‘Bojkoti i PS s’dëmtoi qeverinë, bllokoi integrimin’

Dec 12, 2011 | 13:43

TIRANË- Kreu i qeverisë, Sali Berisha ka dhënë detaje për rezultatet e vizitës së tij në Francë, takimet e zhvilluara me personalitete të politikës dhe ka njoftuar për vlerësimin e madh që ka për Shqipërinë, modelin e saj ekonomik dhe potencialet e shumta për investime.

Gjatë fjalës në mbledhjen e grupit të PD-së, Berisha ka folur gjerë e gjatë për vizitën e tij dhe takimet, pas të cilave ka marrë garanci nga Franca për inkurajimin e financimeve franceze në vendin tonë.

Ai ka garantuar se qeveria do te beje gjithcka per intyegrimin, duke theksuar se procesi i integrimit është një proces i bazuar në meritë dhe për shqiptarët duhet të jetë kryekëput i bazuar në meritë.

“Në takimin me homologun francez, e njoha edhe me bllokimin që i bëri opozita procesit për dy vite, duke mos votuar ligjet me 3/5 në kuvend me idenë se në këtë mënyrë do mund të dëmtonin qeverinë, por dëmtuan statusin dhe bllokoi marrjen e tij, sikundër e njoha kryeministrin me zhvillimet e fundit, për punën normale të opozitës në parlament”- tha ai, duke shtuar se do të mbështeten sugjerimet e OSBE/ODIHR për reformën zgjedhore.

“Ai më garantoi se do të bëjë gjithçka për inkurajimin, e bizneseve franceze”- tha Berisha, duke theksuar edhe garancinë e marrë për pjesëmarrjen e kompanive franceze në projektet e energjisë së rinovueshme.

Berisha u ndal në suksesin e Kongresit të PPE, që Sarkozi e deklaroi si rithemelues të Europës pasi ai parapriu samitin e Brukselit ku u vendos dhe firmosja e qeverive të zonës euro të një traktati të ri, që përbën bazat e financave të këtij shekulli, për BE, vendet anëtarë dhe të gjithë ata që aspirojnë në BE.

“Dua t’u them se pritja ishte e ngrohtë dhe miqësore ndaj asaj ekspozeje që unë bëra për suksesin e Shqipërisë bazuar në zbatimin rigoroz të politikave dhe parimeve, vlerave që ndajnë partitë e qendrës së djathtë, taksat e ulëta, qeveria e vogël, qëndrimi liberal ndaj ekonomisë, privatizimi, morën vlerësim shumë të madh në atë audiencë të nderuar”- tha Berisha.

© Panorama.al

Te lidhura