Berisha: Rama donte Kryeministrinë

Jan 29, 2012 | 10:43

Berisha në Forumin Rinor Demokratik Rajonal

Kreu i maxhorancës në Forumin Rinor Demokratik Rajonal flet për opozitën dhe 21 janarin

“U përpoq me akte dhune që të mbante një fjalim nga zyra ime”

Kreu i maxhorancës, gjatë një takimi që zhvilloi dje me Forumin Rinor Demokratik Rajonal, iu rikthye ngjarjeve të 21 janarit dhe veprimeve të opozitës pas zgjedhjeve parlamentare të 2009-s. Berisha akuzoi Ramën se me akte dhune donte të merrte pushtetin. “Trupi ndërkombëtar që vëzhgoi zgjedhjet tha se nuk kishte prova për manipulim të rezultateve apo numërim të parregullt. Sepse nuk kishte prova, çfarë ishte kontestuar ishte rishikuar Gjykata, nga gjithë të tjerët. Rivali shkoi në Gjykatë, Gjykata i tha jo, ai nuk mund t’i rinumëronte votat, sepse nuk kishte mosmarrëveshje. Megjithatë i ofrova gjithçka, përveç numërimit të votave. I thashë se një njeri i lirë, kurrë nuk mund ta shpërbëjë politikisht një vendim gjykate. Pavarësisht nëse e pëlqen ose jo, duhet ta pranojë atë. Ky është rregulli. Ai arriti të ngrinte rreth 1000 protestues ose më shumë, ai gjithashtu u përpoq të kryente akte dhune duke menduar se do të kishte një fjalim nga zyra ime, gjë që nuk do të ndodhte kurrë”, u shpreh Berisha para të rinjve. Sipas tij, kreu i opozitës, edhe pse zhvilloi me mijëra protesta kundër qeverisë, jo vetëm nuk fitoi zgjedhjet e ardhshme, por humbi dhe Bashkinë e Tiranës që e drejtonte vetë. “Shqiptarët erdhën sërish në zgjedhje. Në vitin 2008, maxhoranca ime kishte 142.000 vota më shumë se koalicioni i drejtuar nga opozita. Mbi 1000 protesta zhvilloi, dhe pas tyre humbi edhe Bashkinë e Tiranës me disa vota. Ju them se fitoret janë duele, të vogla ose të mëdha ato janë duele. Por tani jeta jonë është normale. Ata janë në Parlament. Ju them se jam i kënaqur që pranuan atë çfarë unë u kam ofruar përgjatë dy viteve të kaluara. Unë e respektoj plotësisht opozitën. Opozita është jetike për moralin e vendin dhe kombit, dhe tani po vazhdojmë me reformat duke shpresuar të meritojmë statusin e vendit kandidat për në BE”, u shpreh Berisha.

Kreu socialist i përgjigjet Kryeministrit në Twitter
Rama: Berisha, gënjeshtra që turpërojnë shoqërinë tonë

Kreu i PS, Rama

Pas deklaratave të Kryeministrit Berisha gjatë Forumit Rinor Demokratik Rajonal, erdhi dhe reagimi i kreut të opozitës. Përmes Twitter-it, kryesocialisti u shpreh se Berisha tha përsëri gënjeshtra, ndërsa ora e ndryshimit, sipas tij, po troket fort.
“Fjala e Kryeministrit sot para të rinjve ishte një blof i madh. Tha çorodi e gënjeshtra si përherë, të cilat janë turpëruese për shoqërinë tonë. Ora e ndryshimit troket fort”, shkruan Rama. Duku iu referuar fjalës së Kryeministrit Berisha për rritjen e numrit të të rinjve në universitetet e vendit, Rama u shpreh se “Universitetet sot janë të mbingarkuara në dëm të cilësisë. Papunësia rinore është për vit e më e lartë. Programi ynë rilind universitetet dhe ul papunësinë”, vijoi kryesocialisti në adresën e tij në Twitter. Dhe pse në distancë, pasi kryesocialisti ndodhej dje gjatë gjithë ditës në komunën e Preshevës mes shqiptarëve të kësaj zone për të promovuar librin e tij “Kurban”, kryesocialisti nuk i ka munguar replikës me Kryeministrin Berisha përmes adresës së tij shumë aktive të rrjetit social “Twitter”.

© Panorama.al

Te lidhura