Bin Laden u spiunua nga burgu, 40 minutat e aksionit final

May 3, 2011 | 9:41
Dhoma ku u vra osama bin laden ne kompleksin e tij ne qytetin Abutabad

CIA e ka ndjekur operacionin “live” nga zyrat e saj. I kanë bërë thirrje Osama bin Ladenit të dorëzohet, ai ka refuzuar dhe më pas ata kanë dhënë urdhër, ai u qëllua në kokë. Pas kësaj, në zyrat e CIA-s ka pasur duartrokitje.Operacioni që çoi në vrasjen e liderit të Al Kaedës, Osama bin Laden, mori formë pasi të burgosurit në Guantanamo kanë identifikuar një korrier të besuar të Bin Ladenit, si dikë që kishte jetuar dhe e kishte mbrojtur atë. Ai korrier u bë “udhërrëfyesi” kryesor në gjetjen e Bin Ladenit, sipas zyrtarëve amerikanë. Operacioni kishte nisur katër vite më parë, kur zyrtarët zbuluan identitetin e korrierit. Dy vjet më parë hetuesit identifikuan zonën e Pakistanit, ku korrieri jetonte bashkë me të vëllain. Në gusht të vitit 2010, u gjet rezidenca e korrierit dhe vëllait të tij në Abutabad, dhjetëra kilometra larg kryeqytetit Islambad. Në shtator 2010, CIA punoi me Presidentin Barak Obama “mbi një sërë vlerësimesh që të bënin të besoje se fakti ishte i mundur”, Bin Laden mund të ishte në rezidencën në Abutabad. Në shkurt të këtij viti, zyrtarët amerikanë dolën në përfundimin se kishte “një bazë informacioni” për ndjekjen e Bin Ladenit atje. Gjatë muajve mars dhe prill, Presidenti Barak Obama ka mbajtur një sërë takimesh me Këshillim Kombëtar të Sigurisë “për të zhvilluar aksionin për ta sjellë Osama bin Ladenin para drejtësisë”. Ka pasur të paktën pesë takime të Këshillit mbi këtë çështje: më 14 dhe 29 mars, 12, 19 dhe 28 prill. Më 29 prill 2011, Presidenti Obama dha urdhrin përfundimtar për operacionin. Më 2 maj 2011, pas shumë muajsh vendimmarrjesh dhe planifikimi, një skuadër ushtarake amerikane, e përbërë prej 24 ushtarësh elitë, drejtoi një helikopter të vogël në kompleks. Tre helikopterë të tjerë të “U.S. Navy SEAL”, skuadra që kryen këtë operacion, u përfshinë në mision.
Skuadra ka qëndruar në kompleks për 40 minuta. Nuk u ndesh me ndonjë autoritet lokal gjatë kohës së qëndrimit. Bin Laden rezistoi dhe vdiq gjatë shkëmbimit të zjarrit. Ai mori një plumb në kokë. Bashkë me të u vranë edhe tre meshkuj të tjerë. Dy prej tyre besohet se ishin korrierë dhe një tjetër një prej djemve të Bin Ladenit. Një grua e përdorur si mburojë u vra dhe dy të tjera u plagosën. Një helikopter i forcave amerikane u dëmtua për defekt teknik. Shërbimet sekrete amerikane nuk bashkëpunuan me Pakistanin apo vende të tjera për këtë aksion, por i njoftuan vetëm pasi përfundoi. Sipas zyrtarëve, operacioni ka përfunduar rreth orës 3:30 të mëngjesit me orën lokale.  Fillimisht identifikimi i Bin Ladenit u bë vetëm nga fytyra dhe, bazuar në portretin e tij, amerikanët deklaruan fillimisht se e kishin ata trupin. Kjo ngriti polemika mbi vërtetësinë e lajmit, pasi shumë herë ishte menduar se Bin Ladeni ishte vrarë. Disa nga gratë e tij ndodheshin në kompleks dhe njëra prej tyre e kishte thirrur në emër, duke vajtuar përpara se të arrestohej nga forcat pakistaneze, të cilat kishin mbërritur, vetëm pasi i kishin njoftuar amerikanët. Gratë që ndodheshin aty bashkë me disa nga fëmijët e tij u arrestuan. Konfirmimi përfundimtar se Bin Laden kishte vdekur, u bë pas analizave të ADN-së. Testet e ADN-së kanë konfirmuar se Osama Bin Laden është personi që ka vdekur.

Familjarët e viktimave

Osama bin Laden “ishte djalli vetë dhe bota jonë është një vend më i mirë pa të”, ky ishte komenti i Gordon Felt, president i shoqatës “Familjarët e fluturimit 93”, një nga katër avionët e rrëmbyer për sulmet e 11 shtatorit, i cili u përplas me 44 persona në bord në një fushë pranë Shanksvill, Pensilvani, përpara se të mbërrinte në objektivin e tij, Uashington.

3519 dite
3.519 ditë pas sulmeve të 11 shtatorit 2001, ku humbën jetën 3000 njerëz, u vra një nga dhjetë terroristët më të kërkuar në botë, Osama Bin Laden.

Vendi ku jetoi në Pakistan

Banesa e fundit e Bin Ladenit

Një fortesë prej një milion dollarësh. Kjo ishte rezidenca e fundit e liderit të Al Kaedës, në Abutabad, në veri të Islamabadit, Pakistan. Një funksionar i Shtëpisë së Bardhë tha: “Mbetëm të shokuar nga ajo që pamë, një kompleks vërtet i jashtëzakonshëm dhe unik. Struktura ka një vlerë rreth një milion dollarësh, por nuk kishte as lidhje telefonike dhe as internet. Struktura kryesore, një ndërtesë me tri kate kishte pak dritare që kanë pamje në pjesën e jashtme të kompleksit. Një tarracë në katin e tretë, kishte një mur mbrojtës rreth dy metra të lartë”. Një zyrtar tjetër amerikan tha se ndërtesa ishte krijuar pothuaj para gjashtë vjetësh. Ajo ishte dizajnuar posaçërisht për një njeri me problemet e Bin Ladenit. Ishte e rrethuar me mure të larta betoni dhe me tela me gjemba e mbrohej nga dy porta sigurie. Bin Laden besohet se u strehua në të në vitin 2005. 22 njerëz jetonin në ndërtesë dhe të gjithë ata që mbetën gjallë pas aksionit të amerikanëve janë arrestuar nga policia pakistaneze. Në ndërtesë është gjetur një sasi e konsiderueshme materiali që po ekzaminohet nga CIA. Dokumenti i identitetit të pronarit të vilës rezultoi fals. Lider i Al Kaedës tani do të jetë Ayman Al Zauahiri. Askush nuk e di vendndodhjen e terroristit egjiptian dhe FBI ka vendosur një shpërblim 25 milionë dollarësh për kapjen e tij.

Misteri i varrimit në det

Vrasja e Bin Ladenit u konfirmua nga analizat e ADN-së, por mbeti mister mënyra e “përcjelljes” së tij. Mediat amerikane, bazuar secila në burimet e veta zyrtare, kanë dhënë informacione të ndryshme mbi vendndodhjen e kufomës së liderit të vrarë të Al Kaedës. Sipas “Fox news” ai u varros dje në pajtim me traditat islame. Islami kërkon që kufoma e të vdekurit të varroset brenda 24 orëve nga vdekja. Kjo agjenci njoftoi se trupi i krijuesit të Al Kaedës gjendej deri pasdite nën kontroll të rreptë në bazën amerikane në Afganistan. Sipas “Fox news”, trupi mund të dërgohej në Arabinë Saudite për varrim. Por, ndryshe raportoi “New York Times”, sipas së cilës trupi i terroristit ishte dërguar nga Pakistani në Afganistan dhe ishte varrosur “në ujë”. Thuhet se Arabia Saudite kishte refuzuar të pranonte trupin e Bin Ladenit nga frika se vendi do të kthehej në pelegrinazh për terroristët. Sipas një zyrtari amerikan “është vështirë të gjendet ndonjë vend që do të pranonte mbetjet mortore të Bin Ladenit dhe, për këtë, SHBA ka vendosur ta varrosë në det”. Trupi i tij u hodh në det, pas një ceremonie që u zhvillua në aeroplanmbajtësen amerikane “USS Carl Vinson”. “Trupi i vdekur u la dhe u vendos në një çarçaf të bardhë. Më pas u vendos në një çantë të rëndë dhe pas një fjalimi fetar të përkthyer në gjuhën arabe u vendos në një varkë, që u fundos në ujë”, ka deklaruar një zyrtar amerikan. Kjo deklaratë ka nxitur polemika të forta, sepse për islamikët hedhja e trupit në det nuk është e pranueshme, madje quhet “haram”.

