Në vazhdën e takimeve me ambasadorët e një sërë vendesh, ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës Edomond Haxhinasto ka takuar dje ambasadorin e Austrisë, Florian Raunig. Gjatë këtij takimi ata biseduan rreth bashkëpunimit aktual që kanë dy vendet, sidomos në aspektin ekonomik. Ministri Haxhinasto ka vënë theksin në prezencën që bizneset austriake kanë në vendin tonë, duke u renditur në vendin e tretë për sa u takon investimeve të huaja direkte. Sipas kreut të METE, aktiviteti i tyre shtrihet në një sërë sektorësh të rëndësishëm, siç janë energjia, minierat apo sektori bankar. Në vijim, Haxhinasto dhe Raunig ranë dakord që të forcojnë përpjekjet në funksion të rritjes së shkëmbimeve tregtare mes Shqipërisë dhe Austrisë. Zëvendëskryeministri dhe ministri i Ekonomisë prej ditësh, që nga emërimi i tij në pozicionin e ri në kabinetin qeveritar, është duke zhvilluar takime me ambasadorë të ndryshëm, por edhe përfaqësues kompanish investitorë në vend. Ditën e sotme Haxhinasto pritet që të shpalosë para mediave edhe prioritetet që do të ketë Ministria e tij në vijim.











