Berisha: Votat të rishqyrtohen deri në qelizë, ne jemi fitues

May 15, 2011 | 11:05

Kryeministri Sali Berisha doli në një komunikim me mediat pak minuta pas përfundimit të numërimit në kutinë e fundit në Njësinë Bashkiake Nr. 5. Ai tha se, sipas të dhënave që ka Partia Demokratike, rezulton se Lulzim Basha është fitues i këtyre zgjedhjeve. Megjithatë, Berisha, në cilësinë e Kryeministrit, siç e tha edhe vetë, shtoi se zgjedhjet do të rishqyrtohen deri në qelizë. “Unë sot jam si Kryeministër dhe dua të bëj thirrje vëllazërore anëtarëve, militantëve dhe mbështetësve të Partisë Demokratike të presin me interes, por dhe krenari finalizimin e procesit, pasi dua të theksoj këtu se në çdo vend të botës, një proces i ndarë me vota që shkojnë jo tamam gishtërinjtë e të njëjtës dorë apo të të dyja duarve së bashku, ka një ide për t’u rishqyrtuar nga qeliza në qelizë. Ky vend ka një sistem shqyrtimi ankesash, absolutisht ndër më seriozët dhe ndër më të vlerësuarit, mbi të cilin ne nuk mund të hedhim asnjë hije më të vogël të dyshimit”. Sipas tij, “Ne jemi përpara, por unë nuk kam shpallur asnjë rezultat dhe nuk kam për të shpallur ndonjëherë. Pres rezultatin që do të shpallë në përfundimtare Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbi procedurën e bazuar në konfrontimin e të dhënave të qendrave të votimit me tabelën e KZAZ, asnjeri në botë nuk del jashtë gabimit njerëzor, ndaj të presim, ato shqyrtohen, ato janë transparente, do të dali ai rezultat dhe ne nuk do ta vëmë në diskutim. Ka disa ankesa, për të cilat palët do t’i drejtohen sistemit të ankimimit”.

© Panorama.al

Te lidhura