FOTO E MONTUAR!?

Bin Laden dhe fotoja e rreme e kufomës së tij

Fotoja e parë e Bin Ladenit të vdekur ka nxitur diskutimet se vrasja e tij mund të mos ishte e vërtetë. Arsyeja ishte se fotoja e kufomës ishte një montazh fare i thjeshtë, që sipas ekspertëve mund të kishte pasur vetëm 30 sekonda punë. Pjesa e poshtme e fytyrës ishte e një fotoje të vjetër të Bin Ladenit, bërë në vitin 1997 dhe pjesa e sipërme ishte e një viktime tjetër të shpërfytyruar, që nuk kishte asnjë lidhje me të. Lindën pyetjet: Pse CIA apo FBI-ja nuk publikon foton e vërtetë të trupit të Bin Ladenit? Edhe pse varrimi i tij ka përfunduar, deri tani nuk ka dalë asnjë foto zyrtare e kufomës së Bin Ladenit.

 

Bin Laden nga mik, në armikun numër 1 të CIA

Osama bin Mohamed bin Auad bin Laden ka lindur më 10 mars 1957 dhe ishte anëtar i një familjeje të pasur saudite, bin Laden. Ai është fëmija i 17-të nga 54 fëmijët e babait të tij Muhamad Auad bin Laden, një emigrant nga Jemeni që kishte ndërtuar një kompani ndërtimi në Arabinë Saudite. Nëna e tij ishte Hamida al-Atas, nga Siria. Babai i tij u bë një biznesmen i pasur me lidhje të ngushta me familjen mbretërore saudite. Osama bin Laden lindi si djali i vetëm i gruas së dhjetë të Mohamed bin Laden, Hamida al-Atas. Prindërit e Osamës u divorcuan menjëherë pas lindjes së tij; më pas nëna e tij u martua me Mohamed al-Atas. Osama ishte rritur si një mysliman i devotshëm “Wahhabi”. Nga viti 1968 në 1976, ai ndoqi Shkollën e modelit sekular “Elite”, Al-Thager. Osama studioi administrim ekonomik dhe biznes në Universitetin “King Abdulaziz”. Disa raportime tregojnë se ai kishte diplomë në inxhinieri civile apo administrim publik. Në universitet interesi kryesor i tij ishte feja, ku ai u përfshi në “interpretimin e Kuranit dhe xhihadit” dhe punë bamirësie. Ai shkruante edhe poezi. Në 1974, në moshën 17-vjeçare ai u martua me gruan e parë, Najua Ghanem at Latakia. Sipas CNN, në vitin 2002 Osama ishte i martuar me katër gra dhe ishte babai i 25 apo 26 fëmijëve. Raportime të tjera thonë se ai kishte shtatë gra dhe 12-24 fëmijë. Pasi u largua nga kolegji në vitin 1979, Bin Laden u bashkua me Abdullah Azam për të luftuar pushtimin e Afganistanit nga sovjetikët dhe jetoi në Peshauar. Nga 1979 deri në 1989, kur në SHBA ishin Presidentët Karter dhe Regan, CIA e ndihmoi atë edhe me ndihma financiare, armë dhe trajnime për xhihadin mujahidin të Osamës me “Operacionin Cikloni”, dhe “Doktrinën Regan”. Presidenti Regan shpesh i vlerësonte mujahidinët e Osamës si “luftëtarët e lirisë” së Afganistanit. Në vitin 1984, me Azamin, Bin Laden themeloi “Maktab al-Khadamat”, që kanalizonte para, armë dhe luftëtarë myslimanë nga e gjithë bota arabe për luftën në Afganistan. Në vitin 1988, Bin Laden themeloi Al Kaedën, që në arabisht do të thotë “baza”. Në vitin 1989, Bashkimi Sovjetik u tërhoq nga Afganistani. Bin Laden u kthye në Arabinë Saudite për të punuar në firmën e familjes së