
Zbardhet ligji:Si do veprohet për heqjen nga Kadastra Kombëtare
Transferimi, për 1 hektar miraton ministri
Ky do të jetë viti i privatizimit masiv të pyjeve. Vetëm 10% e tyre do të administrohen nga qeveria qendrore. Pjesa tjetër do t’i kalojë pushtetit lokal. Dje, Kryeministri i vendit deklaroi se tashmë kanë kompetenca të plota në administrimin e territorit. “Jemi përpjekur të bëjmë transferime të mëdha të pyjeve. Dua t’ju njoftoj se gjatë këtij viti qeveria qendrore do të zbresë në jo më shumë se 10 për qind të pyjeve të vendit në parqet kombëtare. Por, duke vendosur t’i transferojmë të gjitha tek ju, unë ju ftoj të bëheni pjesë aktive e privatizimit të pyjeve”, tha dje Berisha. Kryeministri Berisha u shpreh se komunat duhet të tregojnë performancë të mirë fiskale, pasi, në kuadër të decentralizimit, ata administrojnë të gjitha burimet e të ardhurave. Mënyra si do të bëhet transferimi i pyjeve është përcaktuar në ndryshimet që i janë bërë projektligjit “Për pyjet dhe shërbimin pyjor”. Sipas tij, pjesët e fondit pyjor deri në 1 hektar hiqen nga Kadastra Kombëtare e Pyjeve me miratim të ministrit kur kanë një sipërfaqe deri në një hektar. “Pyjet dhe tokat me bimësi pyjore me sipërfaqe 1.1 hektar deri në 100 hektarë hiqen nga kadastrat me vendim të Këshillit të Ministrave”, thuhet në ligj. Sa u përket pyjeve me sipërfaqe mbi 100 hektarë, transferimi i tyre do të bëhet me ligj të veçantë. Këto transferime do të bëhen për rastet kur subjekte të ndryshme juridike ose fizike, përveç organeve të qeverisjes vendore, kërkojnë për t’i kthyer hapësirat pyjore në truall. “E njëjta procedurë do të ndiqet edhe kur ka kërkesë për zgjerimin e vijës kufizuese të ndërtimit dhe të shtrirjes territoriale të periferisë së qytetit në zonat rurale”, thuhet në ligj. Njësoj do të veprohet edhe kur subjekte të ndryshme juridike apo fizike kërkojnë hapësira pyjore për ndërtimin e strukturave turistike, qendrave të pushimit dhe rrugëve të ndryshme. “Heqja nga Kadastra Kombëtare e Pyjeve dhe fondi pyjor do të bëhet siç e parashikon ligji edhe kur ka kërkesa për shpim dhe shfrytëzim të puseve të naftës, të gazit, për veprimtari minerare e gjeologjike, për aeroporte e struktura të telekomunikacionit, si dhe për qëllime të strukturave ushtarake dhe qendra industriale”, thuhet në ligj. Sipas tij, ndryshimi i formës së përdorimit të fondit pyjor në kategorinë e resursit të tokës bujqësore, pavarësisht madhësisë së sipërfaqes, bëhet vetëm për mbjelljen e këtyre sipërfaqeve me kultura të drurëve, të cilat janë pjesë e politikave afatgjata. “Kalimi i resursit të tokës së pafrytshme bujqësore që është në pronësi private, apo të organeve të qeverisjes vendore në fond pyjor, bëhet me kërkesë të pronarit apo organit të qeverisjes vendore. Kërkesa paraqitet pranë ministrisë, veprimtaria e së cilës mbulon pyjet dhe miratohet nga ministri përkatës.
Ndryshimet
Pjesë e fondit pyjor kombëtar, që kërkohen nga subjekte juridike ose fizike apo nga organet e qeverisjes vendore, për t’u kthyer në truall,për zgjerimin e vijës kufizuese të ndërtimit dhe të shtrirjes territoriale të periferisë së qytetit e të qendrave të banuara në zonat rurale, për ndërtimin e strukturave turistike,të qendrave të pushimit apo ato shëndetësore ose për qëllime të tjera publike, për rrugë automobilistike apo hekurudhore,për shpim dhe shfrytëzim të puseve të naftës e të gazit,për veprimtari minerare e gjeologjike,për aeroporte dhe struktura te telekomunikacionit për qëllime të strukturave ushtarake,qendra industriale,hiqen nga fondi pyjor dhe nga Kadastra Kombëtare e pyjeve si më poshtë:. Pyjet dhe tokat me bimësi pyjore,me sipërfaqe deri në 1ha,me miratimin e ministrit
. Pyjet dhe tokat me bimësi pyjore,me sipërfaqe nga 1,1 ha e deri në 100 ha me vendim të Këshillit të ministrave
. Pyjet dhe tokat me bimësi pyjore,me sipërfaqe mbi 100 ha, me ligj të veçantë.
Berisha komunave: Regjistroni pyjet e pastroni plehrat
Kryeministri i vendit, Sali Berisha, u kërkoi dje kryetarëve të komunave të regjistrojnë në hipoteka pyjet që ato kanë nën administrim, për t’i mbrojtur nga shkatërrimi. Ai kritikoi ashpër krerët e komunave për situatën e rëndë të ndotjes në zonat rurale, ku në pjesën dërrmuese mbeturinat nuk mblidhen ose hidhen në shtretërit e lumenjve. “Në të gjithë territorin e komunave tuaja, aty ku dalin plehra, ato janë simbol. Shumë bëhen automatikisht simbol i qeverisjes vendore. Një pjesë e mirë nuk i regjistrojnë pyjet që neve u kemi transferuar. Nuk merrni mundimin të shkoni t’i regjistroni në hipotekë. Kërkuat nga ne që të heqim tarifat, duke thënë se ‘janë të larta e s’mund t’i paguajmë’. Ua hoqëm dhe tarifat. Ka një taksë që është më e ndershmja dhe më mirë e proporcionuar në Shqipëri dhe në çdo vend të botës, taksa e pronës. Ju nuk e mblidhni atë ose e mblidhni në një përqindje jashtëzakonisht të parëndësishme”, tha Berisha. Këto deklarata ai bëri gjatë pjesëmarrjes në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të Shoqatës së Komunave të Shqipërisë. Kryeministri i ftoi drejtuesit e pushtetit vendor që të bëjnë gjithçka për një klimë sa më të shkëlqyer për biznesin dhe investimet. “Ju garantoj se për çdo pasuri që do të shfrytëzohet në territorin tuaj, ju do të jeni aksionerë në të ardhurat që krijohen prej saj”, tha Kryeministri. Ai shtoi se Shqipëria mund të bëhet një eksportues shumë i rëndësishëm arroresh, por kjo kërkon që së paku 250 milionë rrënjë arrorë të mbillen në të gjithë vendin dhe ato kultivohen deri në lartësitë 700 – 800 metra. “Lidhur me ullirin, ne duhet të bëjmë gjithçka që brenda harkut dyvjeçar që vjen të arrijmë 20 milionë rrënjë ullinj, për të shkuar te 50 milionë rrënjë gjithsej”, tha Berisha. Në punimet e Asamblesë mori pjesë dhe një përfaqësi e gjerë e Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës.
ZIRINA LLAMBRO











