Kryeministri Sali Berisha foli dje në seancën e parë plenare në Kuvend për zgjedhjet e 8 majit, nga ku iu drejtua drejtpërdrejt kreut të opozitës.Ai i drejtoi një pyetje kreut të opozitës në lidhje me votat në kutitë e gabuara, duke kërkuar arsyen e mosnumërimit të tyre bashkë me votën e Presidentit të Republikës.
“Ndodhi që Presidenti i Republikës votoi në një kuti të gabuar, por çfarë do të thoshin qytetarët shqiptarë në qoftë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk do të hapte kutinë për të numëruar votën e tij? Ata do të thoshin se kur këta nuk çajnë kokën për votën e Presidentit, çfarë na mbetet neve?! Çfarë do të thoshte bota kur do të shihte se këtu nuk numërohet vota e Presidentit? Këta janë bizarë, do të thoshte. A nuk do të krijohej një Dushk i dytë, për të cilin u bëmë të famshëm në të gjithë Europën? A nuk do të bëheshim të famshëm edhe për atë që quhet disenfranchise të votave të hedhura? Pra, ky është një proces”, tha Berisha. Kreu i qeverisë tha se Rama tashmë nuk kërkon rinumërim, një kërkesë që ai e bëri prej 2 vitesh për zgjedhjet e vitit 2009. “Po përse nuk flet më zotëria për rinumërim? Atëherë e kishte diferencën 100 mijë vota dhe kërkonte rinumërim, tani diferenca është 81 vota, por a e keni dëgjuar të shqiptojë fjalën rinumërim. Kategorikisht jo, sepse i konceptoi votat në lule të ballit. Problemi është se kahja nuk i eci”, tha Berisha.
Sipas tij, kjo i ngjan një teatri absurd dhe e paralajmëroi kreun e opozitës se nuk do të ketë mandat në tavolinë. “Ky është një teatër absurd, kërkojnë që të shkruajnë rezultatin nga zyrat e partive, por kjo nuk mund të ndodhë në asnjë mënyrë. Ultimatumi është i tillë: ‘Ose karrigen e kryetarit, ose përmbysjen si maxhorancë’. Këtë ultimatum ia bën një maxhorance. Njeriu që qarkoi Europën me kërkesën për rinumërim sepse votat ishin vjedhur, tani kërkoi me çdo kusht mosrinumërimin e votave të qytetarëve të tyre vetëm e vetëm se ai nuk mund të njohë votë tjetër përveç votës në favor të tij, duke u kujtuar shqiptarëve kohën kur vota kundër pushkatohej, kur vota kundër ekzekutohej. Deklaron se nuk do të njohë as rezultatin, as vendimin e gjykatave, institucioneve. Pra, ‘gjithçka për karrigen time dhe çdo gjë për mua’. Kjo moto nuk funksionon dhe nuk mund të funksionojë”, tha Berisha, duke shtuar se “Kushtetuta e vendit shpall se vota është e barabartë. Këto janë vota qytetarësh me karta identiteti, me gjurmë gishtash, më të sigurtat në Europë, janë vota qytetarësh me lista elektronike. Pra nuk janë klandestine. A janë këto vota alienësh, vota të askujt? Jo”, shtoi Berisha.
Eksperiencat
“E ftoj zotin Rama të përdorë fabrikën e tij të mendimit, që e mban mbrapa, të klikojë në google www.misplaced ballots dhe do të gjejë me qindra e qindra raste kur ato kanë ndryshuar rezultatin, kur ato janë numëruar, dhe më shumë se kudo tjetër në SHBA, se aty vota ka peshën më të madhe. Por kjo ka ndodhur prore edhe në Britaninë e Madhe. Kjo ndodhi aty edhe para dy vitesh, në zgjedhjet për Parlamentin Europian dhe zgjedhjet për qeverinë vendore”, tha Berisha.
Tirana
“Unë jam këtu për të shprehur një kënaqësi të madhe shpirtërore shumë të veçantë, se në këto zgjedhje votuan mbi 1,6 milionë shqiptarë dhe kjo përbën një kënaqësi të madhe të jetës sime, përbën qetësim të një brenge 20-vjeçare, e cila buronte nga fakti se Shqipëria rridhte dhe rridhte njerëzit e saj. Kjo pjesëmarrje dëshmon se Shqipëria nuk rrjedh më, se Shqipëria nuk po braktiset, se Shqipëria po mbushet dhe se njerëzit në këtë vend kanë shpresë dhe besim”, tha Berisha.
ERALD KAPRI
© Panorama.al











