Bie nga ura, zhduket 12-vjeçarja

Dec 7, 2011 | 13:23
Ura ku ndodhi ngjarja

Një vajzë 12-vjeçare ra dje nga një urë e improvizuar dhe ende rezulton e zhdukur në rrjedhën e lumit të Tiranës. E mitura ra aksidentalisht nga një urë e improvizuar me dërrasa, në lagjen Babrru të kryeqytetit. Ngjarja ndodhi rreth orës 17:00, në momentin kur Emiljana Meka, bashkë me motrën dhe një shoqe të saj, po kalonin urën për t’u kthyer në shtëpi. Për shkak të lagështirës dhe lëvizjes së dërrasave, vajzës i kanë rrëshqitur këmbët dhe ka përfunduar në shtratin e rrëmbyer të lumit, që dje ishte fryrë për shkak të shirave, duke iu afruar shumë pranë urës ku po kalonin vajzat. Forca të shumta të Policisë së Tiranës nga Komisariati Nr.4, Nr.3 dhe Nr.5 kanë shkuar në vendin e ngjarjes, madje edhe disa polumbarë të repartit RENEA, të cilët kanë nisur menjëherë kërkimet. Për rreth dy orë polumbarët e policia ka kërkuar përgjatë gjithë rrjedhës së lumit, nga vendi ku kishte rënë 12-vjeçarja e deri në afërsi të Kodër-Kamzës, ku ujërat e lumit pakësohen, por nuk kanë gjetur asnjë shenjë të saj. Ndërsa kërkimet u ndërprenë për të rifilluar sërish në orët e para të mëngjesit të sotëm. Burimet nga grupi i kërkim-shpëtimit thanë dje se për shkak të errësirës, ujit të turbullt, por edhe për shkak se lumi ishte shumë i rrëmbyer, kërkimet u ndërprenë për të rinisur gjatë ditës.
NGJARJA
Rreth orës 17:00 të ditës së djeshme, një person i identifikuar me emrin Bardhyl Murraj ka njoftuar Policinë e Tiranës se disa fëmijë i kanë kërkuar ndihmë sepse një vajzë kishte rënë nga ura në lumin e Tiranës. Më pas, ai ka sqaruar se është afruar dhe ka parë një trup njeriu në shtratin e lumit, por brenda pak sekondash nuk ka arritur ta shohë më. Policia ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe sipas dëshmive, ka rezultuar që ngjarja ka ndodhur aksidentalisht. Burime nga Policia thanë se vajza ka qenë duke kaluar lumin nga njëri krah në tjetrin, nëpërmjet një ure të improvizuar nga vetë banorët me dërrasa dhe litarë, dhe duke nxituar për të shkuar në shtëpi, ajo ka rrëshqitur në dërrasat e lagura, duke përfunduar në lumë. Në momentin e ngjarjes, bashkë me 12-vjeçaren Emiljana Meka, ndodheshin edhe dy vajza më të vogla, të cilat nuk kanë mundur ta ndihmojnë dhe ta tërhiqnin lart. Edhe forcat e Policisë e kanë pasur të pamundur gjetjen e trupit të vajzës, pasi për shkak të errësirës nuk mund të vazhdonin më kërkimet.
HETIMI
Ura e ndërtuar me dërrasa, kavo çeliku dhe litarë, është improvizuar në formën e një pasarele nga vetë banorët e lagjes, të cilët janë pothuajse të gjithë të komunitetit rom. Kjo urë shërben prej disa vitesh për të lidhur dy zonat e bregut të lumit, atë të Babrrusë dhe rrugës që del te “Kafja e Rremës” drejt Tufinës. Për shkak të vjetërsisë së saj, dërrasat kanë filluar të kalben, duke e bërë çdo ditë e më shumë të pasigurtë për të kaluar. Banorët e pranojnë që ajo urë nuk ka pasur asnjëherë siguri pasi lëkundet, është e ngushtë me vetëm dy dërrasa dhe në një moment shpërqendrimi mund të rrezikojë edhe jetën. Në vjeshtë dhe në dimër kalimi sipër urës bëhet edhe më i rrezikshëm, për shkak se lumi fryhet shumë nga reshjet, madje në shumë raste, sipërfaqja e lumit e kalon edhe urën, e cila zhytet brenda tij. Banorët, por edhe policia, konfirmoi dje se një vit më parë, një vajzë 13-vjeçare ka rrëshqitur nga e njëjta urë, por fatmirësisht ka shpëtuar, pasi ka qenë periudhë vere dhe lumi ishte i cekët.

