Berisha prezanton logon e festimeve të 100-vjetorit

Jan 13, 2012 | 11:49
Berisha me logon e 100-vjetorit të pavarësisë

Kryeministri Sali Berisha publikoi dje logon e festimeve të 100-vjetorit të pavarësisë. Në mbledhjen e Komitetit Ndërministror për Pavarësinë, kreu i qeverisë konfirmoi idenë e ndërtimit të një monumenti kushtuar kësaj ngjarjeje. “Nënkryetari i Komitetit Shtetëror ka elaboruar një dokument, të cilin do ta paraqesë këtu për plotësime dhe shqyrtime lidhur me aspektet dhe problematikën e kremtimeve të 100-vjetorit të pavarësisë së vendit. Sikundër ministri i Kulturës sjell këtu logon e 100-vjetorit. Ministria e Kulturës ka shpallur edhe konkursin për një monument që duhet të ngrihet në 100-vjetorin e pavarësisë së vendit. Ndërkohë, të gjitha ministritë janë porositur që çdo veprimtari me një impakt sa më real të mundshëm, në asnjë mënyrë artificial, le të mendojnë për ta realizuar në këtë 100-vjetor”, u shpreh Kryeministri. Sipas Berishës, ky 100-vjetor i pavarësisë do t’u shërbejë qytetarëve të njihen me të vërtetat e rëndësishme të vendit tonë. Ai kërkoi ngritjen e një komisioni që do të konceptojë “Dekoratën e 100-vjetorit të pavarësisë” dhe “Urdhrin e 100-vjetorit të pavarësisë”, si dhe “të përzgjedhë listën e personaliteteve të huaja që duhet të nderohen me emrat e tyre ne rrugë, me pllakata, me dekorata, bazuar në kontributin e tyre historik për këtë komb”. Sipas Kryeministrit, “me bashkitë e Tiranës, Korçës, Vlorës, Shkodrës etj., duhet të punohet në mënyrë që të hapet vend, sipas aktiviteteve dhe veprimtarive që kanë, të vendosen shtatore, buste, emra në rrugë, në shkolla dhe të marrin vendin që u përket personalitetet e vendit dhe ato të huaja. Ne kemi thënë që në Tiranë duhet të vendoset, detyrimisht, shtatorja e Ismail Qemalit, e Ahmet Zogut, por duhet të vendoset shtaroja e Hasan Prishtinës, në qoftë se zgjedhim një më kryesorin, ose le ta përcaktojnë historianët, të kryengritjeve të Kosovës. Sepse edhe ato ishin ngjarja më madhore e zhvilluar në ato vite”. Kryeministri i ngarkoi Ministrisë së Mbrojtjes të organizojë kthimin e eshtrave të Mbretit Zog në atdhe si dhe ringritjen e varrezës mbretërore. Ndërsa Ministrisë së Kulturës iu la detyrë që bashkq me FSHF-në të organizojë Kupën e 100-vjetorit të pavarësisë, me ekipet nga Mitrovica në Gjirokastër. Duke folur për logon e festimeve, Bumçi tha se “midis 24 artistëve, komisioni ka arritur të përzgjedhë punimin më të mirë, atë të artistit kosovar Zeni Ballazhi. Punimi fitues stilizon shqiponjën në formën e një flake jubilare dhe i përngjan një trofeu. Ai është një simbol festiv dhe nuk sfidon simbolet zyrtare të Shqipërisë”. Ndërsa ministri i Financave, Ridvan Bode, kërkoi që për të gjitha aktivitetet që do të zhvillohen të përcaktohet një kosto. “Ky komitet duhet të vendosë përfundimisht për listën e aktiviteteve që do të zhvillohen për 100-vjetorin, duke vendosur edhe koston, në mënyrë që ne të dimë se sa kushton dhe deri ku shkojmë”, tha Bode.

Ceremonitë
“Duhet të kemi ‘Çmimin e Pavarësisë’ për veprat më të mira, për botimet më të mira, për studimet më të mira. Duhet të bëjmë diçka për ata që përkushtohen në këtë drejtim, që ata të kenë një mirënjohje, të kenë dhe një shpërblim. Kjo është një nxitje. Të zhvillohet një konkurs mbarëkombëtar për pavarësinë e Shqipërisë në të gjitha shkollat ku flitet shqip. Bëni çdo gjë që të ndezim te shkollarët kënaqësinë e një konkursi për pavarësinë”, tha Kryeministri.

© Panorama.al

Te lidhura