Sekretari amerikan i Shtetit, Marko Rubio, deklaroi se takimi i sotëm me delegacionin ukrainas në Florida ishte “shumë produktiv dhe i dobishëm”, por theksoi se përpara ka ende shumë punë.
Sipas raportimit të CNN, Rubio tha se takimi i së dielës mes zyrtarëve të lartë amerikanë dhe atyre ukrainas solli “përparim të mëtejshëm”, megjithëse procesi mbetet i vështirë. “Ne vazhdojmë të jemi realistë për vështirësitë, por ndërsa ka përparim, ekziston një qëndrim i përbashkët se objektivi nuk është vetëm përfundimi i luftës — edhe pse jashtëzakonisht i rëndësishëm, por edhe garantimi i një të ardhmeje më të sigurt dhe më të begatë për Ukrainën”, tha Rubio pas takimit që zgjati mbi pesë orë në Florida.
Ai sqaroi se palët po punojnë jo vetëm për kushtet që do të sillnin fundin e armiqësive mes Ukrainës dhe Rusisë, por edhe për “kushtet që do të siguronin mirëqenie afatgjatë për Ukrainën”. Rubio shtoi se bazat për këtë proces nisën javën e kaluar në Gjenevë dhe u pasuan nga komunikime intensive gjatë gjithë javës. “Sot ndërtuam mbi atë që u arrit, por mbetet ende shumë punë”, u shpreh ai.
Rusia, pjesë kyçe e formulës – bisedimet mbeten të brishta
Rubio nënvizoi se Rusia do të ketë rol qendror në çdo marrëveshje finale për t’i dhënë fund luftës, duke i quajtur bisedimet aktuale “të brishta”. Në takimin në Miami ishin të pranishëm edhe i dërguari i posaçëm Steve Witkoff dhe dhëndri i presidentit Donald Trump, Jared Kushner.
“Është një proces delikat dhe kompleks”, tha Rubio, duke theksuar se “ka shumë elementë në lëvizje dhe natyrisht ekziston një palë tjetër që duhet të jetë pjesë e ekuacionit”. Ai konfirmoi se presioni diplomatik amerikan do të shtohet këtë javë, me Witkoff që pritet të udhëtojë drejt Moskës për bisedime të tjera.
Rubio tha se SHBA kanë pasur kontakte në nivele të ndryshme me palën ruse dhe “kanë tashmë një kuptim të mirë të pozicioneve të tyre”.
Burime ukrainase: Bisedimet nuk janë të lehta, por konstruktive
Më herët, një burim pranë delegacionit ukrainas deklaroi për agjencinë franceze se negociatat në Florida nuk po zhvillohen lehtësisht, ndërsa një tjetër burim me njohuri të drejtpërdrejtë i vlerësoi ato si konstruktive, duke shtuar se janë prekur edhe çështje “më delikate”.
“Procesi nuk është i lehtë, sepse kërkimi i formulimeve dhe zgjidhjeve të pranueshme vazhdon”, tha burimi ukrainas, por shtoi se diskutimet ishin “konstruktive” dhe se “të gjithë synojnë një rezultat konkret që do të shërbejë si bazë për negociatat e ardhshme mes SHBA-së dhe Rusisë”.
SHBA synojnë finalizimin e pikave përpara udhëtimit në Moskë
Një tjetër burim i lartë, i informuar për negociatat, konfirmoi për AFP se pala amerikane kërkon që “pikat finale të planit të bien dakord sa më parë, në mënyrë që të mund të shkojnë në Moskë”.
Sipas të njëjtit burim, formula diplomatike mbetet e ndërlikuar sidomos për çështjet territoriale, pasi SHBA pozicionohen si ndërmjetës dhe jo si palë e anuar pro Kievit. “Gjetja e formulimeve të pranueshme krijon vështirësi”, tha ai, duke theksuar megjithatë se të gjitha palët po përpiqen të jenë konstruktive dhe të gjejnë një zgjidhje.
© Panorama.al












