Duke e vendosur temën e luftës kundër korrupsionit në rend të ditës gjatë vizitës së saj të shkurtër në Prishtinë, kancelarja gjermane, Angela Merkel, tregoi qartë se ky fenomen mbetet një prej pengesave më të mëdha të Kosovës drejt afrimit me Bashkimin Europian. Kërkesa e prerë për të luftuar korrupsionin, për ta zhvilluar Kosovën si një shtet demokratik ku sundon ligji dhe transparenca, ishin vërejtjet bazë që liderja kryesore europiane, në mënyrë të tërthortë, i drejtoi qeverisë së Kryeministrit Thaçi. Në një shqyrtim më të kujdesshëm, këto vërejtje duhet të shërbejnë edhe si orientim për opozitën kosovare, e cila prej një kohe të gjatë e ka humbur shënjestrën e aksionit të saj politik. Me përjashtim të ndonjë rasti të veçantë, opozita pothuajse nuk është marrë fare konkretisht me temën delikate të korrupsionit, me hetimin e tij rast pas rasti, me interpelanca apo komisione investiguese parlamentare. Çështja e korrupsionit është kthyer në retorikë që fillon e mbaron te përmendja e raporteve ndërkombëtare duke krijuar përshtypjen se kundërshtarëve të qeverisë u mungon ekspertiza profesionale për të hartuar vetë raporte të tilla. Gjithë beteja dhe energjitë e opozitës janë përqendruar në një pikë, ku qeveria e Hashim Thaçit ndihet më e fortë dhe çdo ditë i zhvlerëson sulmet ndaj saj. Fjala është për politikën e jashtme dhe procesin e njohjes përfundimtare të shtetësisë së Kosovës që është i lidhur me të.
Përqendrimi në këtë drejtim në pamje të parë duket efikas për të goditur qeverinë. Akuzat për nënshtrim të Prishtinës ndaj Beogradit duke marrë pjesë në dialogun e Brukselit, tradhtia e interesave kombëtare me marrëveshjen për menaxhimin e integruar të kufijve, lëshimet në sovranitet dhe shtetësi të bëra në Bruksel etj., tingëllojnë të forta dhe synojnë të prekin direkt ndjenjat dhe emocionet e qytetarëve. Ato vërtet mund të prodhojnë një efekt të tillë momental, por në një kohë më të gjatë, ashtu siç po provohet, rrezikojnë të bien në inflacion dhe të bëjnë të pabesueshëm vetë qëndrimin opozitar. Duket e lehtë për konsum të brendshëm dhe e lehtë edhe si punë (mjaftojnë disa deklarata në zyrat e partive apo në Parlament) që ta akuzosh qeverinë se po i bën favore Serbisë dhe është nënshtruar ndaj ndërkombëtarëve, por nëse kjo nuk verifikohet nga zhvillimet në terren, atëherë besueshmëria e opozitës vihet në dyshim. Ndonëse qeveria ka pasur mbështetjen e plotë të SHBA dhe BE për pjesëmarrjen në dialog me Beogradin, opozita ka bërë veshin e shurdhët dhe ka këmbëngulur në pasojat negative që ky dialog do të ketë për vendin dhe lehtësitë e mëdha që do t’i krijojë Serbisë në afrimin me BE. Më 9 dhjetor dhënia e statusit të vendit kandidat për Serbinë u kushtëzua me normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, ndërsa kësaj të fundit iu dha Udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave. Për të mos dalë kokulur nga kjo betejë, opozita nisi të kapej me arsyetime të llojit se nuk dihet kur do të hiqen vizat, Kryeministri premtoi për 15 muaj, kushtëzimi i Serbisë është meritë e Gjermanisë dhe jo e politikës së Prishtinës etj. Këto argumente vetëm sa e nxjerrin të papërgatitur opozitën dhe dëshmojnë se ajo ka zgjedhur pikën e gabuar për të shigjetuar qeverinë. E njëjta gjë ndodhi edhe me përqendrimin e fortë opozitar për të treguar përpara opinionit se Kryeministri Thaçi gjendet krejtësisht i izoluar prej partnerëve ndërkombëtarë. Pas takimeve të tij në Vjenë, Oslo dhe Bruksel, opozita heshti, apo më keq akoma, me rastin e vizitës së kancelares Merkel në Kosovë (një shenjë e qartë mbështetjeje për qëndrimin konstruktiv të Prishtinës në dialog me Beogradin) e katandisi gjithë diskursin politik në çështjen se pse Thaçi e Merkel u takuan në aeroport dhe jo në zyrën e qeverisë. Këto luhatje të mëdha në qëndrime, deklarata e parashikime të forta që bëhen pa u menduar gjatë, por me synim vetëm goditjen e qeverisë për hir të goditjes, rrezikojnë të zbehin seriozitetin e opozitës kur është fjala për politikën e jashtme. Po t’i shtojmë kësaj dyshimin e përhershëm që kanë qytetarët se po të vinte opozita në pushtet vështirë se mund të sillej ndryshe në raport me ndërkombëtarët, doza e hipokrizisë rëndon edhe më shumë mbi qëndrimin opozitar. Është e vështirë të kritikosh Prishtinën për vendime të rëndësishme, si për shembull pjesëmarrjen në dialog, kur dihet se ai vendim është marrë në Bruksel e Uashington. Në politikën e jashtme Kosova i ka të përcaktuara shinat ku do të ecë dhe nga liderët e saj duhet vetëm të mbajnë drejt timonin për të mos devijuar. Në këtë zanat, Thaçi është treguar një vozitës i talentuar për të ndjekur me përpikëri shenjat e përcaktuara. Ta luftosh atë në këtë drejtim mund të jetë edhe kundërproduktive.
Shqetësimi dhe angazhimi kryesor i opozitës duhet të jetë ajo çka po ndodh me qeverisjen në Kosovë. Niveli i lartë i korrupsionit, krimi që po rritet, nepotizmi dhe abuzimi me pasuritë publike, privatizimet problematike dhe përfshirja e zyrtarëve të lartë në afera të dyshimta, varfëria, papunësia e lartë, mungesa e energjisë dhe e investimeve të huaja janë ato që po mbajnë peng zhvillimin normal të shtetit të Kosovës më shumë se sa mungesa e njohjeve apo marrëveshja për targat e makinave. Këto fenomene po rëndojnë çdo ditë e më shumë jetën e mijëra kosovarëve dhe opozita duhet të bëhet zëdhënëse e tyre. Jo me deklarata e citime të raporteve ndërkombëtare, por me aksione konkrete, duke dëshmuar se vetë nuk është e përfshirë në një sistem të tillë të korruptuar dhe se është në gjendje të vërë përpara përgjegjësisë politike ata që votën e qytetarëve po e përdorin për interesa personale. Deklarata e Merkelit në Prishtinë është një sinjal i qartë se Kosova problemin kryesor e ka me veten e saj, me aftësinë që do të tregojë për t’u bërë shtet normal demokratik. Ky duhet të jetë dhe shtrati ku opozita të derdhë energjitë e saj.
© Panorama.al












