Kryeministri Sali Berisha i ka kërkuar dje ministrit të Kulturës, Aldo Bumçi, të sjellë në qeveri për miratim vendimin për të ngritur muze në Burgun e Spaçit.Sipas tij, ky burg duhet të tregojë pas rindërtimit të gjithë atë që regjimi komunist i bëri vendit deri në vitin 1990. “Ministria e Kulturës duhet të sjellë sa më shpejt në qeveri vendimin për ngritjen e muzeut në Spaç. Spaçi duhet të rindërtohet, të simbolizojë të gjithë egërsinë e diktaturës. Ne nuk mund të shkojmë drejt 100-vjetorit pa ridimensionuar, siç ishte historia jonë, pa qëllime hakmarrëse. Në Shqipëri nuk pati hakmarrje. Ju e shihni, Çian Çini shqiptar jep intervista kundër qeverisë. Kjo është e vërteta. Nuk ka pasur dhe nuk ka këtu tendenca, por kujtesa kombëtare është e domosdoshme, vendosja e kujtesës, nderimi është i domosdoshëm. Ne jemi komb që duhet të mësojmë për të ndërtuar të ardhmen, por duke njohur dhe atë që përjetuam”, u shpreh Kryeministri. Duke folur për ligjin e të përndjekurve politikë, ai tha se rritja e numrit të përfituesve nuk do të thotë që të përfshihen edhe kolaboracionistët. “Nuk bëhet fjalë këtu për të zbutur asnjë qëndrim ndaj kolaboracionistëve. Kolaboracionizmi ka marrë ndëshkim botëror, por bëhet fjalë për ata që u ekzekutuan për bindje të drejta politike, për qëndrime të qarta kombëtare, ndaj dhe duhet ditur që ky ligj është një ligj që do të ketë dinamizmin e domosdoshëm”, theksoi më tej kreu i Ekzekutivit.
Data e ligjit
Në mbledhjen e djeshme të qeverisë u paraqit për miratim ndryshimi i nenit 1 të ligjit, sipas të cilit do të njihet si krim i regjimit komunist 25 tetori i vitit 1944 nga 30 nëntori 1944, që është tani. Por, pas diskutimeve mes ministrave, u ra dakord që kjo datë të diskutohet edhe njëherë përpara se akti përfundimtar të kalojë në Parlament për miratim. “Objekt i këtij ligji është edhe dëmshpërblimi i familjarëve të viktimave, të ekzekutuara apo të pushkatuara padrejtësisht për motive politike, me vendime penale të formës së prerë të gjykatave të zakonshme apo speciale, ose me urdhra të organeve të hetuesisë, gjatë periudhës 25.10.1944 deri më 1.10.1991, si dhe dëmshpërblimi financiar për personat e internuar ose të dëbuar, me kusht që humbja e jetës apo periudha e vuajtjes së internimit ose dëbimit të vërtetohen me dokument, të krijuar si burim arkivor para datës 1.10.1991”, thuhet në variantin e paraqitur dje, por që nuk u miratua. Sipas drejtorit të Institutit të të Përndjekurve Politikë, Simon Miraka, nëse data 25 tetor 1994 do të vendoset përfundimisht si fillimi i krimeve të komunizmit, do të përfshiheshin edhe 38 qytetarë të Tiranës të pushkatuar në periudhën 30 tetor – 16 nëntor dhe që deri tani familjarët e tyre nuk përfitonin. Megjithatë, sipas tij, kërkesa e të përndjekurve është që data e fillimit të periudhës së persekutimit komunist është 20 gushti 1943, kur u mbajt Konferenca e Mukjes.
“Zogu ndërtoi shtetin shqiptar”
“Njeriu që ndërtoi shtetin prapë mbetet i skajuar. Ai është Mbreti Zog. Përse mbetet i skajuar? Sepse në propagandën e tij diktatori vendosi një mal shpifjesh mbi sundimin e tij. E vërteta është që në histori, i pari ndërtoi shtet dhe histori, dhe nuk e bazoi atë në luftën e klasave, ndërtoi një shtet në një kohë kur elementët aventurierë, të cilët donin me pyka dhe qyta të përmbysnin çdo javë një qeveri, nuk ishin të pakët, por ai ndërtoi shtetin. Vendosi ligjin. Një gjë është e sigurt dhe historia do të dalë siç është. Nuk është kurrë historia dhe nuk ka qenë kurrë vetëm me të mira, vetëm me lavdi. Historia është histori dritëhijesh”, tha dje Kryeministri Berisha.
ADI SHKEMBI
© Panorama.al











