Qeveria mund të rrisë moshën e pensionit

Sep 5, 2011 | 14:57
Foto Ilustruese/ pensionistë

TIRANE- Kryeministri, Sali Berisha deklaroi sot se duhet rishikuar mosha e daljes në pension.

“Jetë gjatësia  po zgjatet në mënyre të ndjeshme, mosha 65 vjeç për pensione të caktuara në një kohë kur jetëgjatësia mesatare ka qenë 70 vjeç, kur sot jetëgjatësia mesatare po shkon rreth 78 vjeç. Nuk janë të lumtur njerëzit që dalin në pension, jo. Shumë prej tyre kërkojnë të rrinë më shumë, ndaj dhe ne do të vëmë indeksimet e zgjatjes së moshës  së  pensionit me zgjatjen e jetëgjatësisë”- tha kryeministri gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.

Në krahasim me vendet ish komuniste, ne ia kemi dalë të rrisim shumë më tepër pesnionet, tha kreu i ekzekutivit, duke shtuar se, është dashur që  të derdhen para për fondin e pensioneve nga buxheti i shtetit nga taksat e taksapaguesve.

“Ne duhet të bëjmë që gjenerata tjetër të mos derdhë asnjë qindarke nga buxheti i shtetit, por kjo të mbulohet nga kontributet , ne do ta bëjmë këtë”-theksoi Berisha.

Sot Shqipëria është në të tjera kushte, vazhdoi kryeministri, “Nuk është më Shqipëria e turneve, jo. Nuk është më Shqipëria e uzinave mbytëse kimike, jo.  Të tjera kushte sot, ndaj dhe ne do ta shqyrtojmë me seriozitet  intensiv në të mirë të qytetarëve shqiptarë”- përfundoi ai.

 

© Panorama.al

Te lidhura