Berisha:Shqiptarët e Malit të Zi kanë bërë progres

Jan 25, 2012 | 17:44
Kryeministri Berisha takohet me Presidentin malazez, zotin Filip Vujanović

PODGORICE- Kryeministri Sali Berisha ka vijuar vizitën e tij në Mal të Zi me një takim me presidentin e vendit, Filip Vujanović. Dy bashkëbiseduesit vlerësuan marrëdhëniet mes dy vendeve si të shkëlqyera, ndërsa kryeministri Berisha shprehi kënaqësinë për progresin që shqiptarët kanë bërë në Mal të Zi.

Berisha i ka thënë presidentit Filip Vujanović,  që Mali i Zi po ecën me shpejtësi drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Kryeministri Berisha e siguroi Presidentin Vujanović se qeveria shqiptare do të vijojë ta mbështesë fuqishëm anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, duke e vlerësuar këtë anëtarësim si plotësisht të merituar, por edhe si interesi më i mirë i NATO-s, kahu jug – lindor i të cilës do të bëhet më i plotë me anëtarësimin e Malit të Zi në këtë Aleancë.

Autostrada Adriatiko-Joniane, projekti për lumin Buna dhe liqenin e Shkodrës, si dhe projekte të përbashkëta turistike, veçanërisht për turizmin malor, për t’i paraqitur alpet si një destinacion jashtëzakonisht tërheqës për turizëm e investime në të dy vendet,  ishin disa nga fushat për të cilat është diskutuar.

Presidenti Vujanović vlerësoi progresin  e vendit tonë,  i cili sipas tij është transformuar dhe shndërruar në një destinacion shumë tërheqës për investime të huaja, si edhe për turistët.

Presidenti malazez falënderoi kryeministrit Berisha për kontributin e qeverisë shqiptare përsa i përket plotësimit të standarteve të të drejtave e lirive të njeriut të qytetareve shqiptarë me origjinë nga Mal i Zi. Kosova gjithashtu ishte pjesë e bisedimeve Berisha- Vujanović.

© Panorama.al

Te lidhura