Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka përkeqësuar parashikimin e saj për rritjen ekonomike të Shqipërisë për vitin 2011, por nga ana tjetër ka përmirësuar në të njëjtën masë modeste parashikimin për këtë vit. Në raportin e fundit të publikuar theksohet se, përgjatë këtij viti, Shqipëria do të ketë një rritje ekonomike 1.2 për qind, ndërkohë që për vitin 2011 parashikimi është 1.8 për qind. Në raportin e së njëjtës kategori të publikuar në muajin tetor të vitit 2011, BERZH duke bërë vlerësimin e faktorëve dhe mjedisit ekonomik, parashikonte se në vitin 2012 vendi ynë nuk do të kishte rritje më të lartë se 1 për qind. Pra krahasuar me tetorin, shohim një përmirësim me 0.2 për qind të treguesit të rritjes ekonomike. Nga ana tjetër, BERZH ka korrigjuar edhe pritshmëritë e saj për rritjen ekonomike të vitit 2011. Nëse në tetor pritej një rritje 1.9 për qind, tani, në raportin e janarit, kjo rritje është ulur me 0.1 për qind, duke shkuar në 1.8 për qind. Për herë të parë që nga kriza globale, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim rendit si problemin e dytë të madh të vendit tonë borxhin publik, pas probleme që vijnë si efekt i krizës në eurozonë. “Shqipëria pati një ngadalësim në aktivitetin ekonomik në gjysmën e dytë të vitit 2011, përgjithësisht i ndikuar nga situata në BE dhe sidomos e dy fqinjëve, Itali dhe Greqi. Lidhjet e forta tregtare dhe remitancat që shkojnë në Shqipëri nga këto vende, me shumë mundësi do të frenojnë mbështetjen për ekonominë në vijim, por borxhi publik është afër maksimumit ligjor, duke limituar hapësirën për manovrim fiskal”, thuhet në raportin e BERZH. Sakaq, treguesit e tjerë që BERZH merr në vlerësimin e raportit, janë inflacioni, deficiti në llogarinë korrente apo kreditë e këqija. Të gjithë këta faktorë dhe risku që mbartin nivelet e tyre të shprehura në vendin tonë, merren parasysh nga banka kur bën vlerësimin e saj total për pritshmërinë e rritjes së prodhimit të brendshëm bruto në vitin që lamë pas dhe atë aktual.
Raporti
Borxhi publik 58.2%Kreditë e këqija 3.9%
Papunësia 13.3%
Investimet e huaja 6.9%
Llogaria korrente 10.9%
Rritja ekonomike 2012 1.2%
Rritja ekonomike 2011 1.8
Në dhjetor, deficiti tregtar 380 milionë dollarë
Deficiti tregtar në fund të vitit të kaluar pësoi një rritje, duke arritur në nivelin e 380 milionë dollarëve. Krahasuar me muajin nëntor, rritja në përqindje ishte 16.8 për qind, kurse krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kjo rritje ishte mbi 27 për qind. Të dhënat e Institutit të Statistikave për tregtinë e jashtme gjatë muajit dhjetor 2011 tregojnë se përkundër rritjes së eksporteve gjatë muajit të fundit të vitit (kjo krahasuar me një vit më parë), importet kanë qenë edhe më të larta. Në shifra, sipas INSTAT, gjatë dhjetorit janë eksportuar 165 milionë dollarë mallra me një rritje 20.6 për qind, krahasuar me të njëjtin muaj të një viti më parë, ndërkohë që importet kanë shënuar vlerën 386 milionë dollarë me një rritje 16.8 për qind, krahasuar me 2010-n. Edhe gjatë dhjetorit shkëmbimet tregtare më të mëdha janë zhvilluar me vendet e BE-së në një total prej 68 për qind.











