“Referendumi popullor do të mbahet në respekt të plotë të Kushtetutës. Pavarësisht vështirësive, asgjë nuk mund të ndalojë e të pengojë që të dëgjohet zëri i qytetarëve shqiptarë”. Këtë deklaratë bëri dje në mbledhjen e qeverisë, Kryeministri Sali Berisha, një ditë pas dështimit të seancës parlamentare për heqjen e imunitetit të deputetëve. Sipas tij, do t’i kërkohet Këshillit Legjislativ të Parlamentit të hartojë platformën për hapat që do të ndiqen për të realizuar referendumin.
“Koha e zhvillimit të referendumit do të përcaktohet nga institucionet përkatëse, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Gjykata Kushtetuese dhe institucionet e tjera”, tha Kryeministri. Duke u ndalur në seancën e një dite më parë dhe bojkotin e opozitës, kreu i qeverisë theksoi se 6 gushti do të mbetet në histori si një datë, ku deputetët e majtë nuk u lejuan të votonin në favor të statusit të vendit kandidat në Bashkimin Europian. “Në këto rrethana, midis një akti votimi të dështuar që kërkonte 96 vota dhe shumica ishte larg këtyre votave, midis një akti për të larë duart dhe shtytjes përpara të procesit për një nivel të ri transparence, rruga e vetme mbetet t’u drejtohemi shqiptarëve në një referendum popullor”, tha Kryeministri.
AKUZAT PËR OPOZITËN
Duke vijuar akuzat e tij, Berisha u shpreh grupi i miliarderëve të PS-së mban peng këtë parti për interesa të lidhura ngushtë me pasuri të paligjshme e trafiqe, nën petkun e imunitetit. “Zoti Rama harron se për çdo qytetar shqiptar është e qartë si drita e diellit se bllokimin dje nuk e bënë qytetarët shqiptarë, socialistët e thjeshtë, demokratët apo qytetarët pa parti, por e bënë kryekëput interesat e lidhura me taksa të fshehura të mamasë, babait apo dajkos, duke përdorur imunitetin, me trafiqe të paligjshme, përfshirë edhe ‘pluhurin’ e trafiqe të tjera kriminale, e bënë përfitimet e paligjshme mbi trojet publike e toka të tjera të grabitura”, tha Berisha.
Sipas Kryeministrit, në të tilla kushte verdiktin për të përmbysur murin e korrupsionit të zyrtarëve do ta japin qytetarët e vendit. “Përse ne i lejojmë vetes kaq të drejta që na i delegojnë ata, për të marrë me dhjetëra e qindra vendime ndërsa ata të mos kenë të drejtë të marrin një vendim për ne, përveçse kur hedhin votën e na zgjedhin. Edhe ata do të kenë të drejtën e plotë të flasin për ne. Kush ka frikë të dalë mënjanë, të ikë nga politika. Ka frikë nga vetja e tij”, u shpreh Kryeministri.
© Panorama.al