“Po kalonim urën kur i rrëshqiti njëra këmbë”
Motra: U kap tek unë kur rrëshqiti, s’munda ta mbaj
TIRANE – Motra më e vogël e 12-vjeçares Emiljana Meka tregon se ka qenë me të në momentin kur ajo rrëshqiti nga ura, por nuk ka mundur ta ndihmonte, sepse nuk e mbante dot. “Isha unë, Emilja dhe një vajzë tjetër që po kalonim urën. Ndodheshim në mes kur motra rrëshqiti, sepse po ktheheshim në shtëpi. Asaj i rrëshqiti njëra këmbë dhe më kapi mua nga mesi për t’u mbajtur. Pastaj iu shkëputën duart nga trupi im dhe ra në ujë”, tregon vajza 10-vjeçare. E mitura shprehet se ka thirrur për ndihmë që në momentin kur motra e saj ra dhe ndodheshin ende mbi urë. “Emiljana po vraponte mbi urë, kur na thirri mami për t’u kthyer në shtëpi. Në atë moment ura po tundej dhe uji i lumit ishte afruar shumë pranë këmbëve tona. Po kalonim njëra pas tjetrës, sepse ura është shumë e ngushtë. Dërrasat e urës ishin me baltë dhe të lagura nga shiu, prandaj ajo rrëshqiti”, shprehet motra e Emiljanës. Vajza shprehet se fëmijët aty luajnë pothuajse çdo ditë, sepse nuk kanë vend tjetër për të luajtur me shoqet e shokët. Në atë urë kanë kaluar disa herë, por sipas saj, në verë lumi ka shumë pak ujë dhe nuk kanë frikë. “Ne vijmë çdo ditë këtu tek ura. Të gjithë fëmijët e lagjes vijnë këtu. Nuk kemi ku të luajmë dhe vijmë e mblidhemi pranë urës. Edhe kur ikim për të bërë mësim, te kjo urë kalojmë. Po tani lumi ka shumë ujë dhe ndonjëherë kemi frikë. Ndërsa në verë është ndryshe, sepse nuk ka kaq shumë ujë”, tregon vajza. Ndërsa disa fëmijë të tjerë thonë që janë mësuar me urën dhe kalojnë aty dhjetëra herë në ditë, ndonjëherë edhe sa për t’u lëkundur mbi të, duke harruar se sa e rrezikshme është ajo.

Flet Vjollca Meka, nëna e vajzës: Doli të luante, po kthehej në shtëpi kur u mbyt
TIRANE – Vjollca Meka, nëna e 12-vjeçares që ra nga ura në lumin e Tiranës, tregoi dje se është lajmëruar nga fëmijët për ngjarjen dhe menjëherë ka nxituar drejt vendit të ngjarjes për të kërkuar ndihmë. “Emiljana është fëmija im i tretë. Kam edhe gjashtë vajza dhe një djalë. Ajo ndjek mësimet në një shoqatë për fëmijët romë dhe ishte kthyer nga mësimi, rreth orës 13:00. Ndërsa pasi hëngri bukë, doli të luante me motrën dhe vajzat e tjera, shoqet e saj”, tregon nëna e 12-vjeçares. Ajo tregon se gjithmonë kur fëmijët dilnin nga shtëpia, i këshillonte të kishin kujdes kur kalonin urën, sepse ishte e rrezikshme, sidomos në vjeshtë kur fillojnë shirat. “Ne e kemi shtëpinë shumë pranë urës. Rreth 100 metra larg saj. Këtu rruga është me baltë dhe ura është me dërrasa që sa vijnë e kalben, dhe kur bëhen me baltë edhe me shi, duhet të kesh shumë kujdes pasi rrëshqet. Iu thosha shpesh fëmijëve mos kaloni tek ura, se është e rrezikshme. Ajo tundet se mbahet vetëm nga dy litarë, dërrasat janë të vjetra dhe tani në shi rrëshqet dhe rrëzohesh. Por fëmijët nuk më dëgjonin”, shprehet Vjollca e përlotur. Ajo tregon se ka ndjekur nga afër operacionin e policisë për gjetjen e vajzës së saj, edhe pse tashmë i ka humbur të gjitha shpresat se ajo mund të gjendet gjallë. “Pak minuta para se të rrëzohej i kisha thirrur që të vinte në shtëpi se po errësohej. Siç duket, ajo ka nxituar të vijë. Dëgjova të thirrurat e vajzës tjetër dhe fëmijëve që bërtisnin e kërkonin ndihmë, duke thënë që Emiljana kishte rënë në lumë. Nxitova të shkoj tek ura, kërkova ndihmë në lagje dhe më pas erdhi policia. Të shpresoj që nesër (sot), policia të paktën të gjejë trupin e pajetë të vajzës sime, pasi edhe pse shpresoj shumë, jam e vetëdijshme që ajo s’mund të gjendet e gjallë”, mbyll rrëfimin e saj nëna e 12-vjeçares.

ETLEVA DELIA

© Panorama.al

Te lidhura