
Vendimi i fundit i qeverisë e bën totalisht elektronik komunikimin mes tatimeve dhe biznesit. Duke sqaruar procesin e ri, i cili hyn në fuqi më datë 1 janar 2012, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve nënvizon se nga kjo kohë 95% e komunikimit mes biznesmenëve dhe Tatimeve do të jetë vetëm me anë të internetit. “Është për t’u theksuar se i gjithë biznesi në Shqipëri do të ketë më shumë se 95% të komunikimeve dhe kontakteve me Administratën Tatimore vetëm nëpërmjet formës elektronike dhe portalit të tatimeve www.tatime.gov.al, duke i ofruar lehtësira biznesit që të deklarojë kudo që ndodhet, si dhe duke ulur ndjeshëm korrupsionin në administratë (pasi nuk do të kenë kontakt midis inspektorëve dhe individëve)”, thuhet në sqarimin e Tatimeve.
Ndryshimet
Me mbledhjen e fundit të qeverisë është vendosur detyrimi ndaj të gjithë bizneseve (të mëdha dhe të vogla) që mbas datës 01/01/2012 të deklarojnë vetëm nëpërmjet formës elektronike të gjitha deklaratat dhe dokumentet tatimore. Sipas Tatimeve, ndryshimi është që ndër dokumentet e tjera, të cilat janë të detyrueshme të dorëzohen pranë Administratës Tatimore, për biznesin janë edhe listëpagesat (borderotë), të cilat dorëzohen në formë shkresore nga biznesi. “Duke vlerësuar shumë seriozisht dhe me kujdes procesin e deklarimit të listëpagesave, Administrata Tatimore ka projektuar dhe zhvilluar me sukses deklarimin e listëpagesave në formë elektronike. Në kuadër të këtij projekti është zhvilluar moduli i deklarimit elektronik, i cili i jep mundësinë çdo biznesi të deklarojë listëpagesën në formë elektronike, modulin e vlerësimit të të dhënave të listëpagesave për Administratën Tatimore, si dhe modulin e shkëmbimit të të dhënave në format elektronik me institucionet ISSH, ISKSH dhe DPGJC”, theksohet në sqarimin e Tatimeve. Elementi kyç për deklarimin e listëpagesave është numri personal i çdo individi, duke e konsideruar këtë si numër fiskal dhe unik për çdo individ, bazë nga e cila do të përllogariten përfitimet nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore. “Zhvillimi i pagesës elektronike për çdo deklaratë do të ulë ndjeshëm kohën që shpenzon çdo biznes për të bërë deklarimin dhe pagesën për llogari të Tatimeve, për rrjedhojë do të ulë kostot administrative të çdo biznesi në Shqipëri.”
Deklarata individuale
Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, aktualisht po kryhet përgatitja për sistemin e deklarimit personal të çdo individi. Ky sistem po konceptohet për të dhënë mundësinë e deklarimit në formë shkresore, me postë dhe elektronike. Bëhet fjalë për deklarimin e të ardhurave dhe shpenzimeve brenda datës 30 prill 2012. Sipas udhëzimit, deklarimi i të ardhurave do të bëhet nga të gjithë qytetarët që janë në marrëdhënie pune apo kanë të ardhura nga burime të tjera. “Të vetëpunësuarit rezidentë, vendës ose të huaj, të cilët realizojnë të ardhura nga veprimtaria e biznesit të vogël, krahas deklaratës për biznesin e ushtruar, e cila duhet dorëzuar deri në datën 31 mars të vitit pasardhës, duhet të plotësojnë për pjesën e fitimit pas tatimit (të përfituar në formën e të ardhurave personale) edhe deklaratën individuale vjetore të të ardhurave, sikurse dhe individët e tjerë, jo më vonë se data 30 prill e vitit që pason periudhën tatimore për të cilën bëhet deklarimi”, sanksionon udhëzimi. Shpenzime të zbritshme për qytetarë do të quhen ato për kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore, si dhe kontributet vullnetare të pensioneve, shumat e interesit bankar të kredisë së marrë për shkollim, për vete apo për fëmijët dhe personat në kujdestari, shpenzimeve të zbritshme për mjekim, për vete apo për fëmijët dhe personat në kujdestari. Qeveria ka përcaktuar se maksimumi i shpenzimeve të zbritshme për pjesën e mjekimit është 8 mijë e 532 lekë, ndërkohë që për një familje shpenzimet nuk duhet të kalojnë vlerën 32 mijë lekë gjithsej. Në fund të vitit, nëse rezulton që qytetari ka paguar më shumë taksa, sesa rezulton detyrimi i tij nga deklarimi, atij i kthehet diferenca nga Tatimet.
Çfarë deklarohet on-line
. Deklarimi dhe pagesa e TVSH-së. Deklarimi dhe pagesa e tatimit mbi të ardhurat nga punësimi
. Deklarimi dhe pagesa e tatimit mbi fitimin
. Deklarimi dhe pagesa e kontributeve për sigurimet shoqërore e shëndetësore
. Dokumente tatimore, librat e blerjes dhe të shitjes
. Deklarimi dhe pagesa e tatimit mbi të ardhurat personale të biznesit të vogël
. Listëpagesa e kontributeve të sigurimeve shoqërore, shëndetësore dhe tatimit mbi të ardhurat nga punësimi
NERTILA MAHO
© Panorama.al











