
Kryeministri: Totozani u zgjodh në bunkerin e PS.
“Nuk do kandidojmë Topin për mandat të dytë, Nano s’mund të jetë kandidat i PD”.
Kryeministri Sali Berisha përjashtoi dje çdo mundësi që PD-ja të kandidojë Bamir Topin për një mandat të dytë në Presidencë. Në një intervistë për emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu, ai tha se maxhoranca nuk do ta mbështesë kandidaturën e Nanos, por shtoi se do të jetë një propozim i PD-së, përfshi edhe drejtuesit e saj.
Të hënën mendova se do të shtyhej kjo intervistë e sotme. 8 dhjetori u shty për shkak të vizitës suaj në Francë. Mendova që ajo që ngjau në festën e PD do t’ju pengonte të ishit këtu…
U gabove. Jam këtu sot në axhendën e zakonshme.
Jeni i sigurt se axhenda juaj nuk do të reduktohet pas asaj që ju ndodhi?
Në rast se ndihesh mirë, vazhdojmë gjer në 1.30 të natës.
Ishte një virozë, apo ishte emocionale?
Ky është i treti që më ka ndodhur në sfondin e një viroze. Në 1988-n kam qenë disa ditë me virozë, jo të rëndë, jam ngritur shpejt dhe kam rënë në mënyrë brutale. Pas gjithë ekzaminimeve rezultoi se ishte një virozë. Kjo u përsërit në vitin 2000, në Vlorë, në maj, në miting. Kisha një grip të fortë, por atë ditë në mëngjes nuk kisha temperaturë dhe u nisa. Ishte pak më e thelluar. Kurse kësaj here, kam mbi dy javë me një gjendje virale që nuk më ka penguar të kryej veprimtarinë time të përditshme. Kam marrë edhe antibiotikë si një përkujdesje për të parandaluar një infeksion bakterial, por kombinimi aty i atij mjedisi realisht të ngrohtë shumë, bashkë me virozën krijoi të njëjtin fenomen, i cili ishte këtë herë më i lehtë se dy episodet e tjera.
Ju e ndërpretë fjalimin. Pse nuk e latë kur e ndjetë që nuk ishit mirë?
Kam ndërprerë gjithsej 4-5 fjali, asgjë tjetër. Bëra të gjitha analizat dhe rezultoi se nuk ekzistonte pllakë e vetme arterosklerotike në sistemin arteriar, gjë e cila është shumë e veçantë, sepse arteroskleroza është një sëmundje, frekuenca e së cilës rritet me moshën. Ruaj të njëjtin integritet të sistemit arterial, çka përbën një avantazh dhe më lejon mua të ndërmarr veprimtaritë fizike që ndërmarr.
E morët vesh që lideri i opozitës ju uroi një shërim të shpejtë në Twitter?
Konkurrenti im, që ka humbur komunikimin me publikun dhe ka filluar të komunikojë me zogjtë… Pasi dështoi në të gjitha format e komunikimit, është kthyer në komunikim me “ciu-ciu”, me Twitter, i cili është jodomethënës në shumë aspekte. Një lider mund të komunikojë në Twitter, por unë komunikoj me SMS. E kam bërë publik numrin në 2005-n dhe janë me qindra mijëra shqiptarët që komunikoj me SMS.
Pse vendosët të votonit Leskajn për kreun e KLSH?
Leskaj nuk ishte një kandidaturë e konsultuar me maxhorancën. Pasi Topi bëri të qartë se nuk ka ndër mend të respektojë vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, i cili në mënyrën më të qartë përcakton detyrimin e konsultimeve të ndërsjella mes institucioneve. Në këto rrethana mbetej që ose KLSH-ja të lihej pa kryetar gjer në fund të mandatit të zotit Topi, maxhoranca i kishte votat për ta bërë këtë, ose të prevalonte institucionalizmi dhe institucionalizmi do të thoshte që KLSH-ja të kishte kryetarin e tij. Mes këtyre dy rrethanave u zgjodh kjo e fundit dhe maxhoranca votoi një kandidaturë, të cilën Topi nuk denjoi, në përputhje me vendimin e Kushtetueses, ta konsultonte paraprakisht.
A ishte kjo thjesht një gjest paqeje mes maxhorancës dhe Topit?
Nuk besoj se kanë asnjë interes më për publikun marrëdhëniet mes kësaj maxhorance dhe Presidentit Topi.
Ç’domethënë nuk ka asnjë interes?
S’ka më interes. Topi është në detyrë, vazhdon detyrën e tij. Ne i kemi bërë të qarta qëndrimet tona, ai ka bërë të qarta qëndrimet e tij.
Me shfaqjen publike të ambicies së Topit për të krijuar një parti, a vështirësohet marrëdhënia institucionale mes Presidentit dhe maxhorancës?
