Berisha: Po punojmë fort për t’u afruar me BE

Jul 18, 2012 | 13:51
Berisha dhe zv.sekretarja amerikane, Lute

Kryeministri Sali Berisha mbajti dje një fjalim në takimin mbi sigurinë globale në Romë, me temë “Sfidat kryesore, sot, për paqen dhe sigurinë”. Kreu i Ekzekutivit e vuri theksin te marrëdhëniet e Shqipërisë me vendet fqinje në rajon dhe konfirmoi mbështetjen për integrimin e Ballkanit në BE. “Në Beograd ka një qeveri të re dhe pavarësisht disa deklaratave paraprake jo të shëndetshme që kanë bërë, ne shohim me interes të vazhdojmë përpjekjet tona për integrimin e mëtejshëm rajonal. Ne mbështesim plotësisht integrimin e rajonit në NATO. Shqipëria po punon fort për t’u afruar edhe më shumë me Bashkimin Europian. Shqipëria ka vendosur marrëdhënie shumë të mira me fqinjët e saj”, deklaroi kreu i Ekzekutivit. Gjatë qëndrimit në Romë, Berisha u takua edhe me zëvendëssekretaren për Çështjet të Sigurisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jane Lute. Zv.sekretarja amerikane shprehu interes të veçantë për zhvillimin e Shqipërisë gjatë kësaj periudhe, duke i treguar Kryeministrit Berisha se ka qenë në Shqipëri në fillim të vitit ‘92 dhe se ndjehet një admiruese e vendit tonë. “Kryeministri Berisha e njohu me zhvillimet e vrullshme dhe transformimet e rëndësishme që kanë ndodhur në vend gjatë kësaj periudhe dhe e ftoi përzemërsisht zëvendëssekretaren Lute ta vizitojë sërish Shqipërisë, si mike e vërtetë e vendit tonë dhe e kombit shqiptar. Gjatë bisedës, Kryeministri Berisha dhe znj. Lute rikonfirmuan vullnetin e të dy qeverive e vendeve për të vijuar bashkëpunimin e ngushtë në fushën e sigurisë. Zëvendëssekretarja Lute e falënderoi Kryeministrin në emër të qeverisë dhe SHBA-ve për bashkëpunimin shumë të mirë e shumë të frytshëm në të gjitha aspektet e sigurisë”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.

© Panorama.al

Te lidhura