
“Votat për Bashën, disa herë më shumë se Rama, presim KQZ-në”. Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje në një konferencë për shtyp se kandidati demokrat Lulzim Basha fitoi më shumë vota në garën për Tiranën.Sipas kryeministrit Berisha, PD ka fakte që vërtetojnë se diferenca prej 10 votash për kandidatin socialist, në fakt është disa dhjetëra vota më shumë në favor të Bashës. “Ju do më pyesni për fitimtarin dhe unë përgëzoj z.Basha që nuk doli shpejt për të vlerësuar me notën 10 veten, siç bëri z.Rama, se dallimi është i madh. Unë ju them se ky rezultat është absolutisht sipas të gjitha të dhënave që ne kemi dhe se qytetarët shqiptarë janë disa herë me tepër sesa 10 e Ramës që kanë votuar për zotin Basha, por sidoqoftë unë ju garantoj se do të pranoj çdo rezultat të paraqitur nga institucionet kushtetuese e demokratike të këtij vendi”, tha Berisha. Kreu i maxhorancës foli edhe për votat e kontestuara që sipas tij duhet të vlerësohen dhe të prodhojnë rezultat. “Tani votat e kundërshtuara janë të kontestuara, kanë logjikën e tyre, kanë kodin e tyre, kanë përcaktimin e tyre, por një gjë është e sigurtë, se ne nuk do të paraqesim as edhe një kundërshtim pa fakte të plota, fakte që do vlerësohen nga ata të cilët ne i kemi zgjedhur dhe i kemi besuar administrimin e zgjedhjeve dhe vlerësimin e tyre”, tha kreu i qeverisë duke shtuar më pas se “jemi vend si anëtar të këshillit të Europës dhe të garantoj çdo qytetar shqiptar, ndër të tjera dhe mbi të tjera, për të drejtën themelore ka tagër të plotë qoftë edhe një i vetëm t’i drejtohet Strasburgut për votën e tij, por kjo është e panevojshme sepse ne kemi institucionet tona serioze dhe unë kam besim në vlerësimin e tyre”.
Rezultati
Kryeministri e vlerësoi koalicionin qeverisës se fitoi zgjedhje me 72 mijë vota më shumë, të cilat sipas tij, përkthehen me 8 mandate deputetësh më shumë. Berisha u shpreh se pret që Rama ta urojë me telefon. “Erdha këtu përpara jush për të shprehur një mirënjohje të thellë, qytetarëve të këtij vendi, të cilët në një mazhorancë plebishitare krahasuar me aleancën tjetër, dhanë deri në numërimin e sotëm, rreth 72 mijë vota më shumë koalicionit për qytetarin. Pra atij që më ofrojë referendumin, fiks 8 deputetë më shumë në krahut tim. Po të shihni, në zgjedhjet e 2009, do të gjeni se deputetët e Partisë Socialiste ulen në ato karrige me 9 mijë vota secili, ndërsa tanët me 10 mijë vota. Pra 72 mijë vota më shumë do të thotë 8 deputetë socialistë, 5 të peshës socialiste dhe 7 të peshës demokrate më shumë nga këto zgjedhje. Unë nuk kërkoj që z.Rama të më marrë në telefon për 72 mijë vota më shumë. A do ta marrë z.Rama, z.Basha në telefon, unë nuk e di pasi kjo është puna e tij, pasi të finalizohet vendimi, por z. Basha i bëri ofertën”, tha Berisha. Gjithsesi kreu i qeverisë shprehu keqardhjen për humbjen e disa bashkive bastion të PD-së duke shtuar se do të ketë analizë nga strukturat. “Zgjedhjet kanë qenë lokale dhe unë ndjej keqardhje për disa bashki dhe komuna, të cilat nuk janë më të qeverisura nga kandidatët e koalicionit që unë drejtoj por nga ana tjetër flamuri është vetëm politik”, tha Berisha.
Fushata
“Për Tiranën, kur nisëm betejën, e nisëm për ta fituar, dhe unë kam bindjen se zhvilluam betejën më të bukur elektorale të këtij vendi. Unë shpesh e deklaroj, se librat që lexoj më shumë janë librat e fushatave elektorale, çdo fushatë është një libër për mua. I marr nga mediat e i riprodhoj duke i parë, ashtu sic shihni ju fotografitë më të dashura, i shoh për të nxjerrë mësim nga to, plus që me ndihmën e memories, jam shumë krenar për këtë betejë të qytetëruar që zhvilluam në Tiranë, e cila pati edhe pëlqimin masiv të tyre”, shtoi Berisha në konferencë për shtyp.
Mani: Humba me 3 vota në Temal
Kandidati i Partisë Demoktratike në komunën Temal të Shkodrës Nard Mani humbi garën vetëm me 3 vota ndonëse fillimisht ai kishte nisur të festonte fitore. Ai deklaroi dje se kur përfunduan numërimi i kutive u shpall fitues vetëm me 5 vota. Por më pas në kutitë e këshillit për komunën, u zbuluan edhe 8 vota për kandidatin për kryetar komune të cilat ishin të gjitha për kandidatin e majtë. Këto vota u vlerësuan ndonëse ishin hedhur në kuti të gabuar dhe fitues u shpall kandidati socialist. “O konsultova me juristë të të dy palëve por ishte e kotë sepse votat u vlerësuan ashtu siç kishin votuar zgjedhësit në komunën Temal”, tha dje ish kandidati i PD-së në Temal Nard Mani. Ai shtoi se nisi kontestimin por u vlerësua nga Kolegji Zgjedhor që votat e hedhur në këto kuti të vlerësohen sipas vullnetit të zgjedhësve, duke i dhënë mandatin kandidatit socialist.
Precedenti
Kreu i qeverisë tha dje se në vitin 2007 në komunën Temali ka një precedent që njohu votat për kandidatin e hedhur gabimisht në kutinë për këshillin. “Ku një prej kandidatëve të Partisë Demokratike, fitues me 3 vota, fitoi, por kur u hap kutia tjetër, në kutinë e këshillit u gjetën 5 vota në kutinë për kryetar, socialistët na paditën, e fituan çështjen dhe kandidati ynë që u shpall u shkurorëzua dhe ja dorëzoi mandatin rivalit të tij, sepse gjykatësi tha se prevalon e drejta themelore e votës, se aty në qendrat e votimit ka edhe njerëz që janë të detyruar ti drejtojnë në kuti dhe e kryen ata detyrën”, tha Berisha.
Zgjedhjet 2013
Kryeministri Sali Berisha foli dje në konferencë për shtyp edhe për zgjedhjet parlamentare të vitit 2013 duke paralajmëruar si objektiv që koalicioni qeverisës të fitojë me 100 mijë vota më shumë. “Do të analizohen të gjitha shkaqet dhe do të përdoret kjo analiza në funksion të një fitoreje spektakolare në shërbim të vitit 2013. Nuk ka kurrë fitore të përjetshme e as humbje të përjetshme, ndaj edhe beteja jonë është që këto 72 mijë vota të mund t’i çojmë deri në 100.000 të paktën”, tha PD.
ERALD KAPRI
© Panorama.al











