BinzesAlbania: Ja barrierat e biznesit

Dec 24, 2011 | 12:57
Presidenti i “Biznes Albania”, Luan Bregasi

Biznesi vendës nuk operon në kushtet më të mira të mundshme dhe kjo për shkak të një sërë barrierave që ekzistojnë. Një anketë e BiznesAlbania, në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Punës, ka kaluar në skaner për të marrë informacion 500 sipërmarrje në gjithë vendin lidhur me problemet që hasen sot në zhvillimin e aktivitetit të tyre. Prezantimi i të dhënave të këtij studimi u bë gjatë një aktiviteti ditën e djeshme. Presidenti i BiznesAlbania, Luan Bregasi, i cili u shpreh se arsyeja e marrjes së një nisme të tillë lidhet me identifikimin e plotë të barrierave të biznesit. Në këtë mënyrë, sipas Bregasit, edhe qeverisë i vihet në dispozicion një listë problematikash të cilat mund t’i shërbejnë asaj për të reaguar me politikat e saj. Ai ka theksuar se përgjithësisht biznesi e ka parë me pozitivitet çdo hap të qeverisë për lehtësimin e burokracive apo krijimin e faciliteteve që burojnë nga aplikimet elektronike. Megjithatë, problemi që reflektohet nuk lidhet me procedurën, por me mënyrën se si vepron administrata. “Regjistrimi online i biznesit, pagimi online i detyrimeve fiskale, regjistrimi dhe licencimi elektronik janë disa nga hapat e vlerësuara edhe nga sipërmarrja private. Por nga ana tjetër, nga anketimet rezulton se një pjesë e administratës, që ka lidhje me biznesin, sillen jo mirë, sajojnë probleme dhe inkurajojnë qëndrime që mërzisin biznesin dhe sipërmarrjen private”, u shpreh Bregasi.
Studimi
Korrupsioni i administratës duket se është shqetësimi më i madh i biznesit në vendin tonë. Nga studimi i BiznesAlbania rezulton që 97.8 për qind e të anketuarve kanë cilësuar korrupsionin dhe krimin e organizuar si një barrierë kyçe, më pas vjen efikasiteti i ulët i administratës shtetërore dhe gjyqësori, e pas kësaj edhe presioni ndaj biznesit, mitmarrja, arbitrariteti dhe kontrollet për efekt presioni. Numri i barrierave të renditura është i madh, por ajo që e shqetëson më pak biznesin mes gjithë këtyre është infrastruktura e papërshtatshme. Studimi bën edhe një krahasim të barrës fiskale që ka biznesi shqiptar, krahasuar me bizneset në vendet e rajonit. Duke iu referuar Bankës Botërore, studimi vlerëson se në Shqipëri rreth 38.5 për qind e fitimit shkon taksa në arkën e shtetit, ndërsa për vendet e rajonit kjo barrë është më e ulët. Në fakt, nga anketat me bizneset del në pah edhe pesimizmi i këtij të fundit lidhur me ecurinë e vitit 2012. Pyetjeve lidhur me punësimin, shumica i janë përgjigjur që presin që numri i të punësuarve të ulet, kurse lidhur me investimet e tyre, bizneset nuk presin që të ketë ndonjë ndryshim krahasuar me 2011-n. Studimi në fund nuk jep vetëm problematikat, por edhe disa rekomandime të rëndësishme të BiznesAlbania, që synojnë të eliminojnë një pjesë të barrierave që has biznesi sot.

Kerkesat per Qeverine
•    Qeveria Shqiptare dhe ligjvënësi duhet të miratojnë sa më shpejt Gjykatën Administrative.
•    Të rishikohet ligji për “Prokurimin publik” dhe përmirësimin e tij.
•    Të krijohet dhe funksionojë Agjencia e Arbitrazhit, sipas njërit prej modeleve të vendeve të rajonit, si një ent kombëtar për zhvillimin e dialogut social dhe zgjidhjen e konflikteve midis aktorëve të trepartitizmit.
•    Të studiohen mundësitë dhe përvojat e realizimi i Komitetit Ekonomik e Social i Shqipërisë, si bashkim i natyrshëm i Këshillit Konsultativ të Biznesit dhe Këshillit Kombëtar të Punës, i cili të funksionojë në bazë të një ligji specifik, bazuar në një nga vendet e BE-së.
•    Qeveria Shqiptare të vazhdojë të ulë, ose në rastin më të mirë, të barazojë barrën fiskale të sipërmarrjes shqiptare me atë të rajonit dhe të vendeve të BE-së, për t’i bërë bizneset shqiptare konkurruese në rajon e më gjerë.
•    Qeveria duhet të ndërhyjë me mekanizma ligjore për të shmangur diskriminim e bizneseve, që kanë nevojë për kapital bankar. Është koha për një moratorium të biznesit të bankave me biznesin që kreditohet, pra, për një marrëdhënie të re të sipërmarrjes me bankat tregtare.
•    I propozojmë qeverisë krijimin e fondeve të investimeve me para publike ose të donatorëve për t’i ardhur në ndihmë sipërmarrjes në kushtet e krizës globale.
•    Banka e Shqipërisë të ndikojë nëpërmjet mekanizmave ligjore në uljen e kostos së kreditimit dhe të shërbimeve të bankave.
•    Të shikohet mundësia e ndryshimeve ligjore në ligjin “Për Bankën e Shqipërisë” në kontekstin e përbërjes së Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë dhe të pjesëmarrjes së biznesit në këtë Këshill.
•    Qeveria shqiptare të respektojë investimet miliona dollarëshe të donatorëve dhe institucioneve të huaja për trajnimin e burimeve njerëzore të administratës publike, dhe në këtë kuadër, respektimin rigoroz dhe pa ekuivokë të Statusit të Nëpunësit Civil.
•    Propozojmë përfshirjen në autoritetin e Shërbimit Civil të Republikës.

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura