
Kryeministri flet në mbledhjen e qeverisë: Piromanët, militantë të PS.
Rama: Vetëm Mubarakët flasin në TV si Kryeministri.
Kryeministri Sali Berisha është fokusuar në mbledhjen e djeshme të qeverisë në situatën e zjarreve në vend. Sipas tij, gjatë kësaj periudhe janë djegur 1690 ha pyje dhe 600 ha shkurre, teksa shtoi se më i rëndësishëm është fakti se nuk ka pasur asnjë jetë të humbur. “Natyrisht, problemi ynë më kryesor dhe në çdo rrethanë, fatkeqësi e situatë, janë jetët njerëzore të parat. Nuk kemi viktima. Janë bërë disa evakuime të pakta në zona të thella, por deri tani viktima nga zjarret nuk kemi pasur, ndërkohë që në shumë vende të tjera, edhe më të fuqishme, janë regjistruar dhjetëra e dhjetëra viktima. Janë djegur disa banesa, por një numër shumë i kufizuar. Mund t’u them se numri i banesave të djegura në vende të tjera të Mesdheut është shumë më i madh”, u shpreh Berisha. Sipas tij, janë arrestuar mbi 70 persona për zjarrvënie, por ka pasur edhe nga ata që janë liruar nga Prokuroria. Në këtë pikë, Kryeministri kërkoi ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale për ta klasifikuar zjarrvënien si një krim të rëndë, pavarësisht se ai mund të kryhet pa bashkëpunëtorë. Para mediave, kreu i Ekzekutivit kritikoi edhe qëndrimin e mbajtur gjatë kësaj periudhe nga selia rozë, e cila sipas Berishës në deklaratat e shumta të kryetarit të saj nuk pati asnjë të tillë për të inkurajuar zjarrfikësit. “Është për t’u dhimbsur fakti që opozita, në një traditë unike, të pashembullt, në çdo lloj fatkeqësie natyrore mendon se do nxjerrë kapital politik duke bërtitur. Dhe po të vini re, në asnjë nga deklaratat e panumërta të tij për zjarret, nuk është bërë qoftë dhe njëherë thirrje për të denoncuar zjarrvënësit, nuk është bërë asnjëherë thirrje për të mbështetur zjarrfikësit. Një eksponent kryesor i PS-së do t’i telefononte me shumë të drejtë ministrit për t’i kërkuar ndihmë për zonën e tij. Por, kur ministri i thotë se ata që janë arrestuar janë militantë të thekur tuajt, telefoni u mbyll”, u shpreh më tej kreu i qeverisë.
Reagimi i Ramës
Kryetari i PS-së, Edi Rama, ironizoi nga faqja e tij në rrjetin social “Twitter’, Kryeministrin Berisha. Sipas tij, vetëm “mubarakët” flasin nga televizori, ndërsa liderët politikë i japin mesazhet e tyre përmes internetit. “Çdo vit në Francë bëhet një anketim për fjalën e vitit. E dini kush u zgjodh fjala e vitit 2012? Twitter! Kudo njerëzit po e kuptojnë se Twitter-i është një media private, me kosto zero e shpejtësi fantastike për kë ka nevojë të komunikojë diçka. E tanimë, edhe liderët politikë kudo në botën demokratike flasin edhe përmes Twitter-t. Vetëm ‘mubarakët’ vijojnë flasin me orë në TV, çdo ditë!”, tha Rama.
Kompensimi i agjentëve të SHISH
Qeveria miratoi në mbledhjen e djeshme një vendim për kompensimin e udhëtimit të agjentëve të SHISH-it, të cilët kryejnë detyrën e tyre jashtë zonës së banimit. Kështu, nëse një agjent dërgohet në një qytet deri në 60 km larg, ai merr një kompensim prej 8 mijë lekësh të rinj në muaj, ndërsa nëse ai kryen misionin mbi 200 km larg zonës së banimit, kompensohet me 20 mijë lekë në muaj.
“Holokausti, mësim për njerëzimin”
Kreu i qeverisë shqiptare, Sali Berisha, u shpreh dje se Holokausti duhet të shërbejë si mësim për njerëzimin. Këtë deklaratë ai e bëri në konferencën ndërkombëtare, në kujtim të Holokaustit, e cila organizohet nga Presidenca shqiptare e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës. “Holokausti duhet t’i shërbejë njeriut dhe njerëzimit, duhet t’i shërbejë qytetërimit tonë, si një mësim shumë i madh, për të mos reshtur kurrë përpjekjet tona për një shoqëri tolerante, për të shuar racizmat, fobirat, demonizimet, si një kusht më i sigurt për të ardhmen që meritojmë”, tha Berisha. Sipas tij: “Holokausti ka shërbyer dhe shërben shumë në këtë drejtim. Vështirë se po të mos ishte Holokausti, NATO dhe komuniteti ndërkombëtar do të kishte ndërmarrë ato veprime që mori në Bosnje, që mori në Kosovë, që ndërmori në Libi”.
ADI SHKEMBI
© Panorama.al