Në historinë e një vendi nuk mund të ketë asgjë më rrënuese për atë institucion, që është institucioni qendror i shtetit, sado që është simbolik, sesa deklarimi i tij në detyrë dhe përpjekja e tij për të krijuar parti. E vërteta është që me këtë kundërshtar nuk të ndihmonte dot më shumë se kaq, po të jetë puna për kundërshtarët. Po të jetë puna për dinjitet shtetëror, kjo përbën një gjë jashtëzakonisht të rëndë, sepse ti je i detyruar… je Republikë Parlamentare, je President qartësisht jashtë forcave politike. Në një republikë parlamentare Presidenca kurrë nuk mund të jetë një parti politike. Këtu janë dy forca të mëdha politike dhe del një partiçkë dhe thotë “jam unë në Presidencë”. Imagjino çfarë fyerje është për atë institucion.
Mund të jetë një presion për të marrë një mandat të dytë si President?
E vetmja formë që s’mund të bëhet. Dinjiteti i asaj karrigeje dhe atij posti nuk të lejon kurrë që ti të shpallësh atë të anësuar në një parti. Je zgjedhur, ke bërë një betim në Kushtetutën e vendit, ke bërë një deklaratë publike, ke dhënë dorëheqjen nga funksionet partiake. Për mua ajo është një ndihmë që zotëria e tij i bën maxhorancës me ato deklarata. Për mua që një kryetar shteti, i një republike parlamentare… është tjetër republika presidenciale kur ata kryesojnë fushatën dhe drejtojnë partinë… në këtë sistem kjo nuk ndodh dhe nuk mund të ndodhte. Ai ka një rrugë që askush nuk mund ta qortonte, të jepte dorëheqjen. Meqenëse maxhoranca që më ka kandiduar mua ka deklaruar publikisht se nuk do ta kandidojë, dhe unë po e them që nuk do ta kandidojmë…
Si, ju po thoni që nuk do ta kandidoni?
Absolutisht jo, kjo është shumë e qartë.
Nuk do të votoni më për Topin nëse ai kandidon?
Është e prerë kjo, është e padiskutueshme.
Nëse e kandidoni ju mund të shmangni krijimin e një partie të re…
Kompromise të tilla aprincipale nuk bëhen. Kjo do të thotë të marrësh peng Presidencën. Kjo do të thotë të votosh një president për të shmangur krijimin e një partie që të dëmton ty. Nuk mund ta bëjmë kurrë këtë, s’ka asnjë lloj morali.
Është kalkulim politik…
Pazar me Presidencën nuk bëhet. Unë nuk jam i këtyre pazareve. Unë kam bërë koalicione dhe me kundërshtarë të mi dhe i kam bërë transparente. Nëse dikush thotë që për shkak të humbjes së mandatit të dytë, unë do të krijoj parti politike…, ti mund të krijosh parti politike, por jep dorëheqjen dhe thuaj “meqenëse ju nuk më kandidoni, unë nuk e mbyll mandatin dhe do të krijoj parti, do të bëj gjithçka kundër PD-së”. Bëje këtë.
A jeni ju në vështirësi si maxhorancë me një President që ka shprehur ambicien për të pasur karrierë politike, që mund të përdorë postin e Presidentit për të konsoliduar pozitat e tij? I komplikon kjo marrëdhëniet?
Besoj që marrëdhëniet janë të qarta me maxhorancën. Nuk ma merr mendja se ka ngelur gjë pa u qartësuar. Këtu ka një problem shumë serioz me institucionin. Ka një problem që nuk është i maxhorancës, është problem i çdo qytetari shqiptar. Kur një njeri i votëbesuar në karrigen më të lartë të shtetit deklaron se do kem parti politike sepse nuk më kandidojnë për së dyti, që në këtë moment ti ke humbur çdo lloj besueshmërie. Se do kesh ti një forcë politike 0.2%, apo 12%, apo 22%, kjo është diçka tjetër, por këtë e ke bërë në kundërshtim me dinjitetin, ligjet, frymën dhe moralin e institucionit të Presidencës.
Pse nuk e ftuat Presidentin në pritjen e PD-së?
Ata që kanë bërë protokollin e asaj dite kanë pasur të qartë se për zotin Topi është më e lehtë të shkojë në PS, se në PD. Është vota për kryetarin e PS-së në zgjedhje. Druaj se ata që bënë protokollin menduan se ai mund të mos vijë.
PS ka bërë publik emrin e Avokatit të Popullit, Igli Totozani…
Ky ishte procesi më i veçantë në 20 vjet. Kam qenë dhe mbetem i bindur se Avokati i Popullit duhet t’i përkasë opozitës. Në këtë kontekst, ai duhet të jetë një avokat i vërtetë i qytetarëve dhe të mos ketë ndikime nga qeveria. Duhet të denoncojë administratën dhe çdo institucion që dhunon të drejtat e qytetarëve. Por si e përdori Rama këtë? E përdori në mënyrën më të veçantë. E fabrikoi nga zyrat e partisë.
Si e fabrikoi nga zyrat e partisë? Ai i dëgjoi vetë kandidatët?
A patë ndonjë qytetar tjetër, përveç drejtuesve të PS-së në atë sallë? PS-ja është një parti institucionale, ka një grup të fuqishëm parlamentar. Ajo ndërtesë e Parlamentit edhe metrat katrorë i ka të ndarë në mënyrë të atillë që PS ka një pjesë të madhe të saj. Të përdorësh zyrat e PS-së për të zgjedhur Avokatin e Popullit, bën politizimin më ekstrem të një posti që s’duhet të jetë i politizuar.
Mund ta bënte në Parlament, çështja është te emri…
Ajo bëhej në mënyrë të civilizuar në një nga sallat e Parlamentit, ku deputetët e PS-së, bashkë me ekspertët e tyre, bëjnë intervista, por ftonin edhe deputetë të forcave të tjera politike që s’do të kishin të drejtë vote aty, por ky proces i nënshtrohej Parlamentit. U bë në bunkerin e PS-së. Së dyti, kush është ky zotëria? Është një propozim, një sponsorizim direkt i “double K-së”, i Koço Kokëdhimës. Ai nuk ka asgjë me PS-në.
Ka punuar me Blushin dhe Majkon në administratën e PS…
Po pse nuk e propozoi Blushi, por e propozoi Koço? Pse nuk e propozoi Fino, por Koço? Ai do t’i marrë votat.
Ju do ta votoni?
Pa diskutim. Ne besonim që do të vinte një avokat që në radhë të parë do të mbronte interesat e opozitës, do të mbronte interesat e qytetarëve shqiptarë, dhe jo interesat e klaneve më të ngushta që e sundojnë Ramën prej 20 vjetësh. Nga doli ky? Ky doli nga zyrat e Koços. Zgjedhja është më fatkeqja, por fjala e dhënë është fjalë e dhënë. Kemi deklaruar se s’do të votojmë vetëm ata që kanë persekutuar në komunizëm qytetarët shqiptarë, ai nuk është njëri prej tyre, ai do t’i marrë votat.
Është rikthyer në qendër të vëmendjes emri i Nanos si President në 2012-n…
Unë i kam shprehur qëndrimet e mia ndaj këtij problemi, ai është qëndrimi. PD-ja do të ketë kandidatin e vet për President dhe do të zgjedhë atë kandidat.
PD, kandidatin e saj do ta ketë figurë politike, apo jashtë politikës?
PD-ja ka të drejtën e saj të kandidojë çdo drejtues të saj për President. Kjo është e para e punës. PD-ja ka një numër të madh personalitetesh që mund t’i promovojë në atë post. PD-ja nuk ka pengesë për të përzgjedhur kandidatin më të mirë që ajo mendon për postin e Presidentit.
Ju nuk i keni votat si PD, keni 70 vota. Presidentin do ta zgjedhë LSI-ja?
Ky koalicion ka funksionuar dhe funksionon në mënyrë të përsosur. Ka një formulë që ka funksionuar shumë mirë.
A do të jetë Topalli kandidate e PD-së për Presidente?
Pavarësisht nga ato çfarë unë thashë këtu për Topin, ai është President deri ditën që i skadon mandati dhe nuk do të ketë asnjë emër gjer atë ditë. E kam parim unë këtë. Zonja Topalli dhe disa zonja dhe zotërinj të tjerë, drejtues të PD-së, kanë të gjitha cilësitë për të qenë në atë post, por në mënyrë absolute nuk ekziston asnjë kandidaturë derisa të fillojë gara.
Është Topalli një kandidaturë e mundshme?
Kandidatura të mundshme janë të gjithë drejtuesit e PD-së.
Përfshi kryetarin e PD-së?
Po them të gjithë drejtuesit e PD-së.
Përfshi kryetarin e PD-së?
Pa diskutim që kryetari do të ishte i pari, por kryetari ka bërë deklaratat e tij.
U qëndron këtyre deklaratave pas këtyre 4 muajve që nuk do të kandidoni?
Ke parë ndonjëherë që unë të mos u qëndroj deklaratave të mia? S’ke parë ndonjëherë.
A do të jetë kandidat i PD-së Fatos Nano?
PD-ja do të ketë kandidatin e vet dhe Nano është lideri historik i së majtës.
Përjashtohet të propozohet nga ju?
Pa diskutim.
Presidenti mund të vijë nga jashtë politikës?
Jo, nuk jam i bindur. Presidenti i vendit është post politik, dhe jo jopolitik. Nuk është ombustmeni i vendit.
A keni ndër mend të ndryshoni qeverinë?
Unë nuk mund të lëviz qeverinë për kureshtje gazetareske. Për çdo qeveri ka një test, dhe ky test janë zgjedhjet. Zgjedhjet e 2011-s shënuan suksesin më të madh të kësaj maxhorance.
Nuk ka PD deputetë të tjerë që mund të bëhen ministra?
Nuk janë ministritë ruleta. Njeriu që punon vlerësohet për atë që performon.
Nuk parashikoni ndryshime të shpejta në qeveri?
Ndryshimet bëhen kur është e nevojshme, por nuk bëhen kurrë ndryshime për ndryshime. Unë e kam faktuar këtë. Nëse paraardhësit e mi qarkulluan në karriget e ministrave 74 ministra, vendosën modelin e mosqeverisjes.
BLENDI FEVZIU
© Panorama.al











