Kryeministri Sali Berisha reagoi dje nëpërmjet një deklarate zyrtare pas protestës së organizuar nga opozita në Gërdec, në përkujtim të 3-vjetorit të ngjarjes së rëndë ku humbën jetën 26 qytetarë shqiptarë. Kreu i qeverisë e cilësoi protestën si një lojë makabër të opozitës që përsëritet sa herë që ka zgjedhje. “Kryeministri përshëndet aktin dinjitoz të banorëve të Gërdecit, distancimin e tyre nga loja makabre që po vazhdon të luajë Partia Socialiste dhe kryetari saj Edi Rama me dhimbjen e të afërmeve për jetët e të humburve të 15 marsit sa herë afrojnë fushatat elektorale”, thuhet në reagimin e kryeministrit. Më tej në këtë reagim thuhet se në 2-vjetorin e kësaj tragjedie, Edi Rama nuk u kujtua për këto viktima, pasi nuk ishte një vit elektoral. Qeveria garantoi se do të angazhohet në lehtësimin e jetës së këtyre banorëve. Kryeministri u shprehu ngushëllime banorëve të prekur nga tragjedia. “Kujtojmë se në 2-vjetorin e kësaj tragjedie Edi Rama nuk u kujtua fare për viktimat, pasi nuk ishte vit elektoral. Qeveria i garanton banorët e kësaj zone se do të angazhojë të gjitha mundësitë e saj për të ndihmuar e lehtësuar jetën e tyre. Sot, Kryeministri Sali Berisha i bashkohet dhimbjes së familjarëve të viktimave që 3 vjet më parë humbën jetën në tragjedinë e Gërdecit. Kryeministri u bën thirrje institucioneve të drejtësisë të mos vonohen në ndëshkimin e përgjegjësve të kësaj tragjedie”, thuhet më tej në njoftim.











