Berisha: Shqipëria, 21 vite dritë larg asaj të vitit 1990

Dec 9, 2011 | 12:52
Berisha, gjatë punimeve të PPE në Marsejë

Kryeministri Sali Berisha ka përshëndetur nga Marseja qytetarët me rastin 8 dhjetorit, ditës kur studentët u ngritën kundër regjimit komunist. Kreu i qeverisë ndodhet në Francë, ku po merr pjesë në takimin e Partive Popullore Europiane. “21 vjet më parë dhjetori do të hynte si një dimër i thellë. Kombi ndodhej në vetminë dhe në dëshpërimin më të thellë. Diktaturat komuniste kishin rënë njëra pas tjetrës, Shqipëria mjerisht projektohej si ‘Kuba e Adriatikut’, por kjo jo në mendjen dhe në zemrën e të rinjve shqiptarë. Në mendjen dhe në zemrën e tyre kishte lëshuar shtat Shqipëria e lirë, Shqipëria e qytetarëve të lirë, Shqipëria e vokacionit perëndimor, Shqipëria e integrimeve”, u shpreh kreu i qeverisë, një nga protagonistët kryesorë të asaj kohe. Sipas tij, 21 vjet më parë studentët në një kohë të shkurtër gjunjëzuan diktaturën më të egër në Europë dhe morën në dorë çështjen kombëtare dhe shmangien e një konflikti vëllavrasës brenda vendit. “21 vjet më parë, të rinjtë dhe të rejat e Tiranës, studentet dhe studentët, punonjës dhe qytetarë, intelektualët e kryeqytetit zhvilluan një betejë legjendare, një betejë të ngjashme me betejën midis Davidit dhe Goliasit, që gjunjëzuan në një kohë të shkurtër diktaturën më të egër në Europë, morën në dorë udhëheqjen e një lëvizjeje të paprecedentë në historinë tonë kombëtare, lëvizje e cila do të përcaktonte si objektivat më madhore, Shqipërinë e lirë europiane, çështjen kombëtare si çështje të para, rrugën demokratike të zhvillimeve dhe shmangien e një konflikti vëllavrasës brenda vendit”, tha Berisha. Sipas tij, “ata që formësuan këtë lëvizje, me kurajë, me ndenja, me dashurinë e tyre për vendin, përmbushën me dinjitet të madh këtë mision”.
Pas 21 vjetësh
Kryeministri Berisha tha se tani, 21 vjet pas ngritjes së studentëve kundër regjimit të kohës, Shqipëria është një vend anëtar i NATO-s dhe qytetarët e saj mund të udhëtojnë lirisht drejt vendeve të Bashkimit Europian. “Shqipëria, 21 vjet më pas, është 21 vite drite larg asaj që ishte në dhjetorin e vitit ‘90. Shqipëria sot është vend anëtar i NATO-s. Ëndrra europiane e të rinjve të vendit më të izoluar të Europës u bë realitet. Gjaku i atyre dhjetëra e dhjetëra, në mos qindra të rinjve dhe të rejave që u ekzekutuan barbarisht në kufijtë  e vendit në vitin ’90, u bë dritë dhe sot shqiptarët lëvizin të lirë në mbarë Europën”, tha Berisha. Në cilësinë edhe të kryetarit të Partisë Demokratike, ai tha se rinia e vendit do të jetë përcaktuese në fitoren e kësaj partie edhe në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. “Unë dua t’ju përshëndes ju këtë ditë, të rinjtë dhe të rejat e Shqipërisë, sepse në këto 20 vite ju ishit forca më kryesore e demokracisë së vendit. Ju përcaktuat fitoren e qendrës së djathtë në vitin 2009, përcaktuat fitoren me votën tuaj, fitoren e vitit 2009, fitoren e këtyre parimeve në vitin 2011 dhe kam bindjen më të plotë se ju, me energjitë, me mençuritë, me vizionin, me përkushtimin, me idealet  e larta, fisnike të Dhjetorit të vitit ‘90 do të përcaktoni fitoren më të thellë të qershorit të viti 2013″, përfundoi fjalën e tij Kryeministri.

Festa
Pas Ditës së Rinisë, e shpallur ditë pushim me vendim qeverie, Partia Demokratike do të festojë të hënën, më 12 dhjetor, 21-vjetorin e krijimit të saj. Prej disa ditësh organizatorët e kësaj ceremonie, që do të zhvillohet në orën 18:00 në Pallatin e Kongreseve, kanë shpërndarë ftesat. Qindra të ftuar pritet të marrin pjesë në këtë festë, në të cilën pritet të mbajë një fjalë Kryeministri Berisha.

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura