“Taksa progresive e PS, mekanizëm marksist”

Dec 6, 2011 | 11:56

TIRANË- Kryeministri Sali Berisha ka komentuar propozimet e PS-së për taksën progresive, duke e cilësuar atë zëvendësim të tregut të lirë me mekanizmin marksist, një populizëm pa materie dhe që sigurisht nuk sjell uljen e varfërisë.

Duke shprehur keqardhje për propozimet e bëra nga opozita, Berisha e ka ftuar at të jetë konkrete me propozimet që sjellin uljen e varfërisë në vend dhe jo propozime që sjellin truste dhe favorizojnë kompani të caktuara.

“Në byro nuk mbeti njeri nga fëmijët e bllokut pa hyrë. Po me taksat çfarë kishin. Le t’i rikthejnë dhe anëtarët e byrosë politike në këshillin e të urtëve, ajo nuk është punë e jona, i dhimbshëm ishte propozimi i tyre, që kishte parasysh absolutisht truste dhe kompani të caktuara. U bëj thirrje mësuesve, infermierëve, mjekëve, pensionistëve,  shqiptarëve me cilin model do të ishin dakord, me atë që u jep 22 mijë lekë dhe u merr 7 mijë, apo me atë që u jep 500 mijë dhe u merr 50 mijë, kur u mbeten 450 mijë? Cilin do preferonin shqiptarët? Modelin e pikatores dhe skamjes, apo modelin e dyfishimit të rrogave”- tha Berisha gjatë mbledhjes së qeverisë.

Sipas tij, ideja e tyre për të zëvendësuar taksën e sheshtë me taksën progresive është ideja e shkatërrimit të suksesit ekonomik të reformave. “Varfëria nuk luftohet duke shkatërruar të pasurit. Këtë në mënyrën më tragjike e kanë provuar shqiptarët. Vlerësoj diskutimet e opozitës, por ndjej dhimbje kur nuk propozoi për rritje rrogash pensionesh, por u kujdes për tregtarët e miellit e grurit, që të heqin TVSH e bukës, praktikë që është faktuar se nuk jep ulje cmimesh. Vetëm u lë grurin e misrin në ara, mbyll pularitë në vend”- theksoi ai.

© Panorama.al

Te lidhura