Berisha: Reformën zgjedhore do ta bëj bashkë me opozitën

Sep 25, 2011 | 12:24

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kërkojnë qeverisë që të vazhdojë kryerjen e reformave. Nënsekretari amerikan i Shtetit, William Burns, u takua dje në Nju Jork me Kryeministrin Sali Berisha, ku bisedoi lidhur me ecurinë e Shqipërisë. Sipas një njoftimi zyrtar të Këshillit të Ministrave, “nënsekretari Burns shprehu mbështetjen e SHBA-ve për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, si një proces që e çon Shqipërinë drejt progresit. Ai u shpreh se lista e reformave të ndërmarra nga qeveria shqiptare në fushën e ekonomisë, edukimit, infrastrukturës etj., është impresionuese dhe tregues i asaj që mund të arrihet. Nënsekretari Burns inkurajoi vazhdimin e reformave dhe ecjen përpara. Nënsekretari i Shtetit, Burns, shprehu dëshirën për të vizituar sa më shpejt Shqipërinë”. Gjatë takimit, zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit vlerësoi kontributin e Shqipërisë në Afganistan, luftën kundër terrorizmit, si dhe rolin e Tiranës zyrtare në rajon dhe sa i përket çështjes së Kosovës. Burns tha se SHBA do të insistojnë në njohjen e Kosovës nga vendet që ende nuk e kanë njohur. Nga ana e tij, Kryeministri Berisha vlerësoi ndihmën që kanë dhënë SHBA lidhur me anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Duke u ndalur në situatën politike në vend, Berisha tha se kthimi i PS-së në Kuvend i rikthen normalitetin jetës politike. “Kryeministri theksoi se zgjedhjet vendore të vitit 2011 ishin zgjedhjet më të mira të zhvilluara, të cilësuara edhe nga vëzhguesit ndërkombëtarë si kompetitive dhe transparente. Ai vlerësoi kthimin e opozitës në Parlament si një hap në drejtim të normalizimit dhe kthimit në kornizën institucionale të jetës politike, pas një bojkoti më se dy-vjeçar dhe një qëndrimi bllokues të vazhdueshëm”, thuhet në njoftimin për shtyp të Kryeministrisë. Në fund Berisha e garantoi zyrtarin e lartë amerikan për kryerjen e reformës zgjedhore së bashku me opozitën. “Kryeministri Berisha e siguroi nënsekretarin Burns për gatishmërinë e qeverisë shqiptare për të përmbushur të gjitha reformat për integrimin europian. Në mënyrë të veçantë, Kryeministri Berisha nënvizoi rëndësinë e realizimit me sukses dhe konsensus e vullnet pozitiv të reformës zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it dhe gatishmërinë e maxhorancës për ta nisur menjëherë atë, së bashku me opozitën”.

Takimi
Gjatë qëndrimit në SHBA, Kryeministri mori pjesë në mbrëmjen gala, të organizuar nga Këshilli Kombëtar Shqiptaro – Amerikan, ku merrnin pjesë Presidentja dhe Kryeministri i Kosovës, ish-kryeministri Bler, zv.asistentsekretari i Shtetit, Philip Reeker, kongresisti Eliot Engel dhe ambasadori Frank Wisner. Gjatë fjalës së tij Berisha tha se “ne erdhëm në kohët moderne si një vend i përcaktuar, u përballëm me padrejtësitë më të mëdha, por, falë Zotit, sot jemi një vend i lirë. Jemi të lirë, sepse përpjekjet tona kanë vlerë falë Presidentit Bill Klinton. Përpara dy ditësh u takova me Kryeministrin Thaçi, me të dhe bëmë një fotografi së bashku. Unë thashë se ai është heroi ynë kombëtar”.

Berisha në OKB: Reformat e shndërruan Shqipërinë
Në ditën e fundit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Kryeministri Sali Berisha u është drejtuar krerëve të të gjitha vendeve anëtare me një fjalim rreth 20 minuta. Kreu i qeverisë shqiptare është ndalur fillimisht te rrëzimi i regjimeve në disa vende të Afrikës, duke i krahasuar ato me shembjen e diktaturës edhe në vendin tonë 20 vjet më parë.
Reformat
Sipas Berishës, Shqipëria, nga vendi i hiperkolektivizimit, sot është kthyer në një vend anëtar i NATO-s dhe që lëviz lirisht në vendet e Bashkimit Europian. “Sot, Shqipëria është vendi i demokracisë funksionale, shtetit ligjor, fjalës së lirë, zgjedhjeve të lira, respektimit të plotë të të drejtave të minoritetit dhe tolerancës fetare të shkëlqyer. Shqipëria ishte vendi më i izoluar në botë, tani është anëtare e Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe kontribuon për paqen e stabilitetin në rajon e më gjerë, si dhe punon me vendosmëri për integrimin europian. Shqiptarët sot lëvizin pa viza në mbarë Europën. Ndërkohë, numri i qytetarëve të huaj që kanë vizituar Shqipërinë si turistë apo qëllime të tjera është rritur nga 300 në vitin 2004, në 3.5 milionë vitin e kaluar”, u shpreh Kryeministri. Duke u ndalur te ecuria ekonomike e vendit, Berisha tha se ndërkohë që në Europë investimet e huaja u zvogëluan, në Shqipëri ato u rritën me 316 për qind. Gjatë kësaj periudhe, sipas Berishës, janë shtruar rreth 8 mijë km rrugë, ndërkohë që sytë janë kthyer nga prodhimi i energjisë elektrike, ku janë dhënë 220 koncesione për hidrocentrale. Kreu i qeverisë tha gjithashtu se interneti është shtrirë në të gjithë vendin, përfshi këtu edhe pagesat e taksave dhe doganave.
Kosova
Një pjesë e rëndësishme e fjalimit të Kryeministrit ishte edhe çështja e Kosovës. Nga podiumi i OKB-së ai u bëri thirrje të gjitha vendeve që të njohin pavarësinë e vendit më të ri në Europë. “Republika e Kosovës është njohur tani nga mbi 80 vende të botës. Shfrytëzoj rastin t’u bëj thirrje vendeve anëtare të OKB-së të njohin Republikën e pavarur të Kosovës, që është kthyer një faktor i rëndësishëm i paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit në rajonin tonë”, tha Berisha. Ai kritikoi Beogradin për mbajtjen e strukturave paralele në Veri, duke kujtuar këtu idenë e Serbisë së Madhe. “Përpjekjet e Beogradit për të mbajtur struktura paralele autoriteti në këto tri komuna të Kosovës, dëshmojnë se ende besohet te një ndryshim i kufijve në rajonin tonë, të bazuar mbi një ide të tejkaluar e të dështuar të vendeve  etnikisht ‘të pastra’ dhe Serbisë se Madhe”.
Palestina
Në fund Berisha u ndal edhe te çështja e Palestinës. “Në këtë sallë, Presidenti Abas i paraqiti audiencës kërkesën e tij për anëtarësimin e Palestinës në OKB. Qeveria ime e mbështet plotësisht idenë e një Palestine të pavarur. Por besoj se veprimet e njëanshme nuk do të jenë të dobishme. Prandaj u bëj thirrje miqve tanë palestinezë të mbështesin deklaratën e djeshme të kuartetit, në të cilën ata paraqitën një udhërrëfyes të qartë veprimesh, për të adresuar këtë çështje thelbësore të kohës sonë. Faleminderit shumë”, u shpreh Berisha.

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura