
Kreu i qeverisë, Sali Berisha, gjatë një interviste për “Ora News” ka hedhur dritë mbi krisjen që pësuan marrëdhëniet me kreun e shtetit, Bamir Topi. Berisha ka deklaruar se institucioni i Presidentit dhe KLD-ja janë shndërruar në funksione partiake. Kreu i ekzekutivit ironizoi dhe takimet e Presidentit në rrethe me funksionarët e PS-së. Sipas Berishës, Presidenti është shndërruar në nënkryetarin e PS-së.
Të flasim më konkretisht, debati politik nuk ka munguar midis palëve. Të flasim direkt për procesin që është më aktual; Presidenti Bamir Topi tha gjatë një pritjeje me gazetarët se nuk do të synojë më Presidencën pas 20 korrikut, kur i mbaron dhe mandati. Kjo do të thotë se ai do të jetë aktiv në politikë, zoti Kryeministër. A keni një koment për këtë deklaratë pak të parakohshme të Presidentit?
Kjo deklaratë vjen pasi dy javë unë u bëra të qartë shqiptarëve se ai nuk do të jetë më kandidat i kësaj shumice. Kështu që do kishte qenë më e mbarë që një deklaratë e tillë të vinte të paktën tri javë më parë. Megjithatë, më mirë vonë se kurrë. Dhe natyrisht nuk bëhet fjalë që ai të ishte kandidati i shumicës. Zoti Topi gjatë Presidencës së tij ka ndërmarrë një seri aktesh, do të thosha të papajtueshme kryekëput me programin e PD-së, ka shkelur disa nga parimet e mëdha programore të saj dhe faktikisht po dekonstitucionalizon institucionin e Presidencës duke e shndërruar atë në selinë e një partiçke të vogël; Çka nuk ka ndodhur asnjëherë në historinë e një vendi.
Cilat shkelje në programin e PD-së apo të statutit i referohen zotit Berisha?
Nuk ka pasur detyrime statuore, sepse ai ka lënë funksionet partiake. Por, refuzimi që i ka bërë ligjit të lustracionit. Ky i djathtë që këndonte majtas, unë dhashë një nga shembujt, qëndrimi i tij dhe implikimi në ngjarjet e 21 janarit, dhe një seri qëndrimesh të tjera në mënyrë absolute pa asnjë bazë, sepse kjo parti ka dëshmuar ndaj tij vetëm besim dhe mirëbesim. Ka një element në qëndrimin e njerëzimit, ajo që quhet njerëzi. Ka një thelb që është mirënjohja, nuk e kam fjalën për mua, sepse unë nuk ndërtoj marrëdhënie mbi baza personale, por ndaj atyre që të morën dhe të vendosën në besim të plotë në karrigen më të lartë të shtetit. Tregove se kishe zero mirënjohje, zero njerëzi. Në këtë kontekst, mendoj që ta lëmë dhe këto muaj që kanë mbetur. Pavarësisht se e ka shndërruar në seli të një partize, ka përcaktuar dhe nënkryetarët dhe shfrytëzon duke dëmtuar fort, funksionet e kryetarit të shtetit që në Shqipëri janë ceremoniale. Ai që ka funksione ceremoniale, mund të nderojë me nderin e Kombit, por de fakto dhe de jure në ligjet e vendit KLD-ja është qeveria e drejtësisë, është ekzekutivi që i kontrollon, transferon, shkarkon, emëron të gjitha këto. Një pushteti që duhet të jetë tërësisht i pavarur dhe që sot po kalon ditët më të vështira, sepse sundohet nga një parti e vogël. Një parti që nuk është as 1%, që e provoi veten në regjistrimin e popullsisë.
Po i referoheni Aleancës Kuq e Zi në këto momente?
Ajo është partia. Partia faqezi. Nuk e them këtë, sepse në Shqipëri janë 60 parti, dhe janë të mirëpritura dhe 60 të tjera, por brenda rregullave. Kur individë të caktuar uzurpojnë institucionet kushtetuese, pse nuk japin dorëheqjen? Pse nuk japin dorëheqjen dhe jo të bëjnë atë që bëri ai me këto dy institucione, me Presidencën dhe KLD-në? Njeriu i qytetëruar që ka nocionet më elementare të shtetit, nuk mund të lejojë që nga kreu i KLD-së, nga pushteti më i rëndësishëm i vendit, sepse është pushteti që lidhet me shumë se me çdo gjë tjetër liritë dhe të drejtat e qytetarëve të vendit, nuk mund të kthehet në partiçkë të vogël të sharlatanëve, të cilët morën përgjigjen më shembullore me censusin e këtij vendi. Por, kjo periudhë është një periudhë e shkurtër, dhe natyrisht institucionet do të rivendosen në kushtet e kushtetutshmërisë së vendit.
Në diskutimin tuaj iu referuat nënkryetarit të KLD-së, Kreshnik Spahiu, por për të qenë më konkret, a është përgjegjës zoti Topi për këtë situatë të krijuar?
Përgjegjësitë për situatën aktuale të Drejtësisë janë mbi të gjitha përgjegjësi të qeverisë së drejtësisë të KLD-së. Mendoj se ky institucion, sipas dokumenteve të pakontestueshme ndërkombëtare, ka përgjegjësi të mëdha për drejtësinë e vendit, por sërish nuk ka vend për dëshpërim. Kushtetuta është një ligj i shkëlqyer i vendit, ligjet janë shumë të mira. Individë të caktuar abuzuan me to në muajt e fundit të mandatit, le të vazhdojnë. Duhet thënë që rasti është i paprecedentë.
Thatë pak më parë që zoti Topi kishte besimin e maxhorancës që mori mandatin 5 vjet më parë. Në këndvështrimin tuaj ka qenë një sjellje e paramenduar e zotit Topi apo diçka ndryshoi?
Duhet thënë që këtu nuk bëhet fjalë për raportin zoti Topi–PD, por zoti Topi–qytetarë shqiptarë, të cilët nuk mund të kenë në Presidencën e vendit, nuk mund ta pranojnë te kenë një partiçkë të vogël në vend të një institucioni kushtetues. Ky është problemi madhor. Çdo njeri që ka alfën e Kushtetutës dhe ligjit, nuk mund të pranojë një gjë të tillë. Shqipëria është republikë parlamentare, në një republikë presidenciale, ai mund të ketë një nënkryetar apo zëvendës të tij, por, de fakto ai drejton makinerinë e tij, sepse i duhet për të vazhduar garën elektorale. Por, në republikën parlamentare, Presidenti si një simbol i një kuptimi më të gjerë të mundshëm mban një qëndrim sa më të balancuar, por jo armiqësor ndaj maxhorancës. Çdo qëndrim armiqësor ndaj maxhorancës të nxjerr jashtë Kushtetutës. Maxhoranca është formacioni i autorizuar me Kushtetutë për të qeverisur vendin. Ajo merr përsipër pasojat e mira apo të keqqeverisjes, paraqet te njerëzit përpjekjet e saj. Por, përpjekjet për t’i futur thikat dhe pykat janë antiligjore dhe antikushtetuese. Mora vesh se ju tha dhe ju në takimin e fundit se nuk do të takohemi më, kjo më përmalloi shumë, por më vjen keq….(qesh)
Zoti Topi në një farë mënyrë tha se fillimi i ftohjes me ju dhe maxhorancën ka qenë pas ndryshimeve kushtetuese. Zoti Topi tha se nuk i është marrë asnjë mendim për këtë çështje.
Ndryshimet kushtetuese kërkojnë 2/3 e Parlamentit dhe këto ndryshime u bënë me një konsensus të plotë të dy partive. Në qoftë se zoti Topi nuk e gjente veten në këtë konsensus të dy partive, ai kishte një të drejtë të bënte përpjekje për referendum, për ta bllokuar këtë proces. Në rrafshin personal, në rast se flet maxhoranca kushtetuese, as Kryeministri, as Kryetari i Parlamentit, askush tjetër nuk ka dhe nuk mund të ketë një zë të veçantë. S’i mbetet gjë tjetër, vetëm të respektojë vullnetin e maxhorancës kushtetuese, sepse ka marrë votat e qytetarëve. Nuk është Kushtetuta as kujtime dhe as artikuj gazetash. Kushtetuta është ligji themelor i vendit. Në rast se dy partitë e mëdha vendosnin për një ndryshim për të mirën e vendit, mendoj se zoti Topi duhet të gjente veten e tij në këtë spektër të gjerë. Por nuk e gjeti, e gjeti tek vetja e tij pastaj. Maxhoranca kushtetuese nuk mund të marrë parasysh interesa të individëve të caktuar.
