TIRANË- Kreu i qeverisë, Sali Berisha ka përshëndetur vendimin e opozitës për kthimin në Kuvend, duke e quajtur këtë daljen nga rruga e vetmisë dhe kthimin e saj në normalitet dhe duke e ftuar për bashkëpunim në të mirë të integrimit dhe reforamve kryesore që kërkojnë 3/5 e votave.
Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, Berisha tha se maxhoranca ka rikuperuar forcat për të nisur së bashku dyvjecarin kurorë të arritjeve.
“Këto dy vjet do të jenë vitet e kurorëzimit të të gjitha reformave në mënyrë që ’13 të hapë horizonin e ri për këtë maxhorancë. Ne vërtetë nisim këtë shtator një seri reformash të mëdha, të gjithanshme me të cilat ne do të shënojmë një progres të paprecedentë në projektin tonë të madh “Shqipëria, vend i zhvilluar në 2017”-tha Berisha, duke theksuar angazhimin për përshpejtimin e integrimit të vendit në BE.
Ai akuzoi opozitën për bllokim të qëllimshëm të reformave, me parimin “e keqja e vendit, e mira ime”.
“Opozita po kalon nga rruga e vetmisë në rrugën normale dhe urojmë që ajo të marrë përgjegjësitë e veta për të përdorur pushtetin, jo për të bllokuar, por votuar. Ne garantojmë se do i konsiderojmë propozimet dhe angazhimet e saj me seriozitetin më të madh, për një respekt dinjitoz që i takon opozitës. Pakica heq dorë përfundimisht nga ideja se ajo i imponohet shumicës jashtë ligjit dhe kushtetutës. Reforma zgjedhore, ligji aktual i vendit është bazë solide ligjore për zgjedhjet demokratike, por kjo nuk do të thotë se nuk ka vend për përmirësim, dëshmi e saj janë rekomandimet e dy zgjedhjeve të fundit. Mazhoranca është tërësisht e gatshme që secilin prej rekomandimeve ti adresoj në interesin më të mirë të kodit elektoral, që është më konsensuali në historinë e vendit, opozita uroj të angazhohet në këtë proces, të ftojmë së bashku Komisionin e Venecias dhe OSBE/ODIHR-in që kanë gatishmëri për të ndihmua kuvendin, sikundër ftoj opozitën që në këtë reformë të përfillim realitetin”- tha ai.
Berisha ftoi opozitën edhe për votimin e ligjit për heqjen e imunitetit, që do të jetë një shtysë tjetër në luftën kundër korrupsionit.
© Panorama.al











