Kësaj here ka vendosur të bëjë një aventurë të re në të gjithë Shqipërinë, për të realizuar një seri programesh televizive mbi bujarinë e shqiptarëve. Robert Aliaj, piktor dhe këngëtar i njohur i viteve ’80-të, ka menduar një orë aspak të zakontë për të provuar një gjë të tillë. Është pikërisht ora 03:00 pas mesnate kur ai troket në një familje, dhe i drejtohet me fjalët ”A prisni miq?!” Dhe, nëse dera hapet e ai lejohet të hyjë brenda, e zonja e shtëpisë duhet të mendojë se ç’t’i shtrojë për të ngrënë, ose, në të kundërt, të gatuajë posaçërisht për të. Ky program që mund të transmetohet në “Vizion Plus”, është konceptuar në disa seri dhe secila pjesë i takon një qyteti të caktuar. Bert Aliaj e ka nisur rrugëtimin e tij me qytetin e Përmetit dhe do ta vazhdojë në të gjitha qytetet e Shqipërisë, për të testuar bujarinë e shqiptarëve në ditët e sotme. Ideja e tij është për të bërë një krahasim, nëse shqiptarët që jetojnë sot në rrethet e tyre janë mikpritës dhe nëse e ruajnë ende virtytin e mikpripjes, atë për të cilën janë përmendur. Ky është një nga projektet e reja të Bert Aliajt pas festivalit të filmit “24-Orëshi”. Disa muaj më parë, ai iu rikthye muzikës pas 25 vitesh shkëputjeje me një klip provokues me titull “Vende me parfum”, vargjet e të cilit i kishte shkruar vetë. Kënga me muzikë të kompozitorit Gent Myftaraj, po ashtu produksion muzikor të Myftaraj, ishte një rikthim i tij në muzikë, kësaj here në rrymën “dance club”. “Panorama Plus” botoi disa foto, ku këngëtari përveç momentit të xhirimeve bënte lojëra seksuale me dy vajzat modele nga Maqedonia, figurante në video. I rikthyer në sytë e publikut shqiptar prej dy vitesh si opinionist tek “Gjeniu i vogël” në Tv Klan, Aliaj edhe pse pohoi se kishte bërë divorc me muzikën, tashmë ka deklaruar se ky klip do të pasohet nga disa këngë të reja, që pritet t’i publikojë së shpejti.











