Berisha: S’do t’i rrisim kurrë taksat ndaj të pasurve

Nov 19, 2011 | 11:14

Kryeministri Sali Berisha e ka kritikuar dje sërish opozitën për propozimin e saj për heqjen e taksës së sheshtë dhe vendosjen e taksës progresive. Duke folur në ceremoninë e përurimit të impiantit të prodhimit të biokarbureve në Porto-Romano, kreu i qeverisë është shprehur: “Ju garantoj se qeveria do të bëjë gjithçka për mjedisin më miqësor ndaj jush. Dhe ata që besojnë se mund të zhvillojnë vendin duke u vërsulur me taksa ndaj të pasurve, siç thonë, u rikujtojnë shqiptarëve një kohë të cilën kurrë nuk do ta pranojnë më”. Berisha ka akuzuar gjithashtu edhe aktorët që dolën kundër ligjit të plehrave, teksa tha se, “sikundër më duhet t’u them antiglobalistëve se nuk keni të ardhme. Aleanca juaj e fundit, të cilën qytetarët rëndom po e cilësojnë si aleanca e plehut, është aleancë e dëshpëruar, e pashpresë. Ju nuk promovoni aspak, pavarësisht nga pozicionet në të cilat ndodheni, mjedisin e shëndetshëm”. Lidhur me këto qëndrime të Kryeministrit ka reaguar dje sërish në rrjetin social ‘Twitter” kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, sipas të cilit, “të pasurit do shpëtojnë nga gjobat, mjedisi nga plehrat dhe Shqipëria nga kënga e gjelit majë plehut”.

© Panorama.al

Te lidhura