Berisha: Presidenti, me 71 vota

Jan 5, 2012 | 11:29

Rama e Berisha gjate nje takimi

“Çdo përpjekje për dëshira suplementare, do dështojë”

Kryeministri Sali Berisha ka thirrur dje në mbledhjen e parë për këtë vit kabinetin qeveritar. Në 100-vjetorin e pavarësisë, kreu i Ekzekutivit është ndalur sërish te zgjedhja e Presidentit dhe marrëveshja me opozitën për miratimin e ligjeve me shumicë të cilësuar. Duke folur për kremtimet në fund të nëntorit, Berisha tha se ky vit duhet t’i frymëzojë shqiptarët për një fillim të ri në qëndrimet ndaj së shkuarës dhe së sotmes.
Presidenti
Kreu i qeverisë përsëriti edhe njëherë qëndrimin e artikuluar publikisht, se Presidenti i ri i vendit do të zgjidhet sipas Kushtetutës, çka nënkupton se në raundin e katërt atij do t’i mjaftojnë 71 vota. “Ky është viti i zgjedhjes së Presidentit të Republikës. Ju garantoj se do të zgjidhet kryekëput dhe tërësisht në përputhje me Kushtetutën e vendit, por çdo përpjekje për t’i imponuar Shqipërisë, për t’i kushtëzuar asaj dëshira suplementare në raport me Kushtetutën, do të pësojë dështimet që kanë pësuar të tjerat. Uroj që të bëjmë përpjekje të mëdha për t’i dhënë vendit një President në lartësinë e detyrave, në lartësinë e Kushtetutës dhe të ligjeve të vendit, me integritet të plotë”, u shpreh kreu i qeverisë. Berisha është shprehur se një nga drejtuesit e lartë të PD-së do të jetë kandidat për President, ndërkohë që ka konfirmuar se Bamir Topi nuk do të mbështetet për një mandat të dytë.
Opozita
Kryeministri ka konfirmuar në mbledhjen e djeshme të qeverisë se maxhoranca do t’i qëndrojë marrëveshjes me opozitën. “Në radhë të parë unë dua ta garantoj opozitën se jemi të vendosur t’i qëndrojmë marrëveshjes që arritëm pikë për pikë, sikundër theksoj dhe dua të theksoj se askush dhe për asgjë nuk do të mund të marrë peng ecurinë e këtij vendi. Politika e pengut zgjati, por dështoi. Një vend i lirë nuk mund të merret peng kurrë. Një vend i lirë, me besim te liria, me besim te ligji dhe kushtetuta e tij demokratike nuk mund të merret peng nga askush”, u shpreh kreu i Ekzekutivit. Sipas tij, “ne qëndrojmë të vendosur dhe të hapur për një bashkëpunim të hapur dhe të sinqertë, në interesin më të mirë të vendit, sikundër qëndrojmë të vendosur për zbatimin me rigorozitet të ligjeve dhe të Kushtetutës së këtij vendi. Uroj dhe dëshiroj që ato ligje që presin të votohen, me tre të pestat, siç është marrëveshja, uroj, dëshiroj dhe jam i vendosur të bëj çdo gjë për reformë elektorale të suksesshme”. Aktualisht, në Parlament, dy komisione me përfaqësues nga opozita dhe maxhoranca janë duke punuar për ndryshimin e Kodit Zgjedhor dhe të Rregulloren e Parlamentit, ku kjo e fundit është pjesë e rekomandimeve për marrjen e statusit të vendit kandidat. Gjatw muajit dhjetor u plotësuan dy prej rekomandimeve të Komisionit Europian, ku u miratuan tre kode që kërkonin 3/5 e votave si dhe u zgjodh me konsensus, si propozim i PS-së, Avokati i Popullit.

Rama
“Unë mendoj që ky është një proces që duhet parë përsëri dhe e shoh përsëri në funksion të interesit kombëtar, që sot është i njehsuar me interesin e integrimit sa më të shpejtë në BE. Na duhet një proces europian. Në radhë të parë ne dëshirojmë të ndërtojmë profilin e Presidentit që i duhet sot vendit, pa paragjykuar asnjë emër, por pa u nisur nga asnjë emër dhe përsëris: edhe pse ka pasur një refuzim banal nga ana tjetër për atë që unë kam shprehur, neve na duhet të shkojmë drejt një Presidenti mbi palët”, tha Rama pak ditë më parë.

Topalli
Kryeparlamentarja Topalli e ka cilësuar si të hershëm debatin për zgjedhjen e Presidentit, por ajo ka bërë të ditur se nuk do të votonte për Fatos Nanon. “Në bazë të Kushtetutës, Presidenti ka një mandat 5-vjeçar, mandat që përfundon në fund të korrikut të vitit 2012. Axhenda parlamentare, natyrisht, nuk fillon me zgjedhjen e Presidentit, në fund të sesionit të ardhshëm ai do të vendoset në kalendar për zgjedhjen e Presidentit. Për mua ka qenë një privilegj në krye të Kuvendit. Siç e shikoni, unë kam qëndruar në Parlament, nuk kam shkuar në qeveri”, theksoi Topalli.

Nano: Jam në garë me ide
Ish-kryeministri Fatos Nano ka shprehur disa herë ambicien e tij për t’u bërë President në korrik të 2012-s. “Unë dhe oferta që ju e shprehët në mënyrën tuaj profesionale, jemi aty, me angazhimin dobiprurës për më shumë iniciativa dhe hapësirë bipartizane ose jopartizane, në politikën shqiptare dhe në komunikimin e saj me familjen europiane, për të bërë të kundërtën e asaj që ka ndodhur për fat të keq dy vitet e fundit, kur dhe kampet e majta e të djathta të Parlamentit Europian nisën të mbrojnë lojtarët respektivë”, u shpreh Nano.

Nard Ndoka: “Presidenti konsenual”
Kryetari i PDK-së, Nard Ndoka, u shpreh dje se Presidenti i ardhshëm duhet të zgjidhet në mënyrë nonsensuale, ndërkohë që sipas tij, Topi duhet të merrte votat për një mandat të dytë. “Unë e konsideroj si kandidatin më të mirë të mundshëm e potencial që ka institucioni i Presidentit. Për faktin që Bamir Topi si President i Republikës ka ditur të qëndrojë mbi palët. Kjo e ka cenuar disi mbështetjen e Partisë Demokratike, por një parti e përgjegjshme dhe demokratike, pa diskutim që do të merrte një nismë për rikandidimin e zotit Topi si President i Republikës. Por, për fat të keq, Partia Demokratike është një parti klanesh”, tha Ndoka.

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura