet e veta, Banka e Shqipërisë ka theksuar se ekonomia po rritet shumë më pak sesa kapaciteti i vet. Shifrat e djeshme tregojnë se kjo situatë, në mos do të përkeqësohet, pritet të vazhdojë e tillë edhe gjatë vitit të ardhshëm. Po nuk pati prodhim industrial, po nuk u aktivizua sektori i ndërtimit dhe shërbimeve, sigurisht që do të ketë papunësi në rritje dhe më pak para për konsumatorët. Këta të fundit, sipas raportit, presin përkeqësim të punësimit dhe të të ardhurave. “Kostoja mesatare e jetesës në tremujorin e katërt të vitit 2011 vlerësohet të jetë rritur”.
Parashikimet
Nuk ka dritë në fund të tunelit. Bizneset dhe individët në parashikimet e tyre nuk shikojnë shpresë për rritje ekonomike gjatë pjesës së parë të këtij viti. “Pritjet e sektorit të industrisë për tremujorin e parë të vitit 2012 tregojnë për një rritje të vogël të prodhimit industrial, të mbështetur nga rritja e kërkesës për eksporte. Pritjet e bizneseve të industrisë janë pesimiste për sa i përket rritjes së kërkesës së brendshme, gjendjes së përgjithshme të biznesit, si dhe mundësisë së punësimit, në tremujorin e parë të vitit 2012.” Edhe ndërtimi është pesimist. Biznesmenët e këtij sektori nuk shohin shpresë për rritjen e investimeve. “Pritjet për aspekte të ndryshme të biznesit si prodhimi, kërkesa dhe punësimi në tremujorin e parë të vitit 2012 janë negative. Rreth 85.4% e bizneseve ndërtuese nuk parashikon të kryejë investime të reja në gjashtëmujorin e ardhshëm.” Shërbimet vazhdojnë të kenë pak shpresë edhe për vitin 2012. Në raportin e Bankës theksohet se pritjet e bizneseve të shërbimeve janë pesimiste edhe për tremujorin e parë të vitit 2012. “Bizneset presin ulje të kërkesës për shërbime dhe keqësim të gjendjes së tyre të përgjithshme të biznesit. Pritjet për keqësim të situatës ekonomike janë më pak pesimiste sesa pritjet për aspekte të lidhura ngushtë me ushtrimin e aktivitetit të tyre.” Pjesa e fundit që plotëson tablonë e krizës janë parashikimet e individëve. Sipas Bankës, konsumatorët presin rritje të çmimeve në tremujorin e parë të vitit 2012 dhe gjatë 12 muajve në vijim. “Konsumatorët presin rritje të nivelit të papunësisë në gjashtëmujorin e ardhshëm. Bazuar në vlerësimet sasiore të konsumatorëve për normën e inflacionit pas 12 muajsh, vlera e pritur rezultoi 2.2 %, nivel ky i njëjtë me atë të shprehur në tremujorin e kaluar.”
Vlerësimet e raportit të Bankës sipas sektorëve
INDUSTRIA
“Vlerësimi i bizneseve të sektorit të industrisë për ecurinë e ekonomisë në total dhe për gjendjen e përgjithshme të bizneseve të tyre u keqësua gjatë tremujorit të katërt të vitit 2011”. Që nga 6-mujori i 2011-s, industria ka pasur vetëm përkeqësim. “Vihet re se vlerësimi i bizneseve të industrisë për situatën e përgjithshme të ekonomisë është më pesimist sesa për gjendjen e tyre të biznesit. Bizneset kanë vlerësuar në rënie kërkesën e huaj për produktet industriale në tremujorin e fundit të vitit 2011. Në linjë me zhvillimet e kërkesës dhe të çmimeve të prodhimit, gjendja financiare e bizneseve të industrisë është përkeqësuar në tremujorin e katërt të vitit 2011.”
Shfrytëzimi i kapaciteteve
Industria shfrytëzon vetëm 71.2 për qind të kapaciteteve. Pra, bizneset nuk punojnë me kapacitet të plotë, por me 30% më pak se sa kanë mundësi. Më keq akoma, për periudhën që vjen, pra për pjesën e parë të vitit, 83% e bizneseve nuk shikojnë mundësi për të rritur shfrytëzimin e kapaciteteve të veta, pra mundësive për prodhim. Ata e konsiderojnë kërkesën aktuale dhe prirjet për porosi si të pamjaftueshme për të rritur prodhimin.
NDËRTIMI
Industria e ndërtimit ra në pikën më të ulët që nga aplikimi i parë i sondazhit të besimit nga Banka e Shqipërisë. Treguesi i besimit nga biznesmenët e ndërtimit u përkeqësua me 7.2% në krahasim me një tremujor më parë. 2011-ta ishte një vit plotësisht krizë për këtë biznes. “Gjatë vitit 2011 vihet re një përkeqësim i vazhdueshëm i besimit në ndërtim, duke shënuar në tremujorin e fundit të vitit vlerën më të ulët historike, -26.2%. Si kërkesa, ashtu edhe situata e prodhimit, pra e ndërtimeve, janë vlerësuar negativisht. “Vlerësimi për këta dy përbërës të TBN-së është më i ulëti që prej fillimit të matjes së tij.” Pasojë e kësaj situate është rritja e papunësisë në ndërtim, duke sjellë edhe përkeqësimin historik të punësimit në këtë sektor.
Bizneset ndërtuese kanë ulur vlerësimin e tyre për situatën e përgjithshme ekonomike në vend dhe kanë vijuar të vlerësojnë negativisht gjendjen e përgjithshme të biznesit të tyre. Sipas sondazhit, kjo situatë është shkaktuar nga mungesa e lejeve të ndërtimit, korrupsioni dhe ekonomia informale.
Shfrytëzimi i kapaciteteve
Ndërtuesit përdorin vetëm 62.5% të kapaciteteve të tyre ndërtuese. Rreth 37% e mundësive që kanë ndërtuesit për të prodhuar, pra ndërtuar, nuk përdoret. Kërkesa e re dhe kontratat për 12 muajt e ardhshëm, e bëjnë edhe më pesimiste situatën për të ardhmen. Rreth 78.4 për qind e biznesmenëve nuk shohin mundësi për të rritur shfrytëzimin e kapaciteteve, pra për rritjen e prodhimit. “Ndër faktorët kryesorë që pengojnë shfrytëzimin e kapaciteteve në ndërtim, bizneset vijojnë të vlerësojnë pamjaftueshmërinë e kërkesës dhe kufizimet financiare. Gjendja financiare e tyre vijon të vlerësohet negative dhe në nivelet më të ulëta historike, e ndikuar në tremujorin e fundit dhe nga rënia e çmimeve.” Situata bëhet akoma më pesimiste, po të shikosh shifrën e investimeve të reja. Rreth 82,2 për qind e bizneseve të ndërtimit nuk kanë kryer investime të reja gjatë 6-mujorit të fundit. Shifër që fakton krizën e plotë të këtij sektori.
SHËRBIMET
Bizneset e këtij sektori e ulën me 10.4 për qind besimin në tremujorin e fundit, duke arritur në nivelin më të ulët që nga fillimi i matjes së tij. “Keqësimi është shkaktuar nga rënia e vlerësimeve të bizneseve për të tre komponentët përbërës të tij: gjendjen e përgjithshme të biznesit, për punësimin dhe për gjendjen financiare.” Bizneset e shërbimeve kanë një perceptim negativ për situatën ekonomike. Vlerësimi për kërkesën pati një rënie drastike gjatë tremujorit të fundit. “Rënia e kërkesës, së bashku me një rënie të theksuar të çmimeve të shërbimeve, ndikuan në keqësimin e gjendjes financiare të bizneseve të shërbimeve në tremujorin e katërt të vitit 2011.”
Shfrytëzimi i kapaciteteve
Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve në sektorin e shërbimeve regjistroi vlerën 70.8 për qind, e cila përkthehet në një rënie me 7.7 pikë përqindjeje. Parashikimet janë akoma më pesimiste. Rreth 91.4 për qind e bizneseve mendojnë se niveli aktual i shfrytëzimit të kapaciteteve të tyre është i mjaftueshëm, duke konsideruar nivelin aktual të kërkesës dhe porositë në të ardhmen. Si rrjedhim, edhe investimet e reja gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 2011, si dhe planet për investime të mundshme gjatë këtij viti, janë në nivele shumë të ulëta.”
KONSUMATORËT
Në fund gjithçka është në dorë të konsumatorëve. Këta të fundit duhet të jenë të aftë ekonomikisht të blejnë prodhimet e industrisë, ndërtimit apo shërbimeve. Por edhe konsumatorët kanë shfaqur tendenca të qarta mosbesimi dhe ulje konsumi. Raportohet se besimi i tyre në ekonomi është rritur, por kjo ka ardhur kryesisht nga përmirësimi i balancës mbi blerjet në shuma të mëdha. “Nga ana tjetër, balanca e pritjeve mbi situatën financiare të familjeve në tremujorin e ardhshëm shënoi një rënie të lehtë në terma tremujorë me rreth 0.7 pikë përqindjeje”.
Banka raporton se vlerësimi i konsumatorëve për situatën financiare të familjeve të tyre dhe situatën e përgjithshme ekonomike në vend pësoi rënie në krahasim me rritjen e regjistruar gjatë dy tremujorëve paraardhës. Kostoja mesatare e jetesës në tremujorin e katërt të vitit 2011 vlerësohet të jetë rritur, si në krahasim me tremujorin e mëparshëm, ashtu edhe me një vit më parë.”
FMN, më optimiste se në 2011-n
Fondi Monetar Ndërkombëtar, në artikullin e fundit të publikuar për vendin tonë në muajin tetor, pas konsultimeve të bëra me qeverinë, rezulton të jetë më optimist në parashikimin e rritjes ekonomike. Për këtë vit FMN pret që ekonomia shqiptare të rritet me 3.5 për qind, kurse për vitin e kaluar kjo shifër ishte 2.5 për qind. Edhe pse shifër më optimiste, sërish FMN-ja është larg parashikimeve të bëra nga qeveria për rritjen ekonomike. Më herët, ky institucion këshilloi qeverinë të marrë parasysh parashikimet e bëra prej tij e BB, pasi kanë rezultuar më afër reales.
BB, në 2012-n rritje 2%
Parashikimi i Bankës Botërore për rritjen ekonomike të vendit tonë për këtë vit është jo më optimisti, por as më pesimisti. Për 2012-n, Shqipëria pritet të ketë një rritje 2 për qind, edhe pse kjo shifër është larg asaj që pret qeveria dhe që ka deklaruar në buxhet. Rritja ekonomike në nivelin 2 për qind konsiderohet se është afër mesatares së rajonit, e cila shkon 2.1 për qind. Por ekspertë të Bankës Botërore pak ditë më parë deklaruan se parashikimet e bëra kanë marzh të lartë gabimi, për shkak të zhvillimeve të paparashikueshme që ndodhin çdo ditë.
NERTILA MAHO
© Panorama.al