tij “Bin Laden Group”. Më 7 gusht 1990, pasi Iraku pushtoi Kuvajtin, trupat amerikane mbërritën në Arabinë Saudite për të pasur një bazë të afërt për të ndjekur trupat e liderit irakian, Sadam Husein. Bin Laden u zemërua me praninë e forcave amerikane afër vendeve të shenjta islamike, në Mekë dhe Medina. Në vitin 1991, Bin Laden u dëbua nga Arabia Saudite nga regjimi i këtij vendi bashkë me ndjekësit e tij. Ai u vendos në Sudan. Në dhjetor 1992, forcat amerikane u ulën në Somali, pas një plani humanitar të OKB-së për të dërguar furnizime. Pjesë e misionit ishte çarmatosja e disa lordëve të luftës që kishin kontrollin në këtë vend. Bin Laden e futi veten në këtë konflikt, duke trajnuar “lordët e luftës” për të luftuar kundër forcave amerikane.  Në shkurt 1993, një bombë shpërtheu në “World Trade Center” në Nju Jork, duke vrarë gjashtë e duke plagosur qindra persona. Besohet se këtu ishte dora e gjashtë myslimanëve të lidhur me Bin Laden. Në vitin 1994, qeveria saudite i hoqi nënshtetësinë atij, duke i ngrirë të gjitha asetet e mbetura në vend. Edhe familja e tij e mohoi atë. Në atë vit atij iu bë një atentat.
Bin Laden ishte në listën e dhjetë më të kërkuarve në arrati dhe terroristëve më të kërkuar të Byrosë Amerikane Federale të hetimit, për përfshirjen e tij në bombardimet e Ambasadës Amerikane të vitit 1998. Ai ishte edhe themeluesi i organizatës xhihadiste “al-Kaeda”, përgjegjëse për sulmet e 11 shtatorit në SHBA, si dhe disa sulme të tjera masive kundër shënjestrave civile dhe ushtarake. Që në vitin 2001, Osama bin Laden dhe organizata e tij ka qenë një shënjestër e madhe e luftës amerikane kundër terrorizmit. Osama besonte se ligji Sharia do të sistemonte gjërat në botën myslimane dhe se të gjitha ideologjitë e tjera: panarabizmi, socializmi, komunizmi, demokracia, duhet të kundërshtoheshin. Ai besonte se duhej përdorur xhihadi dhe dhuna kundër myslimanëve që ishin prekur nga idetë amerikane dhe të disa shteteve jo myslimane, nevoja për të eliminuar Izraelin dhe detyrimi i SHBA-ve për t’u tërhequr nga Lindja e Mesme. Pjesa më e keqe e ideologjisë së Osamës ishte se civilët, përfshirë gratë dhe fëmijët, janë shënjestra legjitime të xhihadit. Sipas tij, katër armiqtë më të mëdhenj të islamit ishin myslimanët shiitë, heretikët, Amerika dhe Izraeli.
Në vitin 1998 u raportua se Bin Laden po vepronte me rrjetin e tij Al Kaeda në Shqipëri. “Charleston Gazette” citoi Fatos Klosin, kreun e SHISH në atë kohë, duke deklaruar se një rrjet i drejtuar nga Osama bin Laden kishte dërguar njësi për të luftuar në Kosovë. Klod Kader, një nacionalist francez, pohoi më pas se ishte anëtar i rrjetit të Bin Ladenit në Shqipëri.

Obama zyrtarizon lajmin: U vu drejtësi, Bin Ladenin e vramë

I pari që dha lajmin për të gjithë botën ishte Presidenti amerikan Barak Obama: Osama bin Laden u vra. Drejtësia u vu në vend”, tha ai në një fjalim përpara kombit, në orët e para të mëngjesit të së hënës.

