Bizneset, 30 mijë drejtohen nga gratë

Mar 30, 2011 | 10:03

Fuqizimi ekonomik i grave. Ky ishte thelbi i  tryezës së djeshme kushtuar femrave biznesmene. Në të ishin të pranishëm edhe përfaqësues të Ministrisë së Punës. Sipas tyre, sektori prodhues në vend, shumicën e punonjësve e ka femra. “Vetëm gjatë vitit 2010 janë punësuar rreth 51,1% gra nga numri total i punëkërkuesve. Por, pavarësisht këtyre arritjeve, barazia gjinore në Shqipëri mbetet një sfidë për t’u realizuar”, tha ministri i Punës, Spiro Ksera, në ceremoninë e çeljes së panairit në Tiranë “Fuqizimi ekonomik i gruas – fuqizimi ekonomik i Shqipërisë”.”I është kushtuar rëndësi përfshirjes së femrave nga grupet e veçanta si rome, me aftësi të kufizuara, të trafikuara, të divorcuara, me probleme sociale dhe ato mbi 35 vjeçe. Ndonëse numri i bizneseve të mesme dhe të mëdha të drejtuara nga gratë është ende i vogël, ato që po zhvillohen po tentojnë suksesin e sigurt”, tha Ksera. Panairi u organizua me mbështetjen e USAID-it, Dhomës Amerikane të Tregtisë, si dhe Shoqatës së grave profesioniste, afariste e zejtare. Në panair marrin pjesë rreth 45 subjekte tregtare, nga zona të ndryshme të vendit, të cilat pasqyrojnë punën e femrave shqiptare.

© Panorama.al

Te lidhura