A ka një skenar për të bllokuar zotin Topi në rastin konkret kur të dalë në funksionet politike? Ai ka qenë në disa rrethe dhe nuk është pritur nga përfaqësuesit e PD-së.
E kanë pritur përfaqësuesit e Partisë Socialiste! Kush po e bllokon. E kanë pritur të gjithë përfaqësuesit e PS-së, shumë më mirë seç mund të prisnin Mimi Kodhelin, që është nënkryetare. E kanë pritur si të ishte nënkryetari i Partisë Socialiste, sepse e panë që votoi për kryetarin e PS-së. Ai pritet kudo nga PS-ja. Kështu që të vazhdojë. Nuk ka asnjë problem.
Kjo do të thotë që nuk do të përbëjë asnjë problem për PD-në në zgjedhjet e ardhshme?
A nuk bëri me partinë propagandën më negative kundër censusit? Partia e tij, nënkryetari i tij, a mund të ndodhë në një vend që të realizohet censusi, që është një proces madhor që kryhet një herë në 10 vjet. Nënkryetari i Presidentit t’i bjerë Shqipërisë kryq e tërthor, me slogane nga më të papranueshmit kundër pakicave. Dhe zëvendësi i Presidentit të çirret kundër pakicave dhe Presidenti, që hesht si fije bari, nuk e ka shqiptuar asnjëherë fjalën census. Por përse? Sepse zëvendësi i tij dilte dhe e quante censusin si një proces që financohet nga serbët dhe grekët, pra si një akt tërësisht të papranueshëm. Por duhet thënë që ishte censusi më i mirë që është kryer në gjithë këto vite. Ky ishte censusi që u krye me teknologjinë më moderne. Ky është censusi që shkruan një realitet të ri për shqiptarët. Vetëm një fakt, ky census thotë që janë në Shqipëri 330 mijë familje shqiptare që kanë më shumë se një banesë. Ky census u thotë shqiptarëve që është krijuar klasa e mesme, dhe ka një klasë të mesme që në vitin 2001 ishte fillestare dhe është shumëfishuar kjo klasë e mesme, mbi 6 herë në këtë periudhë. Kjo është një arritje e jashtëzakonshme. Shqipëria është e ndërtuar nga 740 mijë familje shqiptare, prej tyre 330 mijë kanë më shumë se një banesë.
Ka pasur gjatë këtyre viteve tentativa apo përpjekje për të gjetur kthimin e paqes midis jush?
Nuk bëj luftë me njeri. Unë jam zyrtar, jo luftëtar.
Kontakti i fundit me zotin Topi kur ka qenë?
Në festën e Flamurit dhe të Çlirimit. Nuk kam unë probleme dhe pengesa personale me asnjë njeri. Është jashtë atij koncepti.
Shpeshherë janë hedhur në treg emra për garën presidenciale. Ka pasur dhe emra që janë vetëdeklaruar, siç është dhe rasti i zotit Nano. Zoti Berisha, edhe pse është pak shpejt, por a e keni menduar se çfarë Presidenti do të kemi?
Garantoj shqiptarët se do të jetë një zgjedhje kushtetuese, do të jetë një zgjedhje në përputhje të plotë me Kushtetutën e këtij vendi. Kjo nuk ka asnjë mëdyshje. Në çdo kohë unë kam dhe do të kem si udhërrëfyes Kushtetutën. Politika në çdo kohë është dallim. Ata që përpiqen ta trajtojnë politikën si konsensus, e vërteta është se ata thonë një mashtrim të madh. Politika është dallim dhe lavdi Zotit që është dallim. Ajo është dallim dhe përmbush misionin e saj, në momente të caktuara bihet në kompromis, por politika konsensus nuk është. Për një shoqëri e një vend marrëveshja më e gjerë është Kushtetuta. Ajo është kontrata e qytetare me shtetin dhe e shtetarëve me shtetin, ndaj unë i përulem asaj, por, siç është faktuar në mënyrë të përsëritur, nuk është pranuar që të bëj kompromise për dhunimin e saj. Nuk kam pranuar dhe nuk do të pranoj të tentohet të rishkruhen nenet e saj. Imagjino zhurmën që u bë për votat, cili është sot rezultati i saj? Rezultati i saj është: u numërua çdo votë, një detyrim kushtetues. Shqipëria pati sistemin e saj të Drejtësisë, gjykatën e saj zgjedhore që u zgjodh bashkërisht, e cila gjykoi validitetin e këtyre votave dhe, sipas OSBE-së e KE-së, ato ishin vota të vlefshme. Duke thënë këtë, në rast se opozita ka ndër mend të votojë kandidatët tanë, do ketë vlerësimin më të madh.
Kur thatë pak më parë që do të respektoni Kushtetutën për zgjedhjen e Presidentit, kjo e përjashton atë që ka thënë zoti Rama ditë më parë, se shpreson në zgjedhjen e një Presidenti konsensual?
Në qoftë se zoti Rama merr përsipër të votojë kandidatin e maxhorancës, unë këtë e vlerësoj, s’kam pse ta refuzoj. Një dorë e shtrirë vlerësohet, nuk refuzohet, por unë po qartësoj që Presidenti do të zgjidhet në përputhje me Kushtetutën e vendit, dhe do të jetë një kandidat i maxhorancës.
Kjo e përjashton zotin Nano?
Unë i kam bërë të qarta qëndrimet e mia në këtë aspekt. Ky vend nuk mund të bëhet në qoftë se nuk konsolidojmë Kushtetutën e tij, në qoftë se faktorët e rëndësishëm nuk kuptojnë që s’janë mbi Kushtetutën. Me zotin Rama ne ramë dakord që Presidenti të zgjidhet 50+1 dhe i dhamë Kushtetutës mundësinë të funksionojë, së përndryshe do të shkohej në zgjedhje. Tani që ne e sollëm atë në parametra perëndimorë, siç është Kushtetuta gjermane apo italiane, tani kërkohet të kthehemi tek ai variant, ai grek që e çoi Greqinë në zgjedhje. Tani që ta bëjmë Presidentin pre të ambicieve politike të kësaj apo asaj force dhe të fusim vendin në zgjedhje, në një kohë kur ka funksione simbolike, unë mendoj se këto ndryshime ishin shumë të rëndësishme dhe unë u qëndroj atyre.
Zoti Rama është bërë pishman?
Në fakt, pishmanli i madh është. Kjo është puna e tij, nuk kam ç’t’i them.
Meqë jemi te argumenti i kësaj çështjeje, është lakuar dhe emri i zonjës Topalli, apo do të ketë një emër surprizë?
E kam theksuar, çdo drejtues i PD-së në vlerësimin tim i ka mundësitë për të qenë ministër, kryeministër, president dhe funksionet e larta të shtetit. Por, të garantoj se në mendjen time nuk ka asnjë emër për garën e postit të presidentit dhe kemi një afat kohor 6-mujor, kështu që nuk kam pse t’u pararend përcaktimeve kushtetuese për këtë problem.
Flasim për një marrëdhënie, të paktën 3 viteve të fundit ka qenë e vështirë midis maxhorancës dhe opozitës, flas për kërkesën për hapjen e kutive, tensionet e 21 janarit, tensionet e 8 majit. Çfarë hendeku e pengon këtë komunikim me Ju dhe zotin Rama?
Unë mendoj se së pari duhet të saktësojmë a është kjo çështje komunikimi. Vetëm në harkun kohor tetor-nëntor në vitin 2009 kam pasur dy takime me zotin Rama. Nuk ka qenë problem komunikimi, sepse unë komunikimin e kam mjet konstant. Dhe unë, dhe ai sa herë që e gjykojmë që duhet të komunikojmë njëri me tjetrin, ne i kemi kanalet tona të komunikimit, kjo është gjë normale. Dhe unë nuk heq dorë nga kjo.