“Ishte rreth 10 vjet më parë kur një ditë shtatori u errësua nga sulmi më i rëndë kundër popullit amerikan në historinë tonë. Imazhet e 9/11 janë të vulosura në kujtesën tonë nacionale”, tha Obama. “Vetëm një javë më parë kishim informacionet e plota dhe të bindshme për të vepruar. Një grup i vogël agjentësh amerikanë kanë vepruar me kurajë të madhe, duke realizuar me sukses aksionin e evituar viktima mes civilëve”, shtoi Obama. Presidenti amerikan theksoi se Shtetet e Bashkuara nuk janë në luftë me islamin, ai tha se ata kishin bashkëpunuar me shërbimet sekrete pakistaneze gjatë këtyre viteve, dhe se Pakistani mbetet një partner i mirë. Ish-Presidenti amerikan Xhorxh Bush e cilësoi vrasjen e Bin Ladenit “Një fitore për Amerikën, për popullin që kërkon paqe në botë dhe për të gjithë ata që humbën të dashurit e tyre më 11 shtator 2001. Lufta jonë do të vazhdojë, por sonte Amerika ka një mesazh të pagabueshëm: Nuk ka rëndësi se sa kohë do të zgjasë, drejtësia do të vihet në vend”. Ish-presidenti Bill Klinton tha se “Uroj Presidentin, skuadrën e Sigurisë Kombëtare, anëtarët e Forcave të Armatosura që e sollën Bin Ladenin para drejtësisë, pas më shumë se një dekadë sulmesh të shumta të Al Kaedës”. Në një fjalim të dytë, Presidenti amerikan, Barak Obama, ka përshëndetur vdekjen e Osama bin Ladenit, duke e quajtur botën një vend më të mirë pa të. “Sot është një ditë e mirë për Amerikën. Bota tani është më e sigurt dhe një vend më i mirë. Sot ne u kujtuam se si komb nuk ka asgjë që nuk mund të bëjmë”, tha Obama. Deklaratat e Obamës u bënë, pasi xhijadistët kanë kërcënuar SHBA-në dhe Pakistanin se do të hakmerren për vrasjen e liderit të tyre. Ndërkohë, bastexhinjtë e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2012 kanë parashikuar pas ditës së djeshme një fitore të sigurt për Obamën. Obama ka marrë përgëzimet e liderëve nga e gjithë bota për këtë sukses, por edhe të republikanëve. Menjëherë pasi Obama deklaroi vrasjen e Bin Ladenit në Shtëpinë e Bardhë, janë mbledhur qindra amerikanë që festonin dhe këndonin himnin kombëtar.

Vatikani

Selia e Shenjtë katolike në Vatikan tha se Bin Laden kishte luajtur rol në “ndarjen dhe urrejtjen mes njerëzve”, por “një i krishterë nuk kënaqet kurrë me vdekjen e një njeriu”. Shefi i zyrës së shtypit në Vatikan, Federiko Lombardi, tha se “i përballur me vdekjen e një njeriu një i krishterë nuk gëzon  kurrë, por reflekton mbi përgjegjësitë serioze të secilit prej nesh përpara Zotit dhe përpara njeriut dhe shpreson që të sillet në një mënyrë që të mos nxisë urrejtjen, por paqen”.

Topi uron Obamën

Presidenti Bamir Topi uroi Presidentin amerikan Barak Obama për suksesin e ekzekutimit të Osama bin Ladenit. “Ju uroj për këtë fitore të madhe dhe ju siguroj se Shqipëria do të vazhdojë të përmbushë me devotshmëri angazhimet e saj në kuadër të NATO-s, duke dhënë kontributin në sfidat e ardhme për liri, demokraci, si dhe për të ndërtuar një botë akoma më të mirë për të gjitha kombet”, thuhet në mesazhin e Presidentit Topi.

Berisha

Kryeministri Sali Berisha deklaroi se ekzekutimi i kreut të Al Kaedës, Osama bin Laden, është fitore e madhe e paqes dhe e të gjithë atyre që e konsiderojnë terrorizmin armikun kryesor të lirisë së tyre. “Vrasja e Bin Ladenit është lajm ngushëllues për viktimat e pafajshme të sulmeve terroriste. Me agresivitetin dhe primitivizmin e tij, Bin Laden mori mijëra e mijëra jetë njerëzish në SHBA dhe nëpër vende të tjera”, tha Berisha.

Rama

Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, e vlerësoi vrasjen e numrit një të Al Kaedës, Osama bin Laden, nga trupat amerikane, si një fitore të madhe kundër terrorizmit. Deklarata e kreut të PS u bë gjatë një telefonate bërë ambasadorit amerikan në Tiranë, Aleksander A. Arvizu. Zoti Rama vlerësoi se kjo ishte një arritje e madhe e Presidentit Barak Obama dhe respektim i një prej premtimeve të tij.

© Panorama.al

Te lidhura