
Skënder Zogu, nipi i Ahmet Zogut, propozon bashkimin e trojeve.
“Kjo Konfederatë është një shpagim historik dhe moral që ndërkombëtarët kanë ndaj shqiptarëve”
“Po punojmë për krijimin e Konfederatës Shqiptare në Ballkan, e cila do të funksionojë sipas sistemit të Monarkisë Konstitucionaliste”. Kjo deklaratë që për shumë politikanë dhe diplomatë konsiderohet si “herezi” dhe as guxojnë ta përmendin, për Skënder Zogun është një shpagim historik dhe moral që ndërkombëtarët kanë ndaj shqiptarëve. Si nipi i Mbretit Ahmet Zogu (1928-1939) dhe një ndër të besuarit e tij, ai dëshiron që të përmbushë idealet e xhaxhait dhe të birit të tij, kushëririt Leka Zogu I, për bashkimin e trojeve etnike shqiptare. Një ideal që duket utopik për ditët e sotshme, por që Skënder Zogu për kundrapeshë jep një shembull konkret: “Edhe Kosova Republikë utopi dukej në fillim…”. Gjerësisht, ai sqaron mënyrën e instalimit të Konfederatës, modelin e sistemit të qeverisjes, qëllimet, por jo mjetet për t’i realizuar. Sepse derisa të vijë koha e mjeteve, sipas tij, duhet punuar me historinë e monarkisë. “Ajo me çfarë po merremi si fillim është rishkrimi i historisë. Ende sot shumica e qytetarëve e dinë të kaluarën e Shqipërisë, me dogma, me parulla, me falsifikime, ashtu siç u është mësuar rëndom në komunizëm. Larg realiteteve të kohës dhe të vërtetave”, thotë Skënder Zogu në pjesën e tretë të intervistës në gazetën “Panorama”. E treta dhe mbyllësja e ciklit të rrëfimit të tij, në tre breza, të cilën ia morëm pak orë para se të largohej nga Shqipëria në Francë, ku edhe jeton. Aktualisht ai ka mbetur dëshmitari i vetëm i familjes mbretërore që di sekretet e saj në një shekull; nga Ahmet Zogu, te i biri Leka Zogu I, e deri te nipi, Leka Zogu II. I pari ishte zyrtarisht Mbret në Shqipëri, i dyti “mbret, jo në detyrë”, ndërsa i treti ka mbetur ende Princ me status, edhe pse ka bërë betimin prej monarku. Se pse është ende Princ Leka II, edhe kjo çështje kërkon sqarim, që ashtu si edhe për shumë pikëpyetje të tjera rreth të ardhmes së monarkisë në Shqipëri, mund të merrni përgjigje më poshtë…
Para disa ditësh ndërroi jetë kushëriri juaj, pretendenti i fronit mbretëror shqiptar, Leka Zogu I. Si e shihni të ardhmen e Pallatit Mbretëror dhe përgjithësisht të monarkisë në Shqipëri, pas vdekjes së tij?
Besoj se e keni ndjekur Kryeministrin e Shqipërisë, z. Sali Berisha, që e theksoi vetë disa herë që referendumi për rivendosjen e monarkisë u manipulua dhe çështja nuk është mbyllur. Pallati Mbretëror tashmë është në pritje të një referendumi të dytë, në mënyrë që shqiptarët të shprehin vullnetin me votë për rivendosjen e monarkisë ligjërisht.
Për një monarki siç u instalua në vitin 1928, me atë Kushtetutë, apo ndonjë lloj tjetër sistemi monarkie?
Jemi gati një shekull pas dhe kohët kanë ndryshuar shumë. Sigurisht që Kushtetuta e vitit 1928 ka qenë shumë e mirë për atë periudhë, por tashmë ajo duhet rinovuar. Ajo çfarë propozojmë është një monarki konstitucionale.
Që do të thotë… Mund t’ia shpjegoni lexuesit me pak fjalë, si funksionon kjo lloj monarkie?

Mbreti mbretëron, ekziston ligjërisht, por nuk sundon apo qeveris. Monarki konstitucionale ka aktualisht Britania e Madhe, Belgjika, Danimarka, Holanda, vendet skandinave etj. Dhe po ta vëreni, shtetet që kanë adoptuar këtë lloj monarkie kanë edhe demokracinë më të madhe dhe gjithashtu janë më të fuqishme ekonomikisht. Prestigji i tyre jo vetëm që nuk ka rënë, por edhe është rritur nga dekada në dekadë. Mbretërit në këto vende luajnë një rol të rëndësishëm stabilizues. Për shembull, kini parasysh Belgjikën këtë vit. Qëndroi pa formuar qeverinë për 10 muaj dhe vetëm para pak ditësh ia arriti qëllimit. Ndërkaq, duke qenë se ishte mbreti, Belgjika nuk pati asnjë lloj problemi pse nuk kishte qeveri dhe nuk u vu në asnjë moment në pikëpyetje stabiliteti.
Megjithatë, siç e thatë edhe ju vetë, po kalon gati një shekull nga koha kur shqiptarët patën një mbret. A nuk është paksa utopike rikthimi i monarkisë aktualisht?
Aspak. Po marr një shembull të fundit. Ashtu dukej edhe krijimi i shtetit të Kosovës, por tashmë është fakt Republika e saj.
A keni një plan për të arritur rivendosjen e monarkisë?
Shpresa jonë, ëndrra jonë, plani ynë konkret, është bashkimi i trojeve etnike shqiptare. Ky ka qenë ideali i Mbretërisë Shqiptare që nga krijimi dhe ky do të jetë deri në fund, pra, deri në përmbushjen e këtij ideali.
Më konkretisht ju lutem, në ç’mënyrë do ta përmbushni këtë ideal?
Ajo me çfarë po merremi si fillim është rishkrimi i historisë. Nuk mund të kapërcehet nga një shekull në tjetrin pa pasur një histori të besueshme, një histori reale. Ende sot shumica e qytetarëve e dinë të kaluarën e Shqipërisë, me dogma, me parulla, me falsifikime, ashtu siç u është mësuar rëndom në komunizëm. Larg realiteteve të kohës dhe të vërtetave. Tashmë, 20 vjet pas instalimit të demokracisë, duhet urgjentisht të fillohet me korrigjimin e teksteve të shkollave. Pra, të pastrohen të gjitha njollat që i janë vënë monarkisë. Të flitet për gabime ku ka gabime, por ama të jepen merita aty ku ka merita. Dhe mendoj se merita më e madhe e Mbretit Zog ka qenë nacionalizmi; ideali i bashkimit të trojeve etnike. Ideal që ne do të përpiqemi ta çojmë deri në fund, duke nisur që nga bashkimi i Shqipërisë dhe Kosovës. Një bashkim që vetëm sa nuk është pranuar zyrtarisht nga ndërkombëtarët, pasi siç e dini, shqiptarët e Shqipërisë dhe të Kosovës kalojnë lirshëm nga njëri shtet në tjetrin, pa burokraci. Kufijtë thuajse janë inekzistentë. Me kalimin e kohës, do të jenë “de jure” inekzistentë. Po ashtu, në Maqedoni, Mal të Zi dhe në Greqi, kemi troje të tjera shqiptare. Duke ia nisur fillimisht me bashkimin e Shqipërisë dhe Kosovës, le të krijojmë një Federatë Shqiptare, duke adaptuar nga disa prej shteteve më të zhvilluara të Europës Monarkinë Konstitucionaliste. Më pas, pak nga pak, të afrojmë dhe trojet shqiptare nëpër shtetet e tjera fqinje, duke e shndërruar Federatën në Konfederatë. Do të ishte e mrekullueshme që të gjithë shqiptarët të bashkoheshin dhe që të ndodhë kjo mrekulli, pa përçarje politike, duhet patjetër ligjërimi i mbretit, sipas sistemit që ju tregova. Një mbretëri do t’i konsolidonte shqiptarët dhe do t’i bënte shumë të fuqishëm në Ballkan dhe më gjerë.
Kjo që po thoni ju, lidhur me Konfederatën Shqiptare është shumë e guximshme. Deklarime të tilla janë quajtur edhe “herezi” politike…
Kjo që po them unë është e vërteta dhe po vjen koha që dëmi që u është bërë shqiptarëve shekullin e kaluar, duke i copëtuar, të paguhet. Krijimi i Konfederatës Shqiptare, e udhëhequr nga mbreti, do të ishte shpagim historik dhe moral nga ana e ndërkombëtarëve. Nuk ka herezi kur bëhet fjalë për atdheun. Herezi është që të heshtësh për të.
Në rastin e Konfederatës shqiptare, kush do të ishte mbreti?
Mbreti ka qenë dhe është. Nga brezi në brez, trashëgohet titulli. Ne tashmë kemi Leka Zogun II.
Leka Zogu II bëri një betim në varrimin e babait, Leka Zogu I. A ishte ai betimi prej monarku?
Vdiq Mbreti! Rroftë Mbreti! Kjo nuk do shumë për t’u kuptuar…
Pra, ishte apo nuk ishte?
Po, ai ishte betimi prej Mbreti, por deri në rikthimin ligjor të monarkisë, për ne, për shqiptarët, Leka Zogu II do të ngelet Princi. Ai do të vijojë të ndjekë rrugën e gjyshit dhe të babait, duke mbështetur popullin shqiptar, fiks siç edhe u betua para varrit. Ndërkaq, ai po jep kontribut të dukshëm në fushën e diplomacisë shqiptare, ku punon si këshilltar i veçantë.
Kushtetuta e Monarkisë, e vitit 1928, thekson që betimi i Mbretit duhet të bëhet në Kuvend, në mënyre që të ligjërohet si monark. Ju e patët një mundësi të tillë, pasi homazhet për Leka Zogun I, u bënë pikërisht në Kuvend. Pse nuk e shfrytëzuat kohën dhe vendin?
Qeveria shqiptare, kryetarja e Parlamentit dhe shumë funksionarë të tjerë na ofruan gjithçka që Leka Zogut I t’i bënim një përcjellje prej mbreti. Nuk është në zakonet e familjes sonë që ta shkelim besën. Ne nuk jemi për krijimin e incidenteve, por për shmangien e tyre, edhe nëse ka. Ne kishim një hidhërim të madh atë ditë. Sapo humbëm mbretin tonë. Kuvendi na u lirua në mirëbesim dhe entuziazmi ynë për këtë ka qenë i paparë. Një entuziazëm jo për të thurur plane pas krahëve, por sepse Leka Zogu I po nderohej siç i takonte. Nga të gjithë institucionet e shtetit, nga të gjithë shqiptarët, nga të gjithë ndërkombëtarët. Kanë kaluar gati dy javë nga lamtumira e fundit për kushëririn tim dhe unë akoma falënderoj Kryeministrin Sali Berisha për deklaratat e tij lidhur me monarkinë shqiptare, për atributet që i dha Leka Zogut I dhe sigurisht për varrimin me protokoll.
Po atë ditë, në Kuvend u fol edhe për një konflikt mes kryetares së Parlamentit, Jozefina Topalli dhe kryetarit të Bashkisë, Lulzim Basha, rreth mbajtjes së fjalimit të fundit për Leka Zogut I. Cili prej tyre ishte caktuar nga protokolli i përbashkët qeveri-familje për këtë fjalim?
Rreth këtij konflikti unë diçka kam dëgjuar në media, por unë nuk kam informacion të ketë ndodhur. Sidomos për këtë që pretendoni ju, nuk ma merr mendja. Fjalimi ishte caktuar që një natë më parë që do të mbahej nga zoti Basha dhe kjo dihej. Duke qenë se unë nuk kam parë gjë vetë, nuk mundem dot të them që ka pasur konflikt mes tyre. Ne, si familje, kemi vlerësuar praninë e të dyve në homazhe, si deklaratat e Topallit, edhe të Bashës, kanë qenë shumë ngushëlluese për ne.
Pavarësisht përfshirjes së qeverisë shqiptare në funeralin e Leka Zogut I, pse nuk pati monarkë nga shtetet e tjera të botës?
E keni gabim, pati. Ishin përfaqësues të mbretërive nga shumë shtete të botës, që dërguan trashëgimtarë, të afërm të tyre, apo edhe ambasadorët që kishin ata në Shqipëri. Ishte Lartmadhëria e Tij, princi Paul i Rumanisë, së bashku me princeshën, baroni Rafael Henri Estramant, përfaqësuesi nga Unioni Monarkist Italian, Sergio Boschiero etj. Besoj që vutë re edhe prezencën e ambasadores britanike në Shqipëri, Fiona Mcllëham, ambasadorin amerikan, Alexander Arvizu, atë të OSBE-së, Eugen Ëollfarth, e Polonisë, Tatjana Tatarzynska etj.
Megjithatë, jo vizita mbretërish…
Duhet pasur parasysh diçka. E para, të gjitha Mbretëritë e Europës kanë dërguar telegrame ngushëllimi. E dyta, duke qenë se mbretërimi i Leka Zogut I nuk ishte i ligjëruar, duhej që ambasadat shqiptare të kishin kryer ftesat zyrtare. Është çështje protokolli dhe siç duket, ambasadat shqiptare nuk e kanë kryer dhe aq mirë punën diplomatike. Megjithatë, dërgimi i telegrameve ngushëlluese, madje edhe nga Palestina, Turqia, apo vende të tjera që janë republikë, është shenjë e njohjes dhe e vlerave të Leka Zogut I. Gjithashtu, telegramet kanë qenë të dubluara. Pra, përveç familjes mbretërore, i janë dërguar edhe qeverisë shqiptare. Këtë mund ta vërtetoni shumë lehtë.
Rivendosja e monarkisë në Shqipëri sigurisht që kërkon edhe burime financiare. Aktualisht, sa e pasur është familja mbretërore?
Familja Mbretërore dihet që ka pronat e saj. Kuvendi ka miratuar prej vitesh ligjin për “Dhënien e statusit të familjes mbretërore”, ç’ka do të thotë që duhet t’i kthehen familjes pronat, trashëgimtarët të pasurojnë koleksionin e armëve etj., si dhe diçka tjetër shumë e rëndësishme: që të kthehen në Shqipëri eshtrat e Mbretit Ahmet Zog! Vitin e fundit të gjitha këto po shihen me shumë prioritet. Qeveria shqiptare na ka premtuar që me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, mbreti Ahmet Zog “do të kthehet në Shqipëri” dhe më pas, do të bëhet një mauzole për familjen. Ne dëshirojmë që ky mauzole të bëhet pranë “Varrit të nënës Mbretëreshë”, siç thirret ndryshe nëna e Ahmet Zogut, e cila prehet diku pranë Parkut Kombëtar të Liqenit. Aty të transferohen eshtrat e Mbretit Zog, Mbretëreshës Geraldinë, Suzanë dhe të Lekës I. Pra, të bashkohen më në fund eshtrat familjare të dinastisë së Zogut.
Nuk na treguat për pronat e familjes mbretërore…
Unë mund të flas vetëm për pronat e mia, që kam dhjetëra hektarë ende pa m’u kthyer në Tiranë, Sarandë, Durrës, Mat etj. Megjithatë, sa u takon tokave që kam në krahinën e Matit, me t’u kthyer, unë do t’ua fal të gjitha qytetarëve të asaj zone.
Libri, zbulohen sekretet e familjes mbretërore
Kishte vite që lexonte të tjerët se çfarë rrëfenin mbi xhaxhain e tij, mbretin Ahmet Zogu, dhe më vonë rreth të birit që i trashëgoi fronin, Leka Zogu I. Shpesh vërente pasaktësi të ngjarjeve nga rrëfyesit, e shpesh deklarime të paqena. Dëshmi që nuk mund të jepeshin nga askush tjetër më mirë, se sa Skënder Zogu vetë, i cili ka kaluar pjesën më të madhe të jetës së tij me familjen mbretërore. Kështu, gati prej një viti, ai vendosi që të hedhë kujtimet në letër. Për shkak të moshës, por edhe për shkak të angazhimeve politike e diplomatike, ende nuk i ka përfunduar. Megjithatë, vitin që vjen, libri është gati. Do të jetë në frëngjisht, për shkak se e ka më të perfeksionuar këtë gjuhë, duke qenë se ka jetuar shumicën e jetës në emigrim. “Kam shkruar deri tani rreth 375 faqe, mendoj që të shtoj edhe 100 të tjera. Janë në gjuhën frënge dhe më pas do t’i përkthej”, thotë Skënder Zogu, ndërsa shton se për herë të parë do të zbulohen shumë histori familjare, por edhe patriotike të dinastisë Zogu.
KURTHI: Si e burgosën Leka Zogun I në Afrikën e Jugut, frika nga helmimi

Një ndër pengjet e pretendentit të fronit mbretëror shqiptar, Leka Zogu I, të cilit iu dha lamtumira e fundit më 3 dhjetor, ka qenë mospjesëmarrja e tij në Konferencën e Rambujesë. Siç rrëfen kushëriri i tij, Lekës I i është ngritur një kurth diplomatik në Afrikën e Jugut, ku edhe po jetonte në vitin 1999. “Prej kohësh Leka Zogu I ishte në dijeni për Konferencën e Rambujesë. Ai u nis pak ditë para datës 18 mars, por e kthyen. I thanë që pasaporta nuk është e vlefshme dhe se i ishte hequr imuniteti diplomatik. Ai kundërshtoi hapur, por u burgos. E mbajtën brenda për 8 ditë. U gëzua shumë kur u firmos marrëveshja e Rambujesë, por u pikëllua që ai nuk ishte aty, në atë datë historike për shqiptarët”, tregon Skënder Zogu. Sipas tij, gjatë qëndrimit në burg, Leka Zogu I nuk ka pranuar që të fusë në gojë asgjë. “Në tetë ditë ai u dobësua shumë, u sëmur keq, pasi nuk hante dhe pinte. Kishte frikë se e helmonin”, thekson ai. Shkaku zyrtar i pengimit të Leka Zogut I në kufi u motivua me faktin pse ai mbante armë në shtëpi. “Ishin të njëjtat armë të deklaruara dhe të ligjëruara që në momentin e hyrjes së Lekës I në Afrikën e Jugut. Pra, ishte një grackë e përgatitur nga qarqet antishqiptare nëpër botë. Në pak ditë, ai fitoi gjyqin dhe u vërteta që e gjithë ngjarja ishte një farsë, një kurth për të penguar pjesëmarrjen e tij në Konferencën e Rambujesë”, këmbëngul Zogu. Ndërkaq, ai bën edhe një shtesë, lidhur me dy intervistat e kaluara. Lidhur me personalitetet që takuan Leka Zogun I në Egjipt, ai kërkon të shtojë diçka rreth figurës së Abaz Kupit, që sipas tij, ishte “Mbretnor i bindun, trim dhe ka marrë pjesë në veprimtarinë kombëtare për çlirimin e atdheut, jo vetëm nga fashistë-nazista, por edhe nga komunistat”. Sa i përket shkatërrimit të Ambasadës Shqiptare në Paris, ai rikonfirmon ngjarjen e hedhjes në erë, por sqaron se nuk ishte ai direkt personi qëllues me armën “Bazook”.
ELISABETA ILNICA
© Panorama.al











