Kryeministri hedh poshtë sërish propozimin e PS për taksën progresive. Reagon kreu i PS: 95% e shqiptarëve do paguajnë më pak
Kryeministri Sali Berisha ka konfirmuar edhe njëherë qëndrimin e maxhorancës për të mos pranuar propozimin e PS-së për vendosjen e taksës progresive dhe heqjen e taksës së sheshtë 10%. Duke folur në ceremoninë e hapjes së Panairit Agro-Biznes-Turizëm në komunën e Petrelës, kreu i qeverisë tha se propozimi i opozitës rrit numrin e të papunëve në vend. “Dua t’i përgëzoj dhe ata për investimin që kanë bërë dhe dua t’i garantoj se qeveria, jo vetëm që nuk do të rrisë taksat siç kërkon zoti Rama, me një urrejtje arkaike ndaj të pasurve. Unë i them atij se problemet e varfërisë në sistemin e lirisë nuk zgjidhen kurrë duke luftuar të mëkëmburit, por zgjidhen duke bërë çdo gjë që edhe të varfrit të bëhen të mëkëmbur dhe në qoftë se t’i rrit taksat siç thua, për të shkatërruar me një të rënë të lapsit qindra-mijëra vende pune, nuk bën gjë tjetër veçse thellon varfërinë dhe mjerimin në vendin tënd, por kjo kohë ka perënduar dhe nuk kthehet më. Merru më kujtimet e tua”, u shpreh kreu i qeverisë. Ai tha se Ministria e Bujqësisë dhe një grup pune i ngritur së fundmi po punon për t’i dhënë më shumë kompetenca pushtetit vendor për të shfrytëzuar tokat. “Ne po shtrijmë infrastrukturën, ne do ju garantojmë ju rrugë të asfaltuara kudo që jeni, shkolla të njëjta me qytetet kudo që jeni, kanalizime ujësjellësa vaditjeje kudo që jeni. Por jeni ju zotër të tokës dhe ju takon ju t’i shndërroni komunat tuaja në prodhimin më të fuqishëm në rrethin e Tiranës dhe në Shqipëri”, tha Kryeministri. Lidhur me deklaratat e kreut të qeverisë reagoi dje në rrjetin social “twitter”, kreu i opozitës, i cili duke mbrojtur propozimin për taksën progresive, tha se “95% e shqiptarëve do paguajnë më pak, ndërsa biznesmenët do shpëtojnë nga kthetrat e bizneseve të pushtetit. Për cilët të pasur e ke fjalën Sali, për 99% të tyre që po i mbyt, apo për 1% që po i majm? Të gjithë do paguajnë sa u takon”